Category: Shenja

  • METIN IZETI: KTHIMI NË ORIGJINË

    METIN IZETI: KTHIMI NË ORIGJINË

    Zhvillimi shpirtëror është rruga e kthimit në origjinë dhe i konceptit të jetës si njeri. Kjo i dallon njerëzit nga kafshët dhe është qëllimi i vetëm për të cilën ne të gjithë kemi ardhur këtu në Tokë. Kuptimi i jetës është ta pastrojmë pasqyrën e shpirtit tonë nga papastërtitë me fitoret morale mbi të metat, tiparet dhe zakonet e këqija, ta forcojmë shpirtin dhe t’i kthehemi të pastër Krijuesit Primordial.

    Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

    Mendoj se herët a vonë çdo person përballet me pyetjen: “Kush jam unë dhe pse jam këtu?” Nuk ka rëndësi nëse e kemi pyetur veten për këtë në shkollë, gjatë një krize të moshës së mesme, në moshën 40 apo 65 vjeç – nuk është kurrë vonë për të kërkuar përgjigjen dhe nuk është kurrë shumë herët! Kthimi në origjinë dhe zhvillimi shpirtëror i jep kuptim jetës. Ne të gjithë erdhëm në këtë botë për ta njohur veten dhe, përmes vetes, për ta gjetur Krijuesin, edhe pse shumicën e kohës duam ta ndryshojmë botën! Por, në fakt, gjithçka që mund të ndryshojmë realisht dhe ia vlen të ndryshojmë, është vetvetja. Njohja e origjinës dhe shpirtit është një proces i shumanshëm dhe shumështresor. Në çdo fazë të njohjes njeriu ndryshon, por ndryshon edhe kuptimi se pse e bëjmë këtë dhe kush mendojmë se jemi. Por, gjëja kryesore është se ky kuptim do të jetë dhe është i pashtershëm, do të jetë i mjaftueshëm për gjithë jetën tonë. Nëse nuk e kemi gjetur thirrjen e vërtetë në shoqëri ose ndoshta nuk është e mjaftueshme për ne apo mendojmë se gjithçka në këtë botë është kalimtare dhe shpirti jonë tërhiqet nga diçka më themelore, atëherë jemi në rrugën e drejtë, pasi shpirti është themeli që e lidh njeriun për të gjitha krijesat. Gjëja më mbresëlënëse dhe më globale është udhëtimi njohës në drejtim të brendësisë sonë dhe studimi i universit në laboratorin e shpirtit tonë.

    Zhvillimi shpirtëror është një proces i të kuptuarit të natyrës tonë primordiale, duke njohur Krijuesin Primordial. Kjo nuk i ngjan aspak vetekzaminimit, që nxitet në degë të ndryshme të psikologjisë. Ky realizim ndodh në ibadet, i cili, natyrisht, i ka rregullat e veta. Jo të gjithë ne mendojmë se kjo është rruga e vetme e pastrimit dhe iluminimit të njeriut, ndërtimit të familjes së pastër dhe shoqërisë së lumtur, por ama rrugët e tjera janë të provuara dhe qartë e kanë treguar fotografinë e dështimit të tyre. Prandaj ia vlen të provohet. Ibadeti, pas një kohe, i sendërton ndryshimet në shpirtin dhe jetën e praktikuesit. Është si një rrëshqitje dheu: gjithnjë e më shumë shtresa prej jush po hapen, duke zbuluar gradualisht origjinën dhe afërsinë me Krijuesin. Ky proces shoqërohet me ndezje të vetëdijes që e ndryshon gradualisht njeriun dhe jetën e tij.

    Këto iluminime në procesin e ibadetit na lejojnë ta kuptojmë më mirë botën përreth nesh, të ndjejmë ndërlidhjen midis të brendshmes dhe të jashtmes. Dhe, ato gjëra që deri atëherë na dukeshin si të pazakonshme, gradualisht kthehen në të zakonshme. Nga njëra anë, bota bëhet më e thjeshtë dhe, nga ana tjetër, më e pashpjegueshme, por e përjetueshme, sepse një pjesë e konsiderueshme e të kuptuarit të fituar është shumë e vështirë të shprehet me fjalë.

    Nëse kujdesemi për shpirtin tonë, gradualisht bëhemi më të vetëdijshëm për jetën dhe lëndoren në të. Kjo ndihmon në monitorimin e emocioneve negative, shpërbërjen e atyre mendimeve që çojnë në to dhe ndryshimin e stereotipave, modeleve të sjelljes dhe errësimin e ndërgjegjes së zemrës. Duke i transformuar mendimet nëpërmjet ibadetit, ne i ndryshojmë emocionet dhe veprimet në pozitive, gjë që e rrit kënaqësinë nga jeta.

    Paqja e brendshme na çon drejt lumturisë! Ne mund ta ndryshojmë jetën tonë në çdo moment, por shpejtësia dhe thellësia e kthimit varet nga ajo se sa i mbajmë qëndrimet dhe besimet e rreme të gjalla. Sa më pak negativitet dhe dyfytyrësi të brendshme në jetë, aq më të kënaqur do të jemi me jetën.

