Category: 2022

  • METIN IZETI: MEVLUDI SI LINDJE E VAZHDUESHME DHE PËRDITËSIM I PERSONIT METAFIZIK TË PEJGAMBERIT A.S.

    METIN IZETI: MEVLUDI SI LINDJE E VAZHDUESHME DHE PËRDITËSIM I PERSONIT METAFIZIK TË PEJGAMBERIT A.S.

    Ardhja fizike, më drejtë, lindja e Pejgamberit a.s., në këtë botë, padyshim, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë hotizontale të gjinisë njerëzore në hapësirën botnore. Tharmi i bekuar i Pejgamberit a.s. u trajtësua në lidhjen bashkëshortore të Abdullahut dhe Amines dhe si rrjedhojë në vitin 571 lindi zotnia e gjithësisë Pejgamberi a.s.. Kjo ngjarje, si rrjedhojë e personalitetit të rëndësishëm të Pejgamberit a.s., është shndërruar në një koncept të rëndësishëm fetar, kulturor dhe qytetërimor në periudhën e mëvonshme, pra, menjëherë pas nderimit të Pejgamberit a.s. me kunorën e dërgesës hyjnore. Ngjarja e lindjes së Pejgamberit a.s. nga ana e ummetit të Pejgamberit a.s. është konsideruar si një ngjarje emocionale dhe ngazëlluese dhe si pasojë rreth saj janë ndërtuar një numër i madh i koncepteve fetare dhe kulturore të muslimanëve më vonë.

    Lindja e Pejgamberit a.s. në këtë botë ka lozur rolin e një koncepti të urtësisë perreniale në historinë e mendimit islam dhe në të gjitha periudhat e saj ka paraqitur një paradigmë të dashurisë thelbësore e cila është veshur me petkun e traditës fetare dhe kulturore. Si rrjedhojë, në historinë e mendimit islam, përveçse në dy tri dekadat e fundit të shekullit të XX, kjo paradigmë është diskutuar nga aspekti i ndërgjegjes dhe vetëdijes fetare (vixhdani) dhe jo nga aspekti literar dhe juridik. Pra, bëhet fjalë për ndjenjën e gostitjes të përbotshme të personit metafizik të zotnisë së gjithsisë dhe jo për përmasën juridike të formës së këtij manifestimi.

    Të gjithë mendimtarët janë të përbashkët në konstatimin se ndjenja e dashurisë dhe ndjekjes me përulësi thelbësore (itaat) të personit të Pejgamberit a.s. është urdhëresë e pamohueshme e Allahut xh.sh. në Kur’anin famëlartë. Dua të them që ta duam dhe ta ndjekim Pejgamberin a.s. është pjesë e besimit islam dhe është farz në drejtësinë islame. Dhe mendoj se thelbi i kësaj çështjeje duhet të jetë i përqëndruar në këtë pikë referimi. Mënyrat e manifestimit të lindjes së Pejgamberit a.s. janë çështje të cilat paksa i përkasin gnozës popullore dhe kohore dhe si të tilla mbeten një kohë të gjatë të pranishme në shoqërinë njerëzore ose jo. Nëse e shikojmë nga ky aspekt, pra nga aspekti i antropologjisë kulturore e vërejmë se manifestimi i lindjes së Pejgamberit a.s., pra Mevludi, me formën siç e manifestojmë edhe ne, ka zënë vend të konsiderueshëm në jetën kulturore dhe fetare të muslimanëve dhe ka shërbyer si paradigmë me të cilën është ndier lindja e vazhdueshme e personit metafizik të Pejgamberit a.s. dhe është bërë një lloj i përditësimit (update) i insan-i kamilit (njeriut të plotë) të përfaqësuar në jetën dhe veprën e Pejgamberit a.s..

    Manifestimi i lindjes së Pejgamberit a.s. në të gjitha periudhat e jetës shoqërore të muslimanëve ka lozur rolin e gjallëruesit dhe përkujtuesit të dashurisë dhe përuljes thelbësore ndaj personit dhe sunetit të Pejgamberit a.s., mendoj se edhe sot e kësaj dite kjo çështje nuk e ka humbur aktualitetin e saj dhe vazhdon të ndriçojë me po të njëjtën energji edhe në periudhën që jemi duke jetuar.

    Dashuria dhe përulësia thelbësore ndaj jetës dhe veprës së Pejgamberit a.s., mendoj, se vazhdon të jetë arketipi kryesor dhe shumë i rëndësishëm i cili ka mundësi të ngadhnjejë mbi konceptin e informacionit të thatë dhe arrogant të fetarisë statike dhe fenomenologjisë fetare të fundshekullit të XX dhe fillimshekullit XXI. Bota në këtë periudhë, si pasojë e ndikimit të mendimit të përgjithshëm filozofik me materializëm të sforcuar që dukshëm ndikoi edhe në ligjërimin fetar, e humbi sensin e ndjenjës dhe emocionimit me Zotin dhe Pejgamberin dhe vendin e tyre e zuri informacioni për fenë dhe teologjia e thatë. Pikërisht për këtë konstatoj se rikthimi i ndjenjës dhe emocionimit fetar ka mundësi të ndodhë vetëm me rikthimin e dashurisë dhe përulësisë thelbësore ndaj personit metafizik të Pejgamberit a.s.. E them këtë duke u bazuar në tre pasqyrime të personit metafizik të Pejgamberit a.s. në thelbin dhe përditshmërinë e botës që nga fillimi e deri në fundin e saj:

