Category: Ekspozita

  • PALLUA – SIMBOL  I DASHURISË DHE PERRENIALES – VESA PALLOSHI BUKLLA

    PALLUA – SIMBOL I DASHURISË DHE PERRENIALES – VESA PALLOSHI BUKLLA

    PALLUA – SIMBOL  I DASHURISË DHE PERRENIALES

    Zogjt në pjesën më të madhe të kulturave botërore e paraqesin dashurinë  e pastër hyjnore dhe relacionin midis qiellit dhe tokës. Në besimet e popujve të lashtë ata kanë qenë simbole të pavdekshmërisë. Pallua , në veçanti, në artin e hershëm mesjetar ka paraqitur dëshirën e pashuar të njeriut për amshueshmërinë. Është burim, rilindje, përhershmëri dhe dashuri. Paraqet segment të rëndësishëm të relacioneve kozmike dhe karierës së suksesshme. Ka qëndrim me krenari dhe mburrje fisnike, posaçërisht, me pendët shumëngjyrëshe dhe xhufkën në kokë. Pendët e tij e simbolizojnë kupën qiellore të stolisur me yje, hënë dhe trupa të tjerë në lëvizje.Pallua është i njohur si zog me qindra sy dhe që ka dëshirë të jetë prezent me  ngrohtësi në çdo mjedis të mirë.

    Në kulturat e vjetra është besuar se vallëzon para se qielli ta lëshojë mëshirën nëpërmjet të shiut. Simbolika e dashurisë, mirëqenies dhe koherencës së shpirtit me trupin, ka ndikuar që pendët t’i shfrytëzohen në pastrimin e mjedisit për rituale në kulturat e ndryshme të lindjes. Është edhe simbol i besnikërisë deri në vdekje.

    Vetëm artisti ka mundësi që tërë këtë kolorit dhe kosmopolitizëm të ideve dhe mendimeve ta komponojë brenda një hapësire unike, prandaj  edhe Hegeli, artin do ta konsiderojë si dukuri  e shpirtit.  Piktoreja e re dhe me perspektivë, Vesa, nga aspekti i platformës ideore estetike ka zgjedhur subjekt shumë adekuat për ekspozitën e saj të parë, e ka zgjedhur palluan,  e vetëdishme ezoterikisht për pastërtinë, permanencën dhe karierën e suksesshme, që e simbolizon.

    Pallua, në pikturat e Vesës, nuk është i bartur me karakteristikat anatomike, por me cilësitë metafizike, dhe si pasojë e përjetimit të brendshëm të saj.

    Pallua në disa piktura është i bartur me qëndrimin mburrës, që në një mënyrë e shpreh insistimin e autores për vendzënie krenare në mjedisin që e rrethon . Në disa të tjera është prezentuar me koloritin e bishtit dhe pendëve si  metaforë e mikrokozmosit që artisti e përjeton në shpirtin e vet të frymëzuar nga pafundësia.  Dikund në qendër të vëmendjes e ka syrin dhe sikur dëshiron të afrohet sy në sy me shoqërinë.

    Vesa duket e impresioniuar prej personit fiziko-kuptimor të palloit, mirë po pikturat e saja kanë karakter ekspresionist të prezentimit të brengës për përfaqësimin e përhershmërisë së të mirës dhe të bukurës.  Ekspresionizmi i piktores së re është shprehur nëpërmjet të krenarisë së gjeneratës së re për ta bërë të duhurën, por njëkohësisht edhe brengës për pamundësitë reale të veprimit shoqëror. Tëhuajësimi është gjithashtu një problem që nga syri i palloit  që sheh nga lartë, duket nënçmuese dhe inferiore.

    Organikja e tërë është e formuar nga një `domosdoshmëri e brendshme`  e cila lind nga `dinamika e brendshme e atmosferës së situatës` .  `Imazhi` kësisoj, është i skalitur në ritmin e domosdoshmërisë, dhe jo në atë të `imagjinatës`. Kjo mund paksa të duket e habitshme për ne kur dihet fakti se në të kaluarën e kanë patur bindjen se imazhi do të duhej të jetë në mendjen e artistit. Imazhi gjithmonë para-ekziston në formën preliminare (primordiale) – ose ajo vjen nga shpirti –  dhe që është njëherazi e prodhuar nga akti spiritualo-artistik.