    Kthimi në origjinë dhe përsosja e shpirtit nuk do të thotë që një person të pushojë së dëshiruari dhe të jetojë i izoluar. Përkundrazi, ai vazhdon të funksionojë në shoqëri dhe të kërkojë përmirësime në jetën e tij, por këtë e bën në një mënyrë më të sofistikuar. Lista e dëshirave nuk përzihet me ato të nevojave – dëshirat ngelin dëshira, ndërsa nevojat nevoja. Si rrjedhojë, dëshirat e kota gradualisht zvogëlohen, mbeten vetëm ato që janë vërtet të pandashme nga natyra e brendshme dhe preferencat personale. Kështu, një person, ndërsa zhvillohet dhe pastrohet shpirtërisht, në të vërtetë e realizon veten më plotësisht në jetë, duke u fokusuar vetëm në atë që është më e rëndësishme dhe duke mos u shpërqendruar nga gjërat e futura dhe të rreme.

    Kohëve të fundit shkruhen shumë libra se si të jesh i lumtur. Mënyra më e shkurtër, për mendimin tim, është të pastrojmë veten duke i shërbyer Krijuesit dhe t’i kthehemi origjinës sonë. Ibadeti e përmban në vete pastrimin e trupit, të mendjes dhe zemrës. Pastrimi i trupit sjell shëndet dhe forcë, ndërsa pastrimi i mendjes nga papastërtitë dhe çlirimi i zemrës nga papastërtitë jep gëzim. Lumturia është një gjendje e natyrshme e shpirtit! Për të qenë i lumtur vetëm duhet të heqim dorë nga gjithçka e panevojshme dhe ta ndjekim natyrën tonë të pastër, e cila është e përfaqësuar me kërkesat dhe nevojat në Kur’an dhe Traditën Konstituive (Sunet) të Pejgamberit a.s.. Jo vetëm myslimanët, por edhe të tjerët, ia vlen të provojnë ta gjejnë origjinën dhe veten e pastër të tyre në pasqyrën e Kur’anit dhe Sunetit.

    Nëse dëshirojmë të jetojmë mirë dhe të rehatshëm, atëherë ta shtojmë praktikën e ibadetit, si atyre të obligueshme fetarisht (farzet), por edhe ato shtesë (nafile). Për pasojë, jeta jonë do të mbushet me dritë, pavarësisht në çfarë situate jemi. Zhvillimi shpirtëror na e jep lirinë për ta jetuar jetën tonë në mënyrën e duhur. Lumturia më e madhe është të jesh ai që realisht je.

    Ibadeti na e shton kuriozitetin për ta shijuar procesin e të kuptuarit të vetes. Kufijtë e vërtetë të shpirtit mund të zgjerohen deri në pafundësi dhe ne mund të udhëtojmë me kënaqësi në këto rrugë të rregullta. Me këtë e shohim vetë lumturinë që është e përfaqësuar në shkrimet për jetën e miqve të Zotit. Ky udhëtim duket se shkon në drejtim të së panjohurës, mirëpo, nuk është ashtu. Udhëtimi është prej të njohurës së përgjithshme në njohjen e hollësishme. Detajet e realitetit e kënaqin njeriun dhe ia zbukurojnë jetën atij, ngjashëm si një fëmijë që e shikon botën pas lindjes dhe e rizbulon atë!

    Zhvillimi shpirtëror shoqërohet gjithmonë me rritje personale, sepse një person mëson ta shikojë botën me një zemër të hapur, pa prizmin e shtrembëruar të Egos. Procesi i rritjes shpirtërore e çliron urtësinë primordiale (njohuri pa fjalë), e rrit intuitën dhe na bën më fleksibil, pra e çliron kreativitetin tonë.

    Udhëtimi shpirtëror, përmes ibadetit, na mëson ta shohim shkakun dhe efektin e veprimeve tona në rutinën e përditshme, gjë që na lejon t’i korrigjojmë shpejt gabimet dhe të zotërojmë aftësi të ndryshme sociale në mënyrë më efikase. Gjithashtu, na mëson t’i shohim arsyet e sjelljes së njerëzve të tjerë, t’i kuptojmë më mirë dhe të përfitojmë nga ato mundësi që na disponojnë vetëm në bashkëpunim me të tjerët. Suksesi është gjithmonë i lidhur me njerëzit e tjerë; është e pamundur të bëhemi të suksesshëm pa ndërvepruar me shoqërinë. Prandaj, përmirësimi i aftësive të komunikimit dhe bashkëpunimit, që lind për shkak të rritjes shpirtërore dhe personale, është shumë i dobishëm! Ndërsa shpirti i praktikuesit të ibadetit bëhet më i qartë, ai ka një kuptim më të thellë të dobësive dhe pikave të tij të forta dhe kjo e siguron zhvillimin e talentit të tij. Duke i ditur dobësitë tona, u lejojmë të tjerëve që të na përmirësojnë, e braktisim konceptin e rremë të perfeksionizmit dhe kjo na e redukton stresin, ndërsa e kursen energjinë për fushat ku jemi më të mirë.