    1. Personi i Pejgamberit a.s. si mëshirë e Allahut xh.sh. për ekzistencën

    Njeriu i sotshëm është i mësuar të mendojë se, gjithsesi nën ndikimin e materializmit historik, të gjithë njerëzit janë të barabartë, pra kuanititeti është shndërruar në koncept kualitativ. Gjithsesi se ky koncept që e ka vendin e vet në çështjet juridike dhe sociologjike nuk është absolut sa i përket çështjes së elementeve që kanë të bëjnë me përmasën metafizike. Më konkretisht, Allahu xh.sh. në mesin e njerëzve ka zgjedhur njerëz zë caktuar, pra e kam fjalën për pejgamberët, të cilët e kanë bartur porosinë hyjnore në shoqërinë njerëzore. Kjo zgjedhje e tyre nuk është si rrjedhojë e përpjekjes së tyre shoqërore, por është zgjedhje nga ana e Allahut xh.sh.. Pra , në një mënyrë pejgamberët paraqesin një dallim pozitiv, dhe assesi diskriminim negativ, në mesin e gjinisë njerëzore. Në kuadër të kësaj ndiesie poeti në një dyvargësh të famshëm ka thënë:

    Muhammedun besherun la ke’l-besher (Muhammedi (a.s.) është njeri (biologjik) por jo si njeriu i zakonshëm)

    Bel huve ke’l-jakutu bejne’l-haxher (Ai është si margaritari në mesin e gurëve)

    Kjo çështje aspak nuk është e diskutueshme në mesin e dijetarëve fetarë, për shkak se në shumë ajete kur’anore përmendet zgjedhja e pejgamberëve të caktuar në kuadër të komuniteteve të tyre. Ndërsa, sa i përket personit të Pejgamberit tonë a.s. Allahu xh.sh. në suren Enbija ajeti 107 urdhëron se atë e ka dërguar, ekskluzivisht, pasi në gjuhën e arabe e përdor formën e negacionit përjashtues duke i përjashtuar të gjitha qasjet tjera (Ve ma erselnake), si mëshirë për të gjitha

    botnat. Pra, nuk do shumë mend që të konstatohet se këtu bëhet fjalë për një njeri të mbizakonshëm i cili është zgjedhur nga ana e Allahut xh.sh. dhe se afërsia me mëshirën dhe sensin hyjnor mund të bëhet përmes këtij koncepti, pra përmes Pejgamberit a.s.. Dhe gjithashtu, margjinalizimi i Pejgamberit a.s. në rrugën e afërsisë me Zotin, është njëkohësisht margjinalizim i besimit të mirëfilltë në Zotin. Më konkretisht, Pejgamberi a.s. është shenja kryesore botnore e cila na udhëzon dhe na e tregon rrugën drejt afërsisë me Krijuesin e Gjithfuqishëm. Duke e patur parasysh peshën e këtij fakti viteve të fundit në disa qarqe islamofobe dhe antiislame u bënë përpjekje për relativizim të personit të Pejgamberit a.s.. Pikërisht për këtë kujtoj se rikthimi i përmasës së dashurisë dhe përuljes thelbësore ndaj personit të Pejgamebrit a.s. do t’i shpëtojë muslimanët, por më gjerë, edhe njerëzimin nga literarizmi i thatë fetar dhe nga konceptimi i fesë si anëtarësim në një komunitet.

    2. Ndërtimi i identitetit musliman përmes personit të Pejgamberit a.s..

    Pejgamberi a.s. edhe si njeri biologjik ka shërbyer si koncept përmes të cilit muslimanët e kanë ndërtuar identitetin e tyre. Madje, në disa qarqe, me qëllime të këqija ose jo, muslimanët janë emërtuar edhe si muhammedanë. Pra, personi fizik, madje edhe emri i Pejgamberit a.s. ka shërbyer në tërë këtë periudhë si koncept identitar i muslimanëve. Të gjithë ne jemi dëshmitarë për numër të madh të emrave Muhammed në mesin e muslimanëve në të gjitha periudhat dhe hapësirat botnore. Por ajo që unë dua ta theksoj këtu është personi metafizik i Pejgamberit a.s. i cili ka ndikuar në ndërtimin e identitetit të muslimanëve në përgjithësi.

    Përveç se është jetësim i Kur’anit, personi i Pejgamberit a.s. është edhe burim i ontologjisë, epistemologjisë dhe aksiologjisë së muslimanëve. Gjurmët e jetës së tij hasen në të gjitha veprat lëndore dhe shpirtërore të muslimanëve dhe të tjerëve, pavarësisht dallimeve regjionale, racore, kombëtare, strukturore dhe kulturore. Personi i Pejgamberit a. s. ka pasur një rol të madh në përhapjen e Islamit për një kohë të shkurtër në mbarë botën, në vazhdimësinë e tij në vendet ku është vendosur dhe në konstituimin e një trajte të përbashkët jetësore për muslimanët e zonave dhe kulturave të ndryshme. Personi i Pejgamberit a.s., gjithashtu, është konsideruar edhe mjeti kryesor i përcjelljes së paradigmës së ndërtimit të njeriut të plotë në mendimin dhe praktikën islame.