    Vesa në punimet e saja është përqëndruar në ngjyrën e kaltër që është në përpjesshmëri të drejtë kuptimore me format e përdorura në pëlhurë. E kaltërta është ngjyrë e seriozitetit, ajo e simbolizon besnikërinë, urtinë, inteligjencën, të vërtetën,  qetësinë. Herë pas here në pikturat në plan të parë del edhe e kuqërremta, që e bashkon energjinë e të kuqes dhe fatin e të verdhës. Është në raport të ngushtë me gëzimin dhe diellin. E kuqërremta e errët, siç është në disa nga pikturat e Vesës, është shfaqje e brengës, për shkak të pabesisë, që në këtë rast e shpreh përmasën ekspresioniste në pikturat e autores së re.

    Teknika e pikturave është e kombinuar, akril me vaj dhe në disa punime haset edhe kollazhi në sipërfaqe të pëlhurës me qëllim  që të mbështetet platforma ideore. Vija e lakuar e përdorur për ta rrokur natyrshmërinë e formave, e tërhjek soditësin të depërtojë në ezoterikën e trajtës dhe të ballfaqohet me fotografitë e imagjinatës së vete, me një fjalë të inspektojë brendinë individuale.

    Vëllimi, masa dhe harmonia mes vijës, ngjyrës dhe formës është e përdorur në korelacion me intimitetin e piktores së re, që në raste të këtilla, edhe nuk ka mundësi të identifikohet në përpikëri.

    Pikturat  e guximshme të Vesës paraqesin një hap të parë në hapërimin e saj me besnikëri, krenari dhe këmbëngulje drejt sukseseve të reja…

    METIN IZETI

  • PASQYRA E NGJYROSUR E HAPËSIRËS EZOTERIKE… – ZARIJE AMDIU

    PASQYRA E NGJYROSUR E HAPËSIRËS EZOTERIKE… – ZARIJE AMDIU

    PASQYRA E NGJYROSUR E HAPËSIRËS EZOTERIKE…

    Realiteti objektiv është I lëvizur, është i prezentuar në trajtën e saj më metaforike dhe simbolike. Dëshira është që e dukshmja sa më mirë dhe më plotë të shprehë hapësirën e brendshme të autorit. Qëllimi parësor I artit, do të pohojnë me arsye e shpirt ekspresionistët , është të nxjerë në pah gjendjen e brendshme, gjegjësisht ezoterikën e autorit, të pasqyrojë vetëm ato ndjenja që gjinden në longitudën e shpirtit të tij, dhe të formësojë në njëfarë mënyre botën e tij të brendshme. Pikërisht për këtë edhe në veprat e këtij lloji akcidenca(forma, vija, ngjyra) nuk janë të ngurta, nuk e shprehin gjitheherë realitetin  e njëjte, simbolika e ngjyrave nuk është e shabllonizuar, por mvaret në tërësi nga stadiumi shpirtëror dhe auditori emocional I artistit. Ajo që ngel konstante dhe e pandryshueshme, madje mund të thuhet edhe egoiste është ezoterneja, e brendshmja, e patrajta. Artisti gjatë punës e bart brengën e formësimit të brendisë, por nuk është I kënaqur asnjëherë me atë që sheh, prandaj edhe vendos që mos të bëjë një tërësi, por disa pjesë që do të duken se janë harmonike mes vetes, të mos përdorë vetëm pëlhurën por edhe drurin, të mos përdorë vetëm ngjyrat por të bëjë edhe kollazhe.

    Një brengë të pamundësisë së emocinimit, entuziazmit dhe kryengritjes së brendshme e shohim në punimet e piktores së re por me shpirt perennial, Zarije Amdiu. Ajo nuk I ka përjetuar fatkeqësitë e përmasës fizike, por e ndjen në thellësitë e brendisë së saj fatkeqësinë e humbjes së qetësisë së brendshme.  