    Natyrisht, rritja shpirtërore gjithashtu i rrit cilësitë personale shumë të kërkuara: ndërgjegjësimin, aftësinë për të marrë përgjegjësi, iniciativën, mprehtësinë, qetësinë në situata stresuese dhe më shumë. Ndryshimi i vlerave dhe rafinimi i personalitetit mund të çojë në një ndryshim në profesion, stil jete – bëhemi më të lirë, më të guximshëm, ndjekim më lehtë diktatet e shpirtit tonë dhe e shikojmë botën më pozitivisht. Nëse jemi pragmatistë, atëherë këtu qëndron lidhja praktike midis përditshmërisë tonë dhe zhvillimit shpirtëror.

    Njeriu ka nevojë të zhvillohet shpirtërisht. Personi pa një qëllim-mision global, pa e kuptuar arsyen e qëndrimit të tij në tokë, nuk do të arrijë sukses në jetë, e mos të diskutojmë një nivel të lartë zhvillimi. As lëndor dhe as shpirtëror. Zhvillimi shpirtëror është i lidhur ngushtë me vetëpërmirësimin. Nëse një person nuk ecën përpara, atëherë ai me siguri ecën prapa. Udhëtimi shpirtëror i personit i mundëson çdo ditë rindërtim të personalitetit të tij. Gjithashtu, njeriut i shtohet shpresa dhe ai vendos një baraspeshë emocionale në jetë.

    Baza e zhvillimit shpirtëror është vetëpastrimi dhe kultivimi i cilësive të virtytshme, si dhembshuria dhe filantropia. Dhembshuria dhe filantropia janë baza e shërbimit të sinqertë ndaj njerëzve. Prandaj, zhvillimi shpirtëror e forcon kërkimin tonë për vetërealizim dhe na jep forcë për t’i shërbyer botës.

    Shumë aktivitete sociale e kanë në thelb një element shërbimi ndaj të tjerëve. Në shumë libra për biznesin, njerëzit e suksesshëm ndajnë një nga sekretet e suksesit të tyre – një dëshirë të sinqertë për t’u dhënë diçka njerëzve, për të përmirësuar, lehtësuar, ndryshuar diçka… Nëse kemi dëshirë të marrim më shumë, duhet të fillojmë të japim më shumë! Zhvillimi i shpirtit dhe njohja e vetes na jep mundësinë për të ndihmuar të tjerët me një zemër të pastër, gjë që na sjell gëzim dhe na bën më të suksesshëm në atë që e bëjmë. Njerëzit e ndjejnë kur bëni diçka “me shpirt” dhe kjo i tërheq gjithmonë, sepse çdo gjë e bërë nga një zemër e pastër e frymëzon jetën, sjell gëzim, shpresë, kujdes dhe mirësi në zemrat e të tjerëve.

    Zhvillimi shpirtëror na mundëson të bëhemi pjesë e vetëdijshme e botës, t’u shërbejmë njerëzve, ta shijojmë jetën dhe të marrim pjesë në proceset e ndryshimit për të mirë dhe zhvillimit. Duke ndihmuar të tjerët, ne e ndihmojmë veten të bëhemi më të mirë. Fillojmë ta kuptojmë me vetëdije shpirtin tonë. Si rrjedhojë, shërbimi ndaj njerëzve na afron me Krijuesin, pasi ne krijesën e duam për hir të Krijuesit.

    Zhvillimi shpirtëror është rruga e kthimit në origjinë dhe i konceptit të jetës si njeri. Kjo i dallon njerëzit nga kafshët dhe është qëllimi i vetëm për të cilën ne të gjithë kemi ardhur këtu në Tokë. Përfundimisht, kuptimi i jetës është ta pastrojmë pasqyrën e shpirtit tonë nga papastërtitë me fitoret morale mbi të metat, tiparet dhe zakonet e këqija, ta forcojmë shpirtin dhe t’i kthehemi të pastër Krijuesit Primordial.

  • METIN IZETI: SHEHIDLLËKU I HAZRETI HUSEINIT MBUROJË E PASTËRSISË FETARE ISLAME

    METIN IZETI: SHEHIDLLËKU I HAZRETI HUSEINIT MBUROJË E PASTËRSISË FETARE ISLAME

    Shkruan: Metin Izeti

    Muaji i Muharremit dhe veçanërisht dhjetë ditët e para të të këtij muaji janë të zymta dhe me mërzi për të gjithë ata që kanë dashuri ndaj familjes së pastër të Pejgamberit a.s. (Ehli  Bejti paki Mustafa) për shkak të rënies shehid të nipit të Pejgamberit a.s., Hazreti Huseinit bashkë me familjen e tij, në fushën e Qerbelasë. Ngjarja e Qerbelasë është analizuar dhe shqyrtuar nga shumë aspekte në traditën e mendimit Islam dhe pa përjashtim është konsideruar si një ngjarje e rëndë dhe makabre e pushtetit zullumqar ndaj familjes së pastër të Pejgamberit a.s..