    Krahas paraqitjes së gjithanshme të Islamit për brezat e mëvonshëm, personi i Pejgamberit a.s. është edhe mjeti parësor i përcjelljes së traditës konstituive muslimane në periudhat e ndryshme historike, dhe si i tillë është bërë një epiqendër studimi edhe tek të tjerët. Shumë mendimtarë dhe hulumtues kanë shkruar vepra në lidhje me personin e Pejgamberit a.s. dhe si pasojë është krijuar një literaturë e pasur në këtë drejtim. Dijetarët muslimanë, nga njëra anë, janë përpjekur që ta

    përcjellin në mënyrë sa më autentike fjalën e Pejgamberit a. s., ndërsa nga ana tjetër, kanë shqyrtuar mundësitë për të jetësuar parimet dhe vlerat e personit të tij. Mund ta themi lirshëm se përpjekjet për kuptimin dhe komentimin e personit të Pejgamberit a.s. përgjatë historisë, janë orvatje për vendosjen e një ure ndërmjet tij dhe jetës reale të njerëzve. Pikërisht për këtë edhe them se personi metafizik i Pejgamberit a.s. është një çështje identitare për muslimanin dhe vetëm një rrotullim përreth këtij koncepti ka mundësi që të ndërtojë identitetin real të muslimanit në periudhën e ardhshme.

    3. Personi i Pejgamberit a.s. si arketip

    Permendja e pejgamberëve të caktuar në Kur’anin famëlartë, në mesin e një numri shumë më të madh që janë dërguar, ka të bëjë me shembulldhënien që Krijuesi i Gjithfuqishëm dëshiron të na e paraqesë prej jetës dhe thirrjes së tyre. Pra, në një mënyrë secili nga pejgamberët mund të konsiderohet si arketip për sjelljen e mulsimanëve në situata të ndryshme. Nuk ka dyshim se kunora e këtyre arketipeve është personi i Pejgamberit a.s.. Ky segment është shprehur edhe në Kur’an, por edhe në praktikën e shoqërisë muslimane që nga gejneratat e para e deri në ditët e sodit.

    Pejgamberi a. s. e ka paraqitur veten si më i afërmi i çdo besimtari, pavarësisht dallimeve hapësinore, kohore, racore dhe kulturore ; dhe e ka theksuar përherë se miqtë e vërtetë të tij janë Allahu dhe besimtarët e sinqertë. Si rrjedhojë e kësaj, Pejgamberi a. s. ka krijuar një afërsi të madhe me besimtarët, afërsi më e madhe se ajo e gjakut; një afërsi që vështirë se mund të merret me mend. Ai (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka krijuar afërsinë e mëshirës, bereqetit dhe besimit. Nga ana tjetër, edhe besimtarët që kanë pranuar miqësinë dhe afërsinë e tij a. s., përulësinë dhe dashurinë e kanë konsideruar si domosdoshmëri e të qenurit besimtar. Allahu xh. sh. na ka lajmëruar se Pejgamberi a. s. është shembulli më i mirë për muslimanët, dhe një kandil ndriçues për rrugën e tyre. Pikërisht për këtë, ka kërkuar edhe prej tyre që t’i dërgojnë salate dhe selame.

    Sahabët, që e patën trajtësuar jetën e tyre me mësimet e Pejgamberit a. s., që në çdo rast kanë shprehur respektin dhe lidhjen me të, kanë kërkuar edhe më shumë se çu përmend më lart. Ata kërkonin një mjet nëpërmjet të cilit do shprehnin pa pushim dashurinë dhe përulësinë për Pejgamberin a. s., mjet i cili do ngjallte tek ata ndjenjën e afërsisë shpirtërore me të Dërguarin e Allahut, si dhe do u mundësonte vendosjen e lidhjes ndjesore me Pejgamberin a. s.. Për këtë arsye, si në shumë punë të tjera, ata ishin këshilluar dhe kishin pyetur vetë Pejgamberin a. s..

    Kështu, Ukbe ibn Amri, i njohur si Ebu Mes’ud El-Ensari, na rrëfen:

    “Një ditë ishim duke ndenjur në praninë e Sa’d ibn Ubades, kur u afrua Pejgamberi a. s.. Beshir ibn Sa’di i tha Pejgamberit a. s. që Allahu xh. sh. na urdhëron të të dërgojmë salavate ty; mirëpo ne

    nuke dimë se si, o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi a. s. heshti pak, saqë thamë me veten: “Ah sikur të mos ia kishte bërë këtë pyetje!” Pas pak, Pejgamberi a. s. tha: “All-llahumme sal-li ala Muhammedin ve ala ali Muhammed, kema sal-lejte ala ali Ibrahime! Ve barik ala Muhammedin kema barekte ala ali Ibrahime! Inneke hamidun mexhid! (O Allahu im, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij ashtu siç ke mëshiruar familjen e Ibrahimit! Begatoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit ashtu siç ke begatuar familjen e Ibrahimit! Pa dyshim që Ti je më meritori për lavde dhe më i lartmadhëruari!) Kurse selamin, tashmë e dini se si bëhet”.”

