Tezhibi/prarimi nuk mund të jetë shpirtëror pa intimitet dhe lidhje midis formës dhe përmbajtjes së shpalljes islame. Përgjigja ndaj spiritualitetit islam është e fshehur në vetë fenë.

Shkruan: Metin IZETI

Tezhib është një fjalë me origjinë arabe dhe do të thotë të prarosh, të dekorosh me ar. Sot, tezhibi, i cili në të kaluarën ka pasur një karakter pak më fetar, është emri i përgjithshëm i dhënë arteve të dekorimit të librave. Meshkujt që merren me artin e tezhibit quhen muzehhib, ndërsa gratë quhen muzehhibe.

Tezhibi/prarimi është një degë e artit që shpesh ngatërrohet me miniaturën. Përderisa, miniatura përfshin bimë, kafshë dhe ilustrime tjera, prarimi bëhet kryesisht për të dekoruar rreshtat e faqeve të librave rreth tyre. Tezhibi, i cili është konsideruar kryesisht një artkaligrafik, sot përdoret gjithashtu edhe në pano të ndryshme. Tezhibi, kryesisht, ka një dizajn të përbërë nga modele simetrike. Ky art, veçanërisht në periudhën osmane, përdorej për të dekoruar dorëshkrimet dhe faqet e Kuranit. Dekorimi i tugrave të sulltanit ishte gjithashtu një nga punët e bëra nga artistët e prarimit.

Edhe sot, në përgjithësi ndiqet qasja klasike. Kjo qasje bazohet në përdorimin e formave dhe modeleve të përdorura gjatë historisë së tezhibit, pa i shkatërruar ato, por duke i rinovuar ato. Sidoqoftë, ka edhe artistë prarues që punojnë veçmas nga qasja klasike dhe krijojnë modele unike me kompozime të ndryshme. Arti i tezhibit është një degë që ishte zhytur në harresë me kalimin e kohës, por ai, vitet e fundit ka fituar popullaritetin e tij të mëparshëm. Tash në Turqi ka departamente të tezhibit në fakultetet e arteve të bukura të shumë universiteteve, ku edhe shkollohen dhe përgatiten artistë të mirrëfilltë.

Tezhibi si art dekorativ është një nga artet shumë prezente në lindje. Raste të dekorimit me ar hasim edhe në Japoni në teknikat kintsugi dhe kinstukuroi, në hapësirën persiane, ku është emërtuar me termin zerefshan, por zhvillimin ktryesor e ka duke filluar nga periudha e selxhukëve dhe më pas në periudhën osmane. Si i tillë, tezhibi ka qenë një degë artistike me të cilin janë marrë edhe artistët shqiptarë, veçanërisht gjatë përshkrimit dhe dizajnimit të librave të ndryshëm. Shembuj të tillë kemi në të gjitha arkivat në trojet shqiptare. Në periudhën e Sulltan Sulejmanit, veçanërisht nëpërmjet dy mjeshtërve kryesorë Shah Kullu dhe Kara Memi, arti i prarimit e ka arritur kulmin e zhvillimit, ndërsa më vonë, në Epokën e Tulipanëve/Lale Devri është modifikuar edheme motive perëndimore të rokokos.

Por ajo që është e rëndësishme në këtë disiplinë artistike mendoj që përfshihet në ndjenjën dhe platformën filozofike për ta bërë këtë art. Artisti mysliman, për shkak se u ka ikur imazheve të gjalla, është përpjekur që bukurinë e bërë nga Artisti i Madh ta shprehë në artin e tij. Tezhibi në një mënyrë është një ekspresion abstrakt i cili përpiqet ta shprehë dashurinë dhe përgjërimin për inkuadrimin e artistit në Artin e Madh të ekzistencës. Njeriu si amanetçi i frymës krijuese të Zotit, e cila është trajtësuar në gjithësi në formën më të bukur, ka dëshirë që t’ia jep hakun këtij amaneti, por duke mos prekur në shenjtërinë e krijimit të Zotit. Pikërisht për këtë artisti mysliman nëpërmjet të motiveve të luleve dhe figurave gjeometrike, të bëra me materialin më të shtrenjtë të botës, pra arin, e shpreh përkushtimin e tij ndaj frymës hyjnore që ka në vete.