    Krahas dhimbjes që ka shkaktuar kjo ngjarje e përgjakshme, kujtoj, se ajo ka një rëndësi tjetër shumë të madhe në vazhdimësinë e mendimit dhe fetarisë islame gjatë shekujve. Ngjarja e Qerbelasë është një fenomen i kundërshtimit të pushtetit tiran me qëllim të mbrojtjes së fesë së pastër të shpallur nga ana e Allahut xh.sh.. Hazreti Huseini kur është nisur nga Meka, ku e kishte bërë haxhin, për në Qerbela, një pjesë e madhe e miqve të tij të afërm e kanë këshilluar që të mos niset, pasi ai nuk kishte ushtri të fortë si ajo e Jezidit dhe se kishte gjasa që irakianët ta tradhtojnë. Mirëpo përgjigja e Hazreti Huseinit ishte se ai ishte ftuar për të mbrojtur drejtësinë dhe të vërtetën dhe se nuk dëshironte të mbahet mend në histori si personi i cili është ftuar për ta luftuar zullumin dhe nuk i është përgjigjur kësaj ftese. Ky denoncim i Hazreti Huseinit para shtëpisë së Allahut në Mekë mendoj se është një komunikatë dhe manifesto shumë e rëndësishme që do të ndikojë në ruajtjen e vlerave të pastra të fesë së shpallur dhe nuk do të lejojë ndikimin arrogant të pushtetmbajtësve ndaj fjalës së pastër hyjnore. Ne jemi dëshmitarë për ndikimet që pushtetet e ndryshme deri atëherë i kanë ushtruar ndaj feve të ndryshme madje edhe atyre të shpallurave. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur me fenë Islame. Sakrifica e Hazreti Huseinit dhe familjes së pastër pejgamberike për të vërtetën gjatë tërë historisë islame ka qenë shembull i kundërshtimit dhe rebelimit ndaj pushtetit i cili është përpjekur që vendimet dhe sjelljet e tij t’i arsyetojë nëpërmjet autoritetit fetar. Në të gjitha periudhat e shoqërisë myslimane pas kalimit në ahiret të Pejgamberit a.s. kanë ekzistuar komunitete dhe mendimtarë të cilët, të udhëhequr nga shembulli i Hazreti Huseinit, e kanë kundërshtuar mendimin apo edhe vendimin zyrtar të pushtetit në lidhje me ndonjë çështje të caktuar shoqërore ose fetare. Kujtoj se kjo edhe ka shërbyer si filtër që nuk ka lejuar lajthitjen e çështjeve bazike fetare gjatë historisë islame.

    Hazreti Huseini, nipi Pejgamberit a.s., mik i afërm i Allahut, e kishte të njohur faktin se nuk do ta fitojë betejën fizike dhe momentale me Jezidin tiran, por ai, gjithashtu, e kishte të qartë se beteja e vërtetë e tij është ruajtja e pastërtisë së fetarisë dhe shpirtërisë islame në brezat që do të vinë deri në ditën e gjykimit. Ai e ka fituar këtë betejë dhe emri i tij është sinonim i rebelimit të elitës fetare dhe shoqërore kundër zullumit të pushtetit. Ky fakt është shumë i rëndësishëm. Pra, nuk rebelohet pjesa e turmës kundër pushtetit, por rebelohet elita më e lartë e shoqërisë myslimane dhe ajo sakrifikohet për ta ruajtur pastërtinë e kësaj feje madhështore.

    Në fjalimin e fundit në Mekë, para se të niset për në Irak, Hazreti Huseini i ka thënë këto fjalë: “I gjithë lavdërimi i takon Allahut. Çfarëdo që të dojë Allahu, do ta ketë. Fuqia dhe forca vijnë vetëm nga Allahu. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij. Ashtu si gjerdani i shkon për shtat vajzave, edhe vdekja i përshtatet qenieve njerëzore. Unë dëshiroj t’i shoh paraardhësit e mi ashtu siç dëshironte Pejgamberi Jakub të shihte Jusufin. Mua më është caktuar një thertore për të mbërritur. Nuk ka shpëtim nga një ditë e tillë siç është shkruar në Levhi Mahfudh (Pllakën e Mbrojtur). Ne jemi të kënaqur me atë që është i kënaqur Allahu. Ne jemi të kënaqur edhe me Ehli Bejtin. Ne tregojmë durim dhe drejtim përballë sprovës së Tij. Ai do të na japë neve shpërblimin e durimtarëve. Bijtë e Pejgamberit, të cilët janë pjesë të trupit të tij, nuk do të ndahen kurrë prej tij, do të jenë me të edhe në Xhenet”.