    Pejgamberi a. s. u ka mësuar shokëve të tij mënyrën se si duhet t’i dërgojnë salavate, por edhe ku dhe kur duhet ta bëjnë këtë. Posaçërisht ka kërkuar që në fund të ibadetit më të rëndësishëm, namazit , pas leximit të lutjes ettehijjatu…, ka kërkuar që t’i dërgohen salavate. Pejgamberi a. s. ka urdhëruar: “Kur të dëgjoni zërin e muezinit, përsërisni edhe ju fjalët e tij. Pastaj më dërgoni salavate mua. Kush më dërgon një herë salavat, Allahu i dërgon dhjetë herë! Pastaj kërkoni afërsinë me mua nga Allahu; sepse afërsia është gradë në xhenet, që i jepet vetëm njërit prej robërve të Allahut. Shpresoj që ai të jem unë! Shefaati im është i domosdoshëm për atë që kërkon me mua afërsi!” Gjithashtu, gjatë hyrjes dhe daljes nga xhamia është lutur si më poshtë: “O Zoti im, m’i fal mëkatet dhe hapi dyert e mëshirës për mua!” Dhe kështu është bërë shembull për umetin e tij. Duke folur për ditën e xhuma, Pejgamberi a. s. ka urdhëruar: “Atë ditë më dërgoni shumë salavate, pasi salavati juaj vjen tek unë!”. Pra, personi metafizik i Pejgamberit a.s. i cili jeton në mesin tonë gjithnjë kur e kujtojmë vazhdon të përditësohet nëpërmjet mënyrave të ndryshme të manifestimit të personalitetit të tij.

    &&&

    Mevludi është një përkujtim dhe kyçje në procesin e përditësimit të personit metafizik të Pejgamberit a.s. dhe gjithnjë ka shërbyer dhe do të vazhdojë të shërbejë si ndjenjë e përjetimit të lindjes së vazhdueshme të Pejgamberit a.s..

    Përkujtimi i lindjes dhe veprës së Pejgamberit a. s., nga njëra anë është edhe falënderim ndaj tij; sepse ai është përpjekur maksimalisht për përudhjen e njerëzve, dhe duke filluar që me sahabët, të gjithë besimtarët kanë arritur lumturinë me zbatimin e mësimeve të tij. Pikërisht për këtë, besimtarët, kur e dërgojnë jetën e Pejgamberit a. s., përjetojnë edhe përkatësinë e tyre në umetin e tij të bekuar. Ata e kanë me pasion dhe ndjejnë kënaqësi, ngaqë janë të lidhur me të dhe për shkak se shprehin afërsinë dhe falënderimin ndaj tij.

    Këndimi i mevludit, gjithsesi duke patur parasysh edhe përmasën letrare dhe estetike melodike të tij, është shpallje e dashurisë për të Dërguarin a. s., si dhe manifestim i lidhjes me të e me Sunetin

    e tij. Shprehjet gjuhësore janë mjete të rëndësishme për mbështetje, sqarim për lidhshmërinë dhe manifestim i dashurisë. Por, lidhja me Pejgamberin a. s., mbështetja e tij, nuk mund të reduktohen vetëm në disa shprehje gjuhësore. Porosia e Pejgamberit a. s. u është drejtuar shpirtave, por njëkohësiht edhe jetës praktike. Ata që kishin jetuar së bashku me të, pasi i kanë zbatuar në jetën e tyre të gjitha porositë e tij a. s., e kanë pyetur atë se si duhet t’i dërgojnë salavate. Për rrjedhojë, reduktimi i mevludit vetëm te disa shprehje gjuhësore, melodike, nuk është i mjaftueshëm për të shprehur domethënien që i ka dhënë vetë Pejgamberi a. s. salavatit. Krahas leximit të Mevludit me gjuhë, nevojitet edhe mbështetja e Zbulesës së komunikuar nga ai, dhe jetësimi i saj në përdithsmërinë duke e shndëruar atë në kulturë dhe qytetërim.

    Te hadithi “Personi më i afërt me mua në Ditën e Kiametit do të jetë ai që më ka dërguar më shumë salavate! , vëmë re lidhjen e fortë midis Pejgamberit a. s. dhe umetit të tij. Nuk ka dyshim se ata që i kanë dërguar më shumë salavate Pejgamberit a. s., dhe që e kanë vendosur siç duhet lidhjen e besimit me të janë ata që e kanë zgjedhur si udhëzues, i janë nënshtruar këtij udhëzimi, kanë mbështetur mësimet e tij përgjatë gjithë jetës dhe janë përpjekur t’ua përcjellin të tjerëve prorosinë pejgamberike. Njërit prej sahabëve, që ka deklaruar se për Ditën e Kiametit ka përgatitur dashurinë për Allahun dhe Pejgamberin, i Dërguari a. s. i ka thënë: “Njeriu është së bashku me atë që do!”

    Allah i dashur na e shto dashurinë ndaj të dashurit Tënd dhe mos na e le fenë të thatë…

  • METIN IZETI: PËRGJËRIM…

    METIN IZETI: PËRGJËRIM…

    Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

    Erdha te dera Jote me pikat e dritës që kullohen nëpër perdet e zemrës sime duke u hapur nga netët në mëngjes, nga errësira në diell!

    E di, rrugët drejt Teje kalojnë nëpër trëndafila…

    Ajo është e stolisur me përgjërime, lutje dhe tahijjat…

    O Ndryshues dhe Edukues i zemrave me mëshirë, ta kam sjellë zemrën time.

    O Ti që përkëdhel zemrat me nurin e qenësisë!

    Mora zemrën timeplot gjak, me plagë të pashërueshme në pëllëmbët e mia dhe

    erdha te dera Jote.

    Sa do të doja të thosha “Selam për ata që e vendosën sexhaden e jetës së tyre në dergjahun e shpirtit”,

    Por, e di që nuk kam as fytyrë, as të drejtë.

    Kam mësuar se lutja është dërgesë e letrës nga ashiku(i dashuri) tek Mashuku (I Dashuruari); një letër e shkruar me lot.

    Dhe, është një pritje, pritje me entuziazëm, frikë, shpresë.

