Category: Revista

  • METIN IZETI – ARTI SI MJET PËR GJETJEN E QENIES

    METIN IZETI – ARTI SI MJET PËR GJETJEN E QENIES

    METIN IZETI

    ARTI SI MJET PËR GJETJEN E QENIES

    Vepra artistike në periudhën paraantike dhe në mesjetë është konsideruar si modalitet i qenies dhe ka qenë një nga konceptet themelore të epistemologjisë. Egjiptasit e vjetër, hindusët, kinezët, filozofia hebreje, krishtere, islame deri në shekullin e XV përmes veprës artistike janë përpjekur t’i paraqesin përbërjet metafizike dhe si e tillë ajo ka qenë bazë për ndërtimin e ontologjisë në kuadër të sistemeve të tyre filozofike dhe fetare. Gjithashtu, vepra artistike në analizën dhe përkujtimet e klasikëve ka pasur për qëllim të shprehë animet e subjektit drejt objektit ose nga ana tjetër të jetë pasqyrim i emrave dhe atributeve të Subjektit në Gjithësi. Si rrjedhojë, koncepti bashkëkohor se arti dhe vepra artistike janë akcidenca të objektit në periudhat para shekullit të XV janë konsideruar si të pabaza, madje disa herë edhe qesharake. Kjo kështu për shkak se një koncept i tillë është në kundërshtim me çështjen e reciprocitetit të metafizikës me fizikën dhe me inkuadrimin e Subjektit në objektet, që mendësia klasike e ka konsideruar si të pabazë dhe në kundërshtim me konceptin e dijes dhe epistemologjinë reale. Dija e objektit në vete dhe pa asnjë inkuadrim nga më lartë e ngërthen rezikun e përjashtimit të esencës nga vetë lënda; për shkak se lidhshmëria esenciale qëndron si relacion jashtë përmasës lëndore të objektit dhe objekti pa këtë lidhje është një akcidencë tejet e dobët dhe e pabazë. Gjithashtu, objektet artistike para se të parafytyrohen nga arsyeja ose shija kanë edhe një përmbajtje që nuk është lëndë e epistemologjisë; pra, konceptimi i objektit pa këtë përmasë esenciale është në kundërshtim me përkapjen intelektuale dhe aksiologjike të qenies. Pikërisht për këtë  e mësipërmja është konsideruar si e pabazë dhe alternativa kryesore klasike për konceptim real të esencës së veprës artistike dhe pragmatizimit të ekzistencës së qenies është bërë teoria e dijes metaforike, pra përfaqësimi i Qenies në ekzistencë si Veprues artistik.

    Në realitet ky koncept klasik i artit dhe analizës artistike të veprës në Gjithësi është një zgjatje logjike e ontologjisë aksiologjike. Për pasojë koncepti i vlerës (value) është i realizueshëm vetëm me përfaqësimin e qenies përmes veprës artistike. Në një mënyrë ky konstatim është i lidhur ngushtë edhe me vetëdijen artistike. Vetëdija- ashtu siç e përdor edhe Husserl’i- do të thotë që intelekti njerëzor të jetë i hapur, gjithnjë, për diçka nga jashtë, të ketë mundësi orientimi drejt diçkaje jashtë vetes dhe që nuk ka mundësi të ekzistencës nga vetja.

    Çështja e veprimit artistik si pasojë e vetëdijes në filozofinë sufike islame është emërtuar me termin vexhd. Vexhd në aspekt gjuhësor do të thotë “dalje nga vetja/ekstazë” dhe gjetje e të të Vërtetës/Zotit. Ibn Arabiu do të konstatojë se mendimi i shumicës së sufive është që qenia/vuxhud është gjetje e të Vërtetës në daljen nga vetja. Këtu gjithsesi etimologjia e fjalës vuxhud, që në gjuhën arabe e ka kuptimin e gjetjes ka ndikuar dukshëm në formësimin e kësaj teorie. Ndërsa vetëdija/vixhdanështë një gjendje e veçantë e gjetjes/vuxhud por edhe e daljes nga vetja/vexhd, si pasojë e paraqet pasqyrimin e befasishëm të Zotit në Gjithësi.

    Termi vexhd rrjedh nga rrënja “v-xh-d” që d.t.th.: gjetje e gjësë së humbur, hidhërim, dëshpërim, ankesë, bollëk dhe pasuri, potencial, dashuri e tepërt.

    Vexhdi në terminologjinë e Tesavvufit paraqet hapjen dhe emocionimin e zemrës së udhëtarit shpirtëror gjatë vrojtimit të pasqyrimeve eterne të Allahut xh.sh., kalimin e tij prej vetes dhe qëndrimin bashkë me më të Madhin. Si rrjedhim udhëtari shpirtëror i përjeton fenanë (shkrirjen kuptimore) dhe bekanë (përhershmërinë e besimit), “gjetjen e Allahut dhe shlyerjen e cilësive fizike të tij (sufiut)”.