    Nëse analizohen me kujdes fjalët që Hazreti Huseini i ka thënë në fjalimin e tij para shtëpisë së Allahut në Mekë shihet qartë se ai plotësisht ka qenë i vetëdishëm për fundin që e priste në fushat e Irakut, mirëpo, ishte plotësisht i përgatitur për t’u sakrifikuar për rrugën e gjyshit të tij dhe për asnjë çmim nuk pajtohej me lajthitjet pushtetare në lidhje me pastërtinë e fesë së shpallur nga Allahu xh.sh.. Fjalimi i fundit i tij është  një manifesto e sakrificës për të vërtetën dhe besnikëri ndaj idealit që është qëllim i krijimit të njeriut. Ai e dinte se rënia shehid e tij në fushat e Irakut ishte sihariq që e ka shprehur me takimin e Jakubit a.s. me djalin e tij Jusufin a.s.. Jakubi a.s., së bashku me djemtë e tij, i ishin nënshtruar Jusufit a.s.. Vëllezërit që i kishin bërë padrejtësi Jusufit e kishin kuptuar gabimin e tyre dhe kishin kërkuar falje prej Jusufit a.s.. Pra, Hazreti Huseini na tregon në këtë fjalim se ummeti islam gjithnjë do të ndjejë keqardhje për atë që i është bërë familjes së pastër pejgamberike dhe në të gjitha periudhat deri në ditën e gjykimit do të kërkojë falje prej tyre duke e shtuar dashurinë ndaj tyre.

    Si rrjedhojë, koncepti i islamit pushtetar në asnjë periudhë të historisë islame nuk ka ngadhnjyer ndaj konceptit esencial të mbrojtur nga ana e dijetarëve dhe urtarëve myslimanë. I tillë është edhe rasti i burgosjes së Imam A’dham Ebu Hanifes, Ahmed b. Hanbelit dhe shumë gnostikëve të tjerë, madje edhe në trojet tona shqiptare në periudhën e komunizmit, vetëm për shkak se nuk janë pajtuar me pushtetin për të ndryshuar kanunin e evlijasë dhe të ylemasë.

    Pushteti për të mbrojtur pozitën e vete, shpesherë, është në gjendje që të shkel edhe mbi vlerat më të rënda të njerëzores dhe atij në këto raste mund t’i kundërvihet vetëm vlera e diturisë dhe fetarisë së pastër dhe asgjë tjetër. Për ta treguar konceptin e pushtetit tiran Hazreti Huseini  në fushën e Qerbelasë u drejtohet ushtarëve të Jezidit me këto fjalë:

    “O njerëz! Më thuani lozën time. Kush jam unë që ju doni të vrisni? Ejani në vete dhe pastaj dënoni veten. A lejohet të më vrisni dhe të mos i kushtoni vëmendje urdhërave se duhet të më respektoni dhe të më ndiqni? A nuk jam unë djali i vajzës së Pejgamberit  tuaj? A nuk jam unë i biri i Fatimes? A nuk jam unë djali i djalit të xhaxhait të Pejgamberit? A nuk jam unë i biri i atij që pranoi Islamin para çdokujt tjetër dhe e vërtetoi pejgamberinë e Pejgamberit? A nuk jam unë djali i të riut të parë që u kthye në Islam? A nuk jam unë djali i Hazret Aliut? A nuk jam unë nipi i Hazreti Hamzës, Mjeshtrit të Dëshmorëve? A nuk jam unë nipi i Xhafer Tajarit, të cilit iu prenë krahët në Xhihad? A nuk është xhaxhai im Xhafer b. Ebi Talib? A e dini se kë do të vrisni? A nuk i keni dëgjuar fjalët e Pejgamberit a.s për mua dhe vëllanë tim: Këta të dy janë zotërinjtë e të rinjve të Xhenetit? Këto fjalë që them janë të vërteta. Pasha Allahun, nuk kam gënjyer që nga dita që kam dëgjuar se Allahu do të zemërohet me gënjeshtarin. Nëse nuk më besoni  mua, tani ka edhe sahabë të Pejgamberi a.s. në mesin e muslimanëve, nëse i pyetni ata për këtë, ata do t’ju thonë. Pyetni ata për këtë.Këta sahabe dëgjuan se çfarë tha Pejgamberi për mua dhe vëllain tim.A nuk ju pengojnë këto fjalë që të mos derdhni gjakun tim? Nëse dyshoni në fjalët e Pejgamberit për mua dhe vëllain tim, a dyshoni se unë jam djali i vajzës së Pejgamberit? Pasha Allahun, në mes të lindjes dhe perëndimit, në mesin tuaj nuk ka asnjë pasardhës të Pejgamberit përveç meje. Turp të keni. Dëshironi të më dënoni, por, për çka? Për dikë që kam vrarë, për pasurinë që i kam ngrënë dikujt, apo për një plagë që i kam shkaktuar dikujt?