    Këtu, ndërkohë që koha po godet çdo sekondë të jetës sime me çekanin e madh të pashpresisë, unë erdha në derën Tënde në emër të një shprese të çastit të zemrës sime, e cila dridhet me frikën e llogarisë së padhënë para Teje…

    Ah!Akam ardhur vërtet, a ka ndonjë lajm për faljen time?

    Do të doja të vija në derën Tënde, mehirkën e një dervishi, me durimin e Ejubit Tënd  të dashur, dhe i ngarkuar me pamundësinë dhe gjynahun tim!

    Ah! Sikur të mbulohesha me vellot e  Merjemes, sikur ai zë në malin Tur të gjente një jehonë në shpirtin tim, për hir të asaj se jam krijesa Jote.

    Sikur të bëja sexhde para Teje me gjithë shpirtin tim.

    O Zoti im, që përqafon tokën dhe qiellin me mëshirë!

    O Ti që stolis qiellin me fuqinë Tënde!

    O Zoti im!

    Lutja ime është për Ty, vetëm për ty, dashuria ime, Ty të përgjërohem!

    Stërpike me mëshirën Tënde zemrën time që është bërë gur.

    Lejo të fluturojnë në drejtim të zemrave tona të zeza disa xixëllonja për të bërë sado pak dritë?

    Të ndriçojnë sado pak ditët tona të errëta, netët tona…

    Dhe, për hir të ashikëve që thonë “hajde sido që të jesh”, të lutem më fal!

    Të kërkova dhe u ndala në vetminë e zemrave, në shkretëtirat, në rrugët e paarritura dhe në tokën që ka nevojë për një shkrepje të mëshirës Tënde.

    O perde, o damar i qafës!

    Unë gjej strehë në hijen e dhembshurisë sate, o i Lumi Zot!

    Është momenti kur po vdes për t’u djegur si një grimcë asgjëje.

    Kam nevojë për komplimentin Tënd, Ti je Vedud (I Dashur), Zoti im!

    Të lutem dëgjo, bile një herë, përgjërimin e robit Tënd.

    Lutje, lutje, përgjërim dhe hapeshkan dyert drejt Madhnisë Tënde…

    Erdha të përgjërohem në derën Tënde në një ditë të trishtuar vjeshte.

    Frika ime prej Teje nuk është zjarri, është frika që mos të të humb Ty.

    Frika e humbjes së Mikut, më të Shtrenjtit, më të Dashurit, më të Kërkuarit, në shpirtin tim! Shpresa ime është nëkënaqësinë Tënde: Zoti im ti je qëllim i Im (Ilahi ente Maksudi)…

    Zemrat tona janë të dërrmuara, o Zot!

    Fytyra jonë është për toke.

    Nuk kemi fytyrë ta ngremë kokën dhe të shikojmë në pafundësi!

    Ne nuk arritëm të jemi të denjë.

    Derisa po mbyteshim në korridoret e pendesës, nuk patëm fuqi të qajmë, në heshtje të thellë, me vullnetin tonë të dobët, me zemrat tona të muzgut, të mund të nxirrnim një pikë loti nga zemra, në emër të sinqeritetit.

    E di që do ta pranonit këtë si provë të pendesës.

    Jemi të burgosur në egon tonë si rrjedhojë e dobësisë së zemrave tona.

    O Zot!

    Hiqmi prangat e të mallkuarit, hiqmi të lutem, në emër të miqve Tu të dashur…

    Më çliro, o Zot!

    Nga kujdestaria e mendjes, e cila është kthyer në një lodër dyshimesh.

    Le të pimë deri në ngopje  nga aroma e trëndafilit të dashurisë së bekuar dhe na jep mundësinë të ecim në sirat-i mustakim (Rrugën e drejtë), të larë me dritën Tënde nga mëkatet, dhemos lejo të jetojmë si të vdekur që ecin mbi tokë…

    Qytetet dhe shtëpitë na janë bërë varre, o Zot!

    Nga çdo shtëpi era e kufomave ngrihet deri në qiell.

    Shpirtrat janë të vdekur, jo trupat.

    Na jep të ringjallemi me Nurin Tënd…

    Ne kemi ndërtuar idhuj në zemrat tona, të larta janë sa rrokaqiejt.

    I puthim këmbët e perëndive të tokës.

    Deri në gju u zhytëm në kënetën e kësaj bote…

    Më lër të vrapoj tek Ti…

    Duke ua përplasur në fytyrë njerëzve miqësitë e rreme dhe dashuritë hipokrite,

    Ndërsa ne po notojmë në mëshirën e ditëve kur dyert e pendimit u hapën gjerësisht dhe engjëjt u mbyllën për tokë me krahët e tyre, vendose dashurinë dhe edebin në zemrat tona.

    E kemi nxjerrëtë shesim jetën në tregun e botës, për hir të një komplimenti nga Ti.

    Mos na e shih shumë të jemi një gjeth pa ngjyrë dhe pa erë në trëndafilishten Tuaj.

    Na bën Kitmir në derën Tënde të madhe.

    Mëkatet me ngjyrë katrani po derdhen nga duart dhe zemrat tona.

    Në emër të atyre që nuk u kthehet lutja nga qielli, në emër të atyre që me dritën e tyre netët i shndërrojnë në mëngjes, në emër të atyre që qëndisin sinqeritetin në perdet e jetës, përgjërohem dhe kërkojfalje me lutjen time.

    O Zot!.. më fal!.. më fal!..