    Në Tesavvufin islam dhe në disa sisteme tjera mistike ekstaza është mjet e assesi qëllim. Qëllimi i jetës së mistikut nuk është ekstaza por është vendi deri te i cili arrihet nëpërmjet saj. Në një anekdotë të përcjellë nga Huxhviriu thuhet: “Një ditë Imam Shibliu në gjendje të ekstazës erdhi te Imam Xhunejdi dhe e vërejti se ai ishte i dëshpëruar. E pyeti se pse ishte i dëshpëruar, ndërsa Xhunejdi i tha: Ai që kërkon do ta gjejë! Kurse Shibliu iu përgjigj: Jo, ai që e gjenë do ta kërkojë. Xhunejdi kishte të drejtë, thotë Huxhviriu, për arsye se ai fliste për ekstazën (vexhd), ndërsa Shibliu bënte fjalë për ekzistencën (vuxhud) dhe pohonte se njeriut nuk i kalon dëshpërimi përderisa nuk shkrihet në Qenien të cilën e adhuron.

    Pika e fundit e vexhdit në Tesavvufin islam është Tevhidi (vërtetimi i njëshmërisë së Allahut). Domethënia e Tevhidit nuk është inkarnim ose unjësim me Zotin, por është njohje e njëshmërisë së Tij. Si rrjedhim njohja e cila paraqitet si rezultat i vexhdit, njeriun e abstrahon nga vetvetja dhe bota që e rrethon dhe ai nuk ndjenë asgjë tjetër përveç Allahut xh.sh. Kështu Zoti paraqitet si i vetmi Sundues dhe i Pranishëm në arenën e ekzistencës. Kjo d.t.th., që njeriu të mos shohë asgjë dhe në mendimet e tij të mos ketë asgjë përveç Allahut.

    Sa më shumë që thellohet dalja nga vetja,  aq më shumë udhëtari shpirtëror vazhdon të sillet vërdallë në luginat e mahnitjes dhe të madhështisë. Një çast  vjen dhe  e humb në tërësi dëshirën  dhe veten e sheh si një hije të dritës së qenies. Sun’ullah Gajbiu, një sufi me emër, i varrosur në Kutahja të Tur       qisë, në një poezi të tij shumë qartë e ka sqaruar këtë gjendje të gjetjes së qenies jashtë vetes dhe shprehjen e saj përmes veprës artistike. Ai thotë:

    Mos u deh vazhdimisht me ashkun, por as mos u esëllo vazhdimisht me arsye

    Bashkoji hapësirat e askezës e  të gnosës dhe përqendrohu

    Xhelali/madhështia dhe xhemali/bukuria  të bashkuara e mbajnë në këmbë këtë botë

    Mos u dëshpëro pandërprerë në këtë kohë dhe as mos u gëzo pa nda

    Në helmin e shumësisë është përzier sheqeri i njëshmërisë

    A mos, vallë, pastën e madhe e shijoi Gajbiu dhe u përqendrua.

    Megjithatë, këta kulifikime, do të mund të vendosen më shumë në planin shpirtëror të orientimit drejt Subjektit, sesa në qortim të `shastisjes`, që ju adresohet poetëve dhe artistëveme mungësë të orientimit intelektual kontemplativ. Për më shumë, arti i cili nuk është i lidhur me Realitetin Ultimativ, vetëm se shpreh kotësinë, dhe më këtë i shkakton artistit `hipokrizinë` esenciale, duke ia pozicionuar në vetvete dy realitete të kundërta dhe të ndara plotësish, pra: atë të `të thënurit`  dhe atë të `të përjetuarit` . E ndarë nga `të përjetuarit`, `e thënura` vlen jo më shumë se hiç, pra, humb realitetin ontologjik dhe atë shpirtëror dhe me këtë zbret në domenin e `të bërit të kotë` . Përderisaështë e abstenuar nga cilido realitet ontologjik, atëherë kjo `e bërë e kotë`është taman opozita e vetë objektit.

    Sejjid Hussein Nasr ka  analizuar relacionin në  mes logjikës dhe artit  në  Islam duke vënë theksin në  faktin se kë ta dy fushë  në  periudhën e Renesansës janë  ndarë  në  Perëndim, bile edhe pas Renesansës u krijua jazi ndërmjet `Un`-it që  mendon dhe botës së  natyrës. Ndarja karteziane në  mes res cognitas dhe res extensa është  njëra ndër epizodet më  të  mëdha filozofike të  këtij jazi, sic janë  – bile në  mënyrën më  radikale – edhe konluzat epistemologjike  të  idealizmit kritik të  Kantit. Në  botën para-moderne, me një  kontrast, uniteti antropokozmik i njeriut dhe natyra kanë  qenë  të  karakterizuar nga situata, ku, në  njërën anë  domeni diskurziv e në anën tjetër ai i arketipeve si të  manifestuara në  kozmos, kanë  qenë  akoma thellësish të  lidhura. Në  Islam, në  vecanti në  botën e tasavvufit, termi ajat d.t.th. `shenja` kozmike, të  cilat u ngjajnë  `nënshkrimeve` Hyjnore mbi krijimin dhe mbi versetet Kuranore. Intelekti (`akl) është  i konectuar si domeni themelor kontemplativ, nga shkaku se parimisht është  në  gjendje t`i lexon këta ajete. Jobesimrari, në  Kuran,  shpesh është  karaktezuar si ai i cili nuk është  i aftë  që  t`i lexon shenjat e Zotit në  horizont; dhe pikërisht kjo paaftësi është  shkaku dhe pasoja e mos përqafimit të  tij me Islamin, rrjedhimisht `mos nënshtrimit` të  tij ndaj Zotit.