    Dinamika e idesë dhe ndiesisë së brendshme në punimet e Zarijes nuk mund të përfytyrohet as si një proces I izoluar imanent, as në cilësinë e sferës pasive të ndikimit të jashtëm. Në veprat multilëndore të saj, që të dyja këto tendenca realizohen në një drejtim të ndërsjellë, prej të cilit nuk mund të jenë të abstraguara pa deformimin e vetë thelbit të tyre.

    Pikëprerja e trajtave të saja me emocionet e brendshme realizohet përmes (pa) formave të ndryshme. Kështu trajta  e jashtme me qëllim që të ndërhyjë në botën tonë, thotë në pikturat  e saja Zarija, duhet të pushojë të jetë “e jashtme”.Ajo I nënshtrohet riemërimit në gjuhën e kulturës së brendshme.

    Arti I saj, në vijën e bashkëkohësisë, është përqëndruar edhe, siç do të kiste thënë Umberto Eko, në pjellorinë e lëndës. Pikturat  e saja tregojnë se ajo ngaherë hynë në bashkëbisedim me një lëndë të caktuar, herë me drurin e herë me pëlhurën, e gjen aty burimin e frymëzimit. Por vetë lënda është  e patrajtshme dhe bukuria shfaqet atëherë kur mbi te lihen gjurmë dhe ide. Ajo përpiqet që ta përjetojë artistiken me gjetjen dhe shprehjen, gjë që përjetohet në brendësi të shpirtit, por edhe ta pasqyrojë atë në gjithësinë e gjërave që mund të preken, të nuhaten, të bëjnë zhurmë kur bien, të ndryshojnë… Lënda tek ajo formësohet me një mënyrë të papërsësritshme formësimi, shihet që format dhe ngjyrat shumë pak përsëriten dhe janë të shabllonizuara, secila në vete e përbën vetë momentin në anën shpirtërore të artistit, e cila tash më është kthyer në stil.

    Veprat e saja, janë një “kryengritje e qetë” (ndoshta nën ndikimin  e ekspresionistëve gjermanë), por te Zarija e bartur në forma plastike me interpretim të lirë, që ndoshta e cenon tërësinë harmonike, masën dhe simetrinë e veprës së saj në përgjithësi. Ngjyrat e saja I tejkalojnë kufijtë ekspresioniste dhe depërtojnë ujra stilistike të ndryshme dhe e mundësojnë mendimin e eklektikës së rrymave të shekullit të XX. Pikturat e saja njëkohësisht janë edhe një avangardë drejtë lirisë së shprehjes që është e bazuar në vetënjohjen personale dhe interpretimin individual figurativ. Këtë realitet ajo e shpreh nëpërmjet të ngjyrave dhe gestikulacionit . Ngjyrat për te janë lirim I emocioneve dhe pasionit dhe nëpërmjet të pikturës së rilindur dëshiron ta prezentojë qëndrimin personal të saj. Të krijojë një botë të re përplot me optimizëm.

    Ngjyrat e saj nuk janë të hudhura me dëshirë që të pajtohen me realet në dukshmëri dhe shtresat e tyre janë më të trasha se në zakonshmëri. Pikturat  e saja kanë kontraste të duskshme të masave të dritës, format janë të zgjatura, por të gjitha janë të zbukuruara me angazhim tematik dhe poetik, ose ndjehet dëshira për ta rrokur tërësinë e kompozicionit poetik të shprehur me ngjyrat, pjesët, simetrinë…

    Duke I dëshiruar vazhdimsi në punën  e saj mund të konstatoj se piktoreja  e re Zarije Amdiu, në punimet e saja ka arritur të sendërtojë autonominë dhe paradigmën personale metafizike të pikturës, qenies reale të artit. Punimet e saja janë të prezentuara në spektrin ontologjik. Ata  duke e përshkruar dhe shprehur presionin dhe shqetësimin e shpirtit të vet personal kanë arritur të krijojnë një autonomi estetike të botës së krijimtarisë artistike të autorit, ndoshta edhe më gjerë.

    Metin Izeti