  • METIN IZETI:Në afërsinë e përjetshme të një Miku: Shejh Omer Tugrull Inançer

    METIN IZETI:Në afërsinë e përjetshme të një Miku: Shejh Omer Tugrull Inançer

    Shkruan: Metin Izeti

    Miku, nëse është i vërtetë, të tërheq për një moment. Në çdo moment kur shoqërohesh me të tërhiqet dhe reflektohet përjetësia. Miku i vërtetë sjell në vetëdijen tonë modelet nga përjetësia që pasqyrohen në atë moment. Nëse nuk është i vërtetë, miku nuk ka pse të humbet, ai është zhdukur vetë. Ndërsa, nëse është i vërtetë nuk mund ta humbni atë. Miku është një kohë e kapur.

    Në garën e përgjithshme të shoqërisë moderne dhe me ritmin shumë të shpejtë që e ka, kur jeni afër një Miku që e grisë perden e fizikës, atëherë kërkoni njohuri dhe përgjigje duke u shoqëruar me të, dhe padyshim që ndiheni vërtet i nderuar. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishmja është se miqtë e mirë dallohen me fuqinë e ndrtijes, ata e kërkojnë të vërtetën dhe e ndjejnë nevojën për zbardhjen e saj. Me fjalë tjera ata, në një mënyrë, janë si ju ose të ngjashëm me ju, nëse edhe ju e kërkoni të vërtetën. Miku i mirë ju jep një shpërblim duke thënë se unë e them atë që ti e ndjenë, dëshmoj për ekzistencën tënde, për shkak se e dashuroj atë që bën. Dhe përveç kësaj, ne të gjithë jemi njerëz që brengosemi prej kotësisë. Njerëzit, dita ditës, më shumë e më shumë I shërbejnë kotësisë. Dhe kur plakeni aq sa të filloni ta ndjeni kotësinë tuaj si një ngarkesë dhe për një moment Miku I mirë ua mundëson ta kontrolloni atë …

    Madje nuk duhet të jetë një provë e urtësisë që e keni kapërcyer kotësinë . Por kur ju e zotëroni atë dhe kur dikush e shpreh atë me fjalë të mira duke u thënë- e pashë atë që po bën, unë e respektoj atë, mendoj se është mirë, ndjeheni mirë. Sepse, në procesin e shprehjes së të vërtetës, të gjithë ne shkruajmë me shpresën se do të gjejmë një bashkëbisedues. Një aspekt tjetër është se Miku i mirë nënkupton diçka praktike.

    Kjo është kështu në kohë krize. Ne jetojmë në një periudhë të shpërbërjes së një imazhi të botës. Ne jetojmë në një periudhë dyshimi në themelet e fotografisë së botës. Pra, në një botë që një skandal I bën të famshëm njerëzit më shumë se të gjitha shpërblimet që I ka. Por, skandali shumicën prej nesh e frikëson, është paksa I neveritshëm, prandaj edhe e preferojmë bashkëbisedimin e qetë me Mikun…

    Unë mendoj se drama themelore e ekzistencës sonë, e thënë me kusht, është kryqëzimi midis përjetësisë dhe kohës. Platoni thotë se koha është një imazh lëvizës i përjetësisë në të cilin gjenden të gjitha idetë, format dhe të gjitha përmbajtjet thelbësore. Ne njerëzit jemi, nëse mund të shprehem në mënyrë figurative, me një këmbë në përjetësi, ndërsa me tjetrën këmbë në kohë. Ne jemi me njërën anë të qenies sonë në këtë moment dhe vetëm në këtë moment. Sigurisht, jeta jonë ndjek gjithmonë modele të caktuara arketipike të cilat janë gjithmonë të barabarta. Por, ato jetë ndodhin në këtë moment dhe vetëm në këtë moment. I tillë ishte dhe është Miku dhe Udhërrëfyesi im i dashur, Shejh Omer Tugrull Inançer.

    Një shkrimtar avangard, i dashuruar me dimensionin teknik të qëndrimit të njerëzve në botë, ju thotë se ai nuk mund të shkruajë sot siç shkruante shkrimtari 300 vjet më parë. Sepse atëherë ata udhëtonin nga Bagdadi në Stamboll për tre ditë. Kjo është e vërtetë dhe duhet të merret në konsideratë. Por edhe tre mijë vjet më parë, një grua mbante një fëmijë nëntë muaj, ashtu si edhe sot. Unë mendoj se ky aspekt është pak më i rëndësishëm për vendzënien tonë, si njerëz, në botë. Sepse përfundimisht, në Bagdad ka pasur mundësi mos të jesh, por ama nëntë muaj duhej të kalonin në barkun e nënës, ose së paku shtatë muaj. Të tillë janë edhe miqtë e Zotit që gjithnjë e ruajnë aktualitetin e tyre në kohë dhe hapësirë, ata gjithsesi duhet të jenë në çdo kohë. I tillë ishte dhe është Miku im i dashur Tugrull Efendiu…

    Ai kryqëzim I dramave, midis formave arketipike të modeleve të pandryshueshme që janë gjithmonë i njëjti lloj na lindin neve në këtë botë. Nuk na pyesin fare se a kemi dëshirë ose jo. Ata na lëshojnë në një vend në botë, një kulturë, një peizazh … dhe ne rritemi, mësojmë gjuhën, të ecim… Pastaj dashurohemi dhe vuajmë për shkak të saj. Para se të dashuroheshim e kemi zbuluar trupin tonë dhe kemi vujatur për shkak të tij. Dhe ndërsa jemi gjallë gjithçka që na ndodh, na ndodh vetëm një herë. Çdo gjë. Biseda, nëse nesër e zhvillojmë në të njëjtat tema do të jetë diçka krejtësisht e ndryshme…