Gjithashtu Tezhibi/prarimi ka qenë pjese e pandashme e dekorimit të librave, që tregon se koncepti i mendimit islam shkencën dhe artin i ec paralel. Vetëm në këtë mënyrë ka mundësi të krijohen vlerat njerëzore, sipas artistit dhe mendimtarit mysliman. Shkenca pa art është vetëm informacion, ndërsa arti pa shkencë është kllapi dhe amulli, të dyja së bashku e mundësojnë urtësinë.

Tezhibi/prarimi nuk mund të jetë shpirtëror pa intimitet dhe lidhje midis formës dhe përmbajtjes së shpalljes islame. Përgjigja ndaj spiritualitetit islam është e fshehur në vetë fenë. Pa Kuranin dhe fjalët e Pejgamberit nuk do të kishte tezhib/prarim.Tezhibi është fryt i spiritualitetit islam, ku fjalët dhe mendimet nga Kurani janë të kombinuara në motive të ndryshme.

Kurani është një përmbledhje e Njëshmërisë, ndërsa i Dërguari i Zotit është një manifestim dhe dëshmitar i bashkimit të shumëshmërisë në njëshmëri, pikërisht siç janë edhe motivet artistike në artin e tezhibit. Tezhibi, thënë ndryshe, e dërgon mesazhin e brendshëm të Islamit. Shpirtërorja dhe intelektualja shkojnë paralelisht dhe ato janë kryesore për ta parë artin nga këndi idrejtë. Tezhibi kërkon frymëzim në natyrë, por nuk mendon kurrë për ta imituar / kopjuar atë, por e shpreh atë duke përdorur parimet e veta. Forma pasqyron përmbajtje, pa kontekstualizim shoqëror dhe përgjigja duhet kërkuar në parimet e besimit islam. Tezhibi është një lloj mjeti që shpirti të udhëtojë nga e dukshmja dhe e dëgjueshmja tek e padukshmja.

Tezhibi përfaqëson një lloj përgjigjeje të shpirtit njerëzor ndaj Zotit. Një mesazh. Duke soditur atë që është dekoruar, pastaj duke e ripërjetuar atë, formohet një rreth nga Një’shidrejtë shumësisë dhe sërish kthimi tek Një’shi. Në dekorimet e tezhibit mund të vërehen linja dhe pika, forma dhe ritme të ndryshme estetike, të cilat janë mishërim vizual dhe kristalizim i realiteteve shpirtërore të përfshira në shpalljen islame. Përmes tezhibit fjala e Zotit merr formën e dukshme, në mënyrë që njerëzit ta vënë re atë, ta pranojnë atë në shpirt duke u kthyer te Perëndia. Përderisa lexohet Kurani dhe soditen dekorimet përreth faqeve ndjehet një kapërcim prej sferës materiale drejt përjetimit të spiritualitetit të vërtetë. Tezhibi, secilit, i mundëson ta ndiejë përjetësinë.Ky art përmes manifestimeve të tij tregon njohuri për natyrën,rregullat, metafizikën dhe simbolikën, për të qenë në shërbim të çdo njeriu. Me fjalë të tjera tezhibi është aureolë që rrethon Fjalën e Zotit.

Tezhibi në veçanti dhe arti Islam në përgjithësi ka një mesazh të përjetshëm shpirtëror. Në mënyrë të qetë dhe shumë më efektive sesa fjalët, ligjëratat, diskutimet, etj. mund të arrijë deri tek personi dhe t’i mundësojë atij që ta ndiejë esencën e të vërtetës. Muzehhibët/praruesit priren të pasqyrojnë unitetin e Zotitdhe të Vërtetat, përpiqen të informojnë dhe paralajmërojnë njerëzimin përfuqinë e atij mesazhi shpirtëror dhe bukurinë e përvojës fetare, e cila përshkon punën e tyre në këtë proces, me një qëllim shpirtëror që drejtpërdrejtinkurajon botëkuptimin dhe mendjen për të soditur pafundësinë, ndërsa duart e artistit me përulësi tërhiqen në sfond. Të kuptosh këtë do të thotë të kuptosh vërtet gjuhën e kësaj forme unike të artit dhe çfarë Arti islam do të thotë.