    O njerëz!

    Dhe tani e tutje, pasi që të më vrisni mua, ju do të qëndroni në këtë botë, aq shkurt, sa ky kalorës të arrijë në mejdan. Babai im ma përcolli këtë fjalë nga gjyshi im, i Dërguari i Allahut. Dijeni se shpresa e Husejnit është vetëm tek Allahu i Plotfuqishëm. Sepse nuk ka njeri jeta e të cilit nuk është në fuqinë e Allahut.”

    Hazreti Huseini me këtë fjalim të tij ia bën me dije tërë njerëzimit se nëse dynjaja i verbon sytë atëherë njeriu është në gjendje të shkel mbi gjërat edhe më të shenjta që i ka. Kjo është kështu edhe sot dhe do të jetë deri në ditën e gjykimit. Prandaj, ashtu si thotë edhe Hazreti Huseini, duhet ta kontrollojmë veten (nefsin) tonë dhe vlerat e vërteta njerëzore të jenë në platformën më të lartë të jetës tonë.

    Shehidllëku i Hazreti Huseinit është mburojë e pastërtisë së vlerave të dijes, fetarisë dhge etikës islame, pikërisht për këtë duhet ta kujtojmë dhe të solidarizohemi me të, familjen e tij dhe idenë për çka u sakrifikua…

  • METIN IZETI: PËRSHPIRTSHMËRIA DHE SHËNDETI MENDOR

    METIN IZETI: PËRSHPIRTSHMËRIA DHE SHËNDETI MENDOR

    Përshpirtshmëria/fetaria funksionon si një sistem i ruajtjes së identitetit, duke mundësuar një urë lidhëse midis identitetit individual dhe atij kolektiv, dhe parandalon fragmentimin kur përballemi me presion. Ndikimi i përshpirtshmërisë, në mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe i zgjidhin problemet, përfshin aftësinë për të falur, mirënjohjen, dhembshurinë dhe mençurinë.

    Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

    Përshpirtshmëria, duke përfshirë besimet, qëllimet dhe praktikat, është shumë e rëndësishme në jetën e njerëzve dhe ajo ndikon në njohjen, ndikimin, motivimin dhe sjelljen e tyre. Andaj është me interes edhe për shëndetin mendor të njerëzve. Si rrjedhojë, ata gjithsesi se duhet të merren parasysh edhe në hulumtimet psikiatrike në lidhje me sëmundjet psikosomatike dhe shëndetin psikik të njerëzve.

    Në vitet e fundit, në vendet perëndimore janë bërë disa hapa të rëndësishëm në drejtim të përfshirjes së konceptit të përshpirtshmërisë në shëndetin e përgjithshëm të njeriut dhe, veçanërisht, në atë mendor:

    • Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përfshirë përshpirtshmërinë, fenë dhe besimet individuale në gjashtë fushat bazë të cilësisë së jetës (krahas shëndetit fizik, është përfshirë edhe shëndeti mendor, shkalla e pavarësisë, marrëdhëniet shoqërore, mjedisi).
    • Organizata Amerikane Psikiatrike rekomandon që psikiatrit të pyesin për orientimin fetar dhe shpirtëror të pacientit, kjo si pjesë e anamnezës së tyre mjekësore.
    • Në shumë kurikula shkollore profesionale janë të inkuadruar edhe kapituj në lidhje me problemet fetare dhe shpirtërore.
    • Çështjet e përshpirtshmërisë dhe ato fetare janë përfshirë në programin e specializimit të psikiatrisë në një sërë vendesh (si, Amerika, Britania e Madhe, Zelanda e Re, Kanadaja).

    Si rrjedhojë, kohëve të fundit gjithnjë është më e zëshme teza se religjioni dhe përshpirtshmëria janë ndër faktorët kryesorë për ekuilibrin mendor dhe psikik të individëve dhe, si pasojë, edhe e shoqërive. Ky konstatim nuk është konstatim i teologëve, por i psikologëve dhe psikiatërve në bazë të rezultateve statistikore të bëra me pacientët e tyre.

    Ekzistojnë tre mënyra kryesore në të cilat përshpirtshmëria/feja mund të ndikojë në shëndetin mendor:

    • Përshpirtshmëria/fetaria lehtëson përballjen me stresin dhe e redukton stresin në situata të vështira jetësore;
    • Përshpirtshmëria/fetaria është një mundësi për të fituar mbështetje sociale;
    • Përshpirtshmëria/fetaria inkurajon një mënyrë jetese më të shëndetshme.