    Ndoshta unë jam duke folur për ëndrra dhe bëj imagjinatë. Si duket njeriu është larguar nga çdo gjë tradicionale. Ne tashmë e kemi ndryshuar edhe mënyrën e të folurit dhe si rrjedhojë edhe të menduarit dhe ndjenjat. E kemi humbur konceptin e miqësisë për Zotin dhe ndjenjën për miqtë e Zotit (evliatë). Ndoshta jam tepër larg diskursit modern, të kthehem pak, ne kemi hequr dorë nga përshëndetjet tradicionale dhe kemi zgjedhur një përshëndetje pseudo, e cila është në të vërtetë një pyetje: Ç’kemi?!!. Kjo tregon shumë mirë situatën tonë. Do përshëndetje tradicionale na përcaktojnë në mënyrë kulturore dhe fetare. Ata e tregojnë përkatësinë tonë. Ne jetojmë në një shoqëri që është shembur plotësisht. Dhe të gjitha demonstrimet e ndonjë prej formave tradicionale i drejtohen personalitetit të zhveshur të njeriut. Në këtë kulturë që na ka ndezur të gjithëve, në fakt, kemi vetëm një vlerë që sistemi kulturor na imponon, dhe ai është konteksti financiar. Mendoj se pajtohemi të gjithë se vërtetë nuk është vlerë.

    Në një shoqëri konsumerike, vlera e vetme është ajo financiare. Do të thotë që unë mund të blejë. Ne jetojmë në një ambient të lirisë dhe demokracisë e cila na siguron që gjithçka është në shitje. Paqja, dashuria, shëndeti, lumturia. Kemi specialistë për gjithçka dhe nëse ne i lejojmë ato, ata do të na mundësojnë një martesë të lumtur, lumturi personale, dashuri të mirë, shëndet për një mijë

    vjet … Sigurisht, gjithçka është një gënjeshtër e pastër. Kjo ndodhë kur qenies njerëzore të shkatërruar i ofrohet aritmetikë në këmbim të realitetit. Kjo është arsyeja pse them se nuk ka më vlera. Shpesh i bisedonim me muhabet këto tema me Mikun tim të dashur…

    Ne harrojmë se njeriu është qenie e kohës dhe gjuhës. Sepse nëse nëna ime më mbante në bark me të vërtetë për nëntë muaj dhe më jepte gji për një vit dhe më rriste për 15 vjet, vetëm për të fituar para, atëherë, valla, s’kishte nevojë të mundohet! Ne mund të rrisim dhe ushtrojmë një qen për të bërë gjithçka që bëjmë ne sot; të shkoj në votime, të paguaj taksat… Ajo që një qen nuk mund ta bëjë është të kujtojë kohën e 15 viteve më parë dhe të imagjinojë kohën e 16.000 viteve më parë dhe të parafytyrojë kohën pas 16 viteve. Kur flasim për vlera, atëherë ajo duhet të jetë diçka që ka lozur një rol thelbësor në jetën e njerëzve 1.200 ose 180 vjet më parë dhe sot ose edhe pas 50 viteve. Këto janë vlera. Çdo gjë që lumi i kohës e tregoi duke e pasqyruar përjetësinë, sot në emër të ndryshimit është fshirë. Në emër të një vlere financiare që nuk është vlerë, por që është trillim i pastër, sepse vlera financiare shprehet me një numër dhe numri është fikcion. Për fat të keq kjo është duke na ndodhur me fenë, artin, kulturën, shkencën, e kishte traditë shpesh të thotë Miku im i dashur Tugrull Efendiu.

    Tugrull Efendiu ishte mik shumë besnik. Me kë mund të jesh mik? Me dikë me të cilin mund të heshtësh. Shpesh e vërej se me këdo që ulem është ose i heshtur (dhe në të njëjtën kohë ndjehet me qeder) ose më fut në gjumë me monolog. Kjo na bën të vërejmë se me vite nuk kemi dëgjuar pyetje. Jemi të rrethuar nga njerëz që tashmë i dinë përgjigjet. Të gjitha përgjigjet. Dhe ata i kanë vetëm përgjigjet. Kudo që të drejtoheni, kolumnistët ju ofrojnë përgjigje për të gjitha pyetjet e paqarta.Të gjithë dinë gjithçka. Askush nuk beson në asgjë. Pra, me dhimbje e them se na mungon bashkëbisedues I vërtetë. Aty na vjen në ndihmë Miku I mirë… dhe unë e kisha…

    Mendimtari i madh gjerman Wilhelm von Humbolt thotë se ne njerëzit jo vetëm që e kuptojmë botën, por edhe e ndiejmë atë sipas asaj që gjuha jonë na e përfaqëson atë. Kjo është e vërteta e gjallë. Ne mësojmë, madje ndiejmë përmes gjuhës. Ne si qenie shpirtërore – qenie të logosit, nuk jetojmë në botën e gjërave. Ne jemi të strehuar në gjuhë. Është e qartë se ne, që jemi rritur në kultura që rrjedhin nga fetë monoteiste, e kuptojmë, e ndiejmë, emocionohemi me fuqinë e jashtëzakonshme të gjuhës, për shkak të zbulesës hyjnore, sepse në këto religjione Zoti flet me botën. Ai thotë – bëhu dhe gjithçka bëhet. Bota lind nga fjala. Sidoqoftë, edhe për grekët, që ishin politeistë, njeriu është mbi të gjitha një qenie që flet – zoon, eglon, ehon. Një qenie e gjallë që flet. Një qenie që ka logos. Thjesht, e gjithë fryma njerëzore përmbahet në gjuhë, dinte të këshillojë shpeshherë Miku im i dashur.