Uniteti i Zotit si parim i bukurisë është ndoshta shprehja më e pastër e përvojës artistike islame dhe asaj që manifestohet. Prandaj, tezhibi ka një dimension subjektiv-estetikdhe një dimension objektiv-qytetërues. Dimensioni subjektiv-estetik mund të shihet në faktin se arti islamik përbëhet nga pjesë ose njësi të shumta që së bashku formojnë jë dizajn më të gjerë. Çdo njësi përfaqëson diçka që mund të jetë, nga njëra anë, të konsiderohet një tërësi shprehëse e pavarur, ndërsa, nga ana tjetër,të jetë pjesë e një strukture më të gjerë, e cila e mundëson që në to të shihenvlerat estetike të arteve islame, arkitekturës dhe zanateve islame.

Sa i përket dimensionit objektiv-civilizues, shihet në faktin se veçantia e mësimit dhe kulturës islame ndikon në zgjedhjen e formave dhe simboleve në mënyrë që të përcjellin një shprehje të unifikuar artistike që e paraqet thelbin e qytetërimit islam dhe mesazhin e tij për unitetin e Zotit. Filozofia e tevhidit vendos unitetin hyjnor në qendër të rrethit të ekzistencës, i cili përfshin gjithçka, pa përjashtim, qoftë një vepër arti apo diçka tjetër. Uniteti hyjnor reflektohet në gjithçka, në gjërat ekzistuese si në një pasqyrë e shumanshme. Në këtë teori “simbolike” të artit islam konsiderohet

se uniteti hyjnor posedon një dimension të brendshëm,si përsosmëri supreme që lidhet me madhështinë e Zotit, i cili është origjina e artit islam, dhe një dimension të jashtëm, që lidhet me bukurinë hyjnore dhe që na jepforma të ndryshme të prekshme të artit islam që shërbejnë si shfaqje të lidhura të Madhërisë Hyjnore.

Artistët myslimanë kanë krijuar një formë të re arti e cila është në përputhje me botëkuptimin e tyre monoteist, bazuar në premisën se “nuk ka zot tjetër përveç Allahut”, dhe se asgjë në Natyrë nuk mund të përcjellë thelbin e Zotit oseta përshkruajë Perëndinë, “në një mënyrë simbolike që mbështetet në simulimin e natyrës”. Bazuar në këtë, El-Faruki identifikon karakteristikat e mëposhtme të Artit islam:

Stilizimi: Çdo pikturë e nxjerrë nga natyra paraqitet në një formë të stilizuar. Me fjalë të tjera, në mestemëssë artistit dhe karakteristikave natyrore ka distanca është aq të mëdha saqë mund të thuhet se janë të panjohshme.

Antisimbolizmi: Artistët myslimanë refuzojnë simbolikën si pikënisjen e tyre. El-Faruki beson se ky refuzim i simbolikës është “shënuesi më i fortë i diversitetit” të artit islam. Muslimanët janë krenarë për këtë fakt, pasi e konsiderojnë se nuk ka paganizëm në artin e tyreose idhujtari, dhe që, prandaj, ai art shmanget nga rreziku i ngatërrimit të Krijuesit me të krijuarën.

Si rrjedhojë, tezhibi/prarimi është një nga degët kryesore të artit Islam ku stilizimi dhe antisimbolizmi janë dukshëm të pranishëm. Një art ku e krijuara nuk përzihet me Krijuesin, ku shumëshmëria nëpërmjet lidhjeve me vija ngjitet drejt Njëshmërisë dhe për fund ku epistemologjia dhe estetika ecin bashkë në krijimin e një qytetërimi me vlera.