    Roli kryesor i fesë në të gjitha kulturat është që ta frymëzojë shpresën dhe ta mbushë zbrazëtirën ekzistenciale, ta zhvillojë besimin në shpëtim dhe t’i japë jetës një ndjenjë kuptimi. Gjetja e kuptimit në vuajtje mund ta zvogëlojë vuajtjen dhe ta bëjë atë më të durueshme. Feja nuk është vetëm çështje besimi. Ajo ka një rol në riinterpretimin e ngjarjeve të pakëndshme dhe ofron më shumë rehati se të gjitha konceptet e tjera. Ajo i jep kuptim një situate të sikletshme, duke e vendosur atë në një kontekst të caktuar dhe i jep personit një ndjenjë kontrolli. Edhe pse agnostikët dhe ateistët ofrojnë kontroll mbi mjedisin me koncepte të tjera, si p.sh. shkencën, është fakt se ajo nuk plotëson nevojën e njeriut për kuptim, rehati dhe përmbushje në masën që e bën feja.

    Përshpirtshmëria/fetaria funksionon si një sistem i ruajtjes së identitetit, duke mundësuar një urë lidhëse midis identitetit individual dhe atij kolektiv, dhe parandalon fragmentimin kur përballemi me presion. Ndikimi i përshpirtshmërisë, në mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe i zgjidhin problemet, përfshin aftësinë për të falur, mirënjohjen, dhembshurinë dhe mençurinë. Sipas kësaj, njerëzit me platformë të vërtetë shpirtërorë mund të jenë më efektivë në përshtatjen ndaj traumës dhe gjetjen e kuptimit në vuajtjet që janë të pashmangshme në jetën lëndore të njerëzve.

    Gjithashtu, shumë domethënëse janë edhe dëshmitë shkencore dhe rezultatet e hulumtimeve që dëshmojnë drejtpërdrejt për relacionin e përshpirtshmërisë me shëndetin mendor. Mbi 80% e konstatimeve nga hulumtimet shkencore janë në drejtim se ekziston një lidhje e fortë pozitive midis përshpirtshmërisë/fesë dhe shëndetit mendor. Hulumtimet lidhur me depresionin kanë treguar se përshpirtshmëria/fetaria është ndikues në tejkalimin e depresionit, veçanërisht te ata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike dhe nga kanceri.

    Përshpirtshmëria/fetaria ka dhënë rezultate shumë pozitive edhe në psikoterapi. Psikoterapia është një përvojë personale. Ajo nuk synon vetëm lehtësimin e simptomave, por edhe introspeksionin. Përfshirja e përshpirtshmërisë mund ta forcojë aleancën terapeutike. Përkatësisht, në themel të simptomave të cilat i shfaqin pacientët nuk janë vetëm marrëdhëniet e trazuara dhe konfliktet psikodinamike, por edhe manifestimet e shqetësimeve në dimensionin më të thellë të kuptimit të jetës, nocionit të ekzistencës dhe vdekjes. Prandaj dimensioni shpirtëror është një dimension strukturor i ekzistencës njerëzore, që mund të ndikojë në të gjitha shtresat e ekzistencës njerëzore, si edhe në psikopatologji.

    Njohja e nevojave ekzistenciale dhe shpirtërore të pacientëve duhet të bëhet pjesë integrale e procesit terapeutik. Në këtë kuptim, është e nevojshme përfshirja e përmbajtjeve që lidhen me përshpirtshmërinë dhe fenë në procesin edukativo-arsimor, si në nivelin e studimeve mjekësore, ashtu edhe në specializime.

    Pikërisht për këtë mjekët duhet të mësojnë se si t’i përfshijnë besimet fetare të pacientit në të kuptuarit e tyre për pacientin si një person i tërë. Duhet konceptuar dimensioni i jetës shpirtërore të pacientit, ashtu që kjo të ndihmojë në procesin e shërimit. Këtu mund të përfshihen parimet e mëposhtme:

    • Roli i përshpirtshmërisë dhe fetarisë si burim i mbështetjes sociale;
    • Roli i përshpirtshmëris dhe fetarisë si mekanizëm mbrojtës;
    • Relacioni i përshpirtshmërisë/fetarisë me fenomenet psikopatologjike.

    Kjo nuk nënkupton përfshirjen e ndonjë praktike të përshpirtshmërisë ose besimit fetar gjatë shkollimit mjekësor, por mësimdhënien e konceptualizimit të fesë në aspektin psikologjik. Informimi për besimet fetare dhe përshpirtshmërinë e pacientëve do t’i mundësojë mjekut specialist të njohë se si këto besime ndikojnë te pacienti dhe nëse është e mundur dhe e nevojshme të përdoren çështje që lidhen me trajtimin shpirtëror. Gjithashtu, kjo do ta pengojë edhe inkuadrimin e njerëzve të pashkolluar në trajtimin e pacientëve me probleme mendore dhe përkeqësimin edhe më të madh të shëndetit mendor të tyre.