    Ne kemi harruar këtë sot, nuk jemi të vetëdijshëm për atë sepse jetojmë në një epokë të diktaturës së fotografisë. Përvoja jonë e botës, sjellja jonë në botë, komunikimi ndërnjerëzor është reduktuar në fotografi dhe informacion. Kjo është arsyeja pse ne harrojmë se sa është fuqia e vërtetë e gjuhës dhe sa ne, si qenie shpirtërore, jemi të zhytur në gjuhë. Nuk është rastësi fjala “ Një fotografi flet sa një mijë fjalë” që mendoj se është ndër gënjeshtrat më të kota që kam dëgjuar ndonjëherë në jetën time. Është një marrëzi e tmerrshme që mund të shfaqet vetëm në pseudokulturë. Fotografia nuk flet, por tregon, përcakton, ndërsa fjala bashkëvepron. Fotografia është autokratë , ndërsa fjala demokrate…

    Nëse doni t’i jepni ndonjë kuptim një imazhi, duhet ta përktheni atë në gjuhë. Imazhi përfaqëson, gjuha flet, sepse narracioni është një fenomen kohor. Narracioni zhvillohet në kohë dhe gjuha formon kohën. Kur flisni, ju formësoni kohën që rrjedh kur flisni. Në këtë kulturë, të zvogëluar në teknikë të thjeshtë, disa qarqe përpiqen të na imponojnë një bindje se gjuha është para së gjithash informacion. Kjo, natyrisht, nuk është e vërtetë. As njohja, as fjala dhe as gjuha nuk mund të reduktohet në një informacion. Ose thuhet – gjuha është një mjet komunikimi. Po, ndër të tjera është edhe mjet komunikimi. Por, përveç të qenit mjet komunikimi, gjuha është gjithashtu një mjet shprehjeje. Dhe një mjet për të mbajtur kontakte me një tjetër, qëllimi i të cilit nuk është komunikimi. Nëpërmjet gjuhës ne e argumentojmë ekzistencën tonë, pra se ne jemi. Për fat të keq, sot nuk jemi as në dijeni se ekzistojmë. Kjo është arsyeja pse bëjmë kaq shumë fotografi. Kjo është arsyeja pse, në mënyrë të çmendur, ne i konfirmojmë njëri-tjetrit se ekzistojmë përmes Facebook-ve të ndryshme. Kjo është arsyeja pse, në mënyrë maniake, të sëmurë, ne i shpallim të gjitha detajet rreth vetes, në mënyrë që dikush të na tregojë se ne jemi. Sidoqoftë, gjuha dëshmon për ekzistencën tonë. Në trajtën më të saktë, më të besueshme, më të mirë. Ne flasim për t’i dëshmuar njëri-tjetrit veten dhe tjetrin përballë dhe në ne. Ose heshtim dhe me atë heshtje themi më shumë sesa mund të themi me fjalë. Dhe këto janë mrekullitë e gjuhës, thoshte Miku im i dashur.

    Fjala është mjeti më i vjetër dhe më i hershëm i operacioneve magjike. Fjala është mjeti me të cilin fillojmë të komunikojmë me Zotin. Fjala është mjeti që na sjell në vetëdije ekzistencën tonë. Fjala është në të vërtetë një akt para veprimit. Georg Büchner’i e ka një ide mahnitëse. Heroi i tij Robespierre thotë: “Ideja është ajo që vret. Gijotina ose shpata është vetëm një mjet. ”Por ideja, mendimi, fjala, e ngre dorën. Para veprimit, ata (ideja, mendimi, fjala) e zgjojnë një dëshirë ose vetëdije se akti duhej bërë ose se dëshirohet të bëhet. Nuk duhet ta harrojmë atë. Çdo gjë që ndodh së pari ndodh në gjuhë. Vetëm pas kësaj në realitet. Fjala i lidh njerëzit, fjala është një akt. Njeriu i fjalës është një qenie morale. Fjala është instrumenti më i rëndësishëm, më i fuqishëm i jetës sonë. Në momentin që humbet ndjenja se fjala është e detyrueshme, kemi pushuar të jemi një qenie shpirtërore. Në atë moment, e humbim ndjenjën etike. Të gjithë mendimtarët e vjetër kanë thënë,

    ata e dinin se, gjuha është vatër e ekzistencës – fole e qenies. Nëse nuk jemi të detyruar nga fjala, nuk jemi më të detyruar për asgjë. Sepse kështu vazhdojmë të fundosemi në marrëzi, nihilizëm dhe hiç.

    Miku im i dashur ishte njeri i fjalës dhe që bënte fjalë, fjalën e thurte me emocion, me art me kulturë. Fjala e tij kishte peshë, zëri bariton që të kënaqte shpirtin, loti i këndshëm që të pastronte zemrën. Por tashmë, veshi im lëndor nuk ka mundësi të dëgjojë këtë zë dhe këtë fjalë, ama fjalët dhe zëri i bukur i Mikut tim do të vazhdojnë të përsëriten në veshët e mi deri në frymën e fundit. Evliatë thonë se shpata kur del prej këllëfi bëhet më e mprehtë…

    I dashur Allah, Mikun tim bashkoje me miqtë e Tu, jam dëshmitar që i donte shumë ata dhe digjej për takimin me Xhemalin(bukurinë) e Hakut (Të Vërtetës)….