    Problemin themelor është në parimet e të ashtuquajturës “mjekësia perëndimore moderne”, e cila pacientin dhe sëmundjen e shikon veçmas dhe jo në kontekstin e unitetit shpirtëror, fizik dhe mendor të njeriut. Këtë e tregon edhe koncepti i mjekësisë integruese (holistike) dhe, deri diku, mjekësia e personalizuar. Sot nevojiten përparime të reja në mjekësi, kjo për shkak të sfidave të reja me të cilat përballet njerëzimi, siç është joefektivitetit relativ i mjekësisë së sotme – veçanërisht kur bëhet fjalë për trajtimin e sëmundjeve mendore – dhe gjenerata e re e teknologjive globale që mund të aplikohen në mjekësi, sfidat me të cilat duhet të përballet mjekësia dhe, deri diku, feja, janë ndryshimet e mëdha në shoqëri me globalizimin, sëmundjet infektive që shfaqen dhe përhapen me shpejtësi, ndryshimet në modelin e disa sëmundjeve, depresionet e vazhdueshme, ndryshimet klimatike dhe demografike e kështu me radhë.

    Mjekësia moderne, siç duket, është peng i qasjes reduksioniste, kjo në mungesë të konceptit të vazhdimësisë, ndërsa me konceptin “një kurë për të gjithë” dhe paqëndrueshmërinë e sistemit të kujdesit, ekzistojnë “boshllëqe” serioze në trajtimin e pacientëve. Mjekët, përgjithësisht, besojnë në një model reduksionist të kujdesit shëndetësor – për ta identifikuar problemin dhe për të gjetur një zgjidhje, rëndom në trajtë të ilaçeve. Fatkeqësisht, kjo nuk funksionon në shumicën e rasteve, të paktën kur bëhet fjalë për sëmundje psikike. Paradigma reduktuese e thjeshton një nga sistemet më komplekse që mund të imagjinojmë – qenien njerëzore. Mjekësia moderne bazohet, kryesisht, në një diagnozë të qartë clear-cut, por kjo qasje mund t’i fshehë shkaqet në prapavijë të çrregullimit dhe manifestimit suptil të sëmundjes. Shumica e mjekëve konvencionalë mendojnë se një pacient e ka ose nuk e ka sëmundjen. Nuk ka zona gri. Kjo qasje mund të jetë e gabuar, sepse ajo e heq shumicën e ligjeve themelore të fiziologjisë – konceptin e vazhdimësisë: nga shëndeti optimal përmes çekuilibrit të fshehur deri te mosfunksionimet dhe sëmundjet serioze. Në çdo fazë të mëhershme të këtij kontinuiteti do të ishte më e lehtë të ndërhyhej dhe të rivendosej procesi.

    Ky model “shkencor” i injoron dhe refuzon trajtimet që vijnë nga një sistem i plotë mjekësor – në vend që të trajtohen shkaqet e çrregullimit, trajtohen vetëm simptomat. Në këtë kontekst, simptomat konsiderohen si diçka që duhet të shtypen dhe jo të kërkohen shkaqet e shfaqjes së tyre. Prandaj, disa mjekë e shohin trupin e njeriut si një makinë me pjesë të veçanta që mund të trajtohen veçmas dhe jo si një sistem të integruar. Përveç kësaj, mendja dhe trupi perceptohen gjithashtu si pjesë të veçanta, të pavarura, ndërsa emocionet zakonisht injorohen. Në këtë qasje nuk merret parasysh fakti se trupi e ka aftësinë e tij shëruese, kështu që nuk kërkohet asnjë mënyrë për ta çliruar atë kapacitet të dobishëm brenda njeriut. Të gjithë personat që e kanë atë sëmundje marrin trajtim identik, duke injoruar kështu individualitetin e pacientit. Me fjalë të tjera, trajtohet sëmundja dhe jo pacienti. Shpesh mjekët u kushtojnë më shumë rëndësi analizave të shumta sesa asaj se si ndihet pacienti dhe çfarë zbulohet në ekzaminim. Gjithashtu, ka shumë pak njohuri në lidhje me problemin e ndikimit të toksicitetit në shëndetin tonë dhe si t’i aktivizojmë sistemet tona të detoksifikimit. Marrëdhënia mjek-pacient, gjithashtu, neglizhohet, si edhe roli i pacientit si partner në kurimin e tij.

    Si rrjedhojë, mund të konstatojmë se largimi i përshpirtshmërisë dhe fetarisë së pacientit nga spektri i kurimit të tij na përballë me dy probleme thelbësore dhe të rrezikshme. Problemi i parë është diagnostifikimi linear dhe i pasuksesshëm, veçanërisht i pacientëve me probleme psikike, ndërsa problemi i dytë është paraqitja e personave që, duke e injoruar mjekësinë, nëpërmjet përvojave okultiste, përpiqen t’i kurojnë personat e sëmurë psikikisht. Prandaj përshpirtshmëria dhe fetaria janë koncepte shumë të rëndësishme të kontinuitetit jetësor të individit dhe kolektivit dhe, si të tillë, duhet të trajtohen në të gjitha segmentet e jetës shoqërore dhe, në këtë periudhë, veçanërisht në qasjet ndaj personave që kanë probleme me shëndetin mendor dhe e kanë të trazuar shpirtin.