    Kurani dhe libri i Gjithësisë, janë  dy aspektet themelore të  Fjalës Hyjnore. Ata janë  `poezi` në  kuptimin më  të  lartë  të  kësaj fjale. Së  këndejmi, logjika dhe poezia janë  të  lidhura ngushtë si modele komplementare të  të  diturit në  Islam: që  të  dyja, manifestojnë  Intelektin Hyjnor në  sferën e natyrës dhe gjuhës. Koncepti i Michel Foucau-së  mbi `prozën e botës` që  mund të  ketë  `transparencë ` semantike të  librit, në  fakt ne do këtu do ta lexonim si `arti i botës`, nga shkaku se kjo e fundit më  së  shumti e shpreh eksplicitetin e idesë  së  korespodencës kualitative dhe komplementare në  mes natyrës dhe përjetimit. Sejjid Husein Nasri, kuptimin e kësaj korespodence e shpreh kësisoj:

    Sipas traditës perenniale, realiteti i mbrendshëm i kozmosit, i cili ia shpalos veten syrit të  brendshëm ose vizionit intelektual (dhe për të  cilin, syri i mbrendshëm është  instrument i perceptimit), është  i bazuar në  harmoninë  e cila imponohet bile edhe mbi domenin trupor. Kjo harmoni është , për më  shumë  e reflektuar në  botën e perceptimit artistik, i cili në  vete  është  reflektim i dyjave: shpirtit të  njeriut dhe kozmosit .

    Në  nivelin më të  lartë , arti , së këndejmi riprodhon rendet kualitative të  kozmosit. Zoti pra, mund të  kontemplohet në  dy mënyrat: me anë  të  rendit të  natyrës dhe më  anë  të  harmonisë  së  strukturës së  veprës artistike. Derisa për shenjat e Zotit në  horizont, fenomenin që  përbën gjuha artistike, mund të  analizohet në  dy pikëvështrime: në  njërën anë  mund të  analizohen si një  seri e aparencave formale dhe e strukturave, në anën tjetër mund të  interpretohen në dritë  e rëndësisë  së  tyre të  brendshme.

    Me gjitha format ekspresive të  bukurisë  njerëzore dhe natyrore, ideali artistik me këtë është  ajo ku objekti ka qenë  totalisht i kristalizuar nga Subjekti. Koncepti sufik nuk pretendon të  lejon lirinë  artistike nga forma intelektuale e shijes, ose shijimit intuitiv të  realitetit. Arti i vërtetë është  ai ku intuita e thellë  shpirtërore manifeston veten në  mbulesën perfekte të  perlës prozodike. Poetët sufik siç është  Rumiu p.s.h, shprehin neveri ndaj poezisë  së  kuptuar si `L’art pour l’art` si një  perfeksion formal i llojit: ballë fytyrës së  të  vërtetës, cka është  forma? Boll e neveritshme. Relacioni komplementar  në  mes objektit dhe Subjektit, megjithatë  nuk mban kuptimin e asaj që  objekti nuk përmban dimenzionin intelektual në  vete. Në  fakt, forma e veprës artistike , pretendon të  shpreh strukturën, e cila është  e shtytur nga vizioni shpirtëror i botës. Me fjalë  të  tjera, substrati material nuk mund vetë  të  `riprodhon` esencat kualitative të  arketipit. Ky reprodukim parimisht është  i efektuar nëpër strukturat kunatitative, të  cilat i përkasin formës së  veprës artistike .  Përderisa realiteti është  një , atëherë  forma dhe esenca nuk mund të  kenë  relacion edhe aq të sertë . Arti është  gjuhë  `logjike`, por një  gjuhë  në  të  cilën, potencialitetet simbolike të  mëvonshmes janë  të  vendosura në  lartësitë  e jashtëzakonshme . Kuptimësia simbolike është  kapaciteti që shfaq pafromën në  dhe me anë  të  formës. Ky koncept klasik për artin neve na bart në çështjen e metafizikës së lidhshmërive(Mulla Sadra Shirazi). Për pasojë, çdo gjë është në lidhje të ngushtë me qenien që e përfshinë ekzistencën në përgjithësi.

  • METIN IZETI – ARTI, NJË RRUGË DREJT TË VËRTETËS

    METIN IZETI – ARTI, NJË RRUGË DREJT TË VËRTETËS

    Në fillim nuk duket asgjë. Gjërat janë të përziera dhe duken ashtu si i shohin të gjithë. Ti e ke lapsin në dorë dhe fillon udhëtimin drejt imagjinatës. Pak më vonë gjërat vishen me një të vërtetë ndryshe. E vërteta fillon të bëhet më e qartë. Por ama kjo kërkon përkushtim dhe kohë. Janë këto mendime të parafrazuara të piktorit francez Edouard Pignon nga libri i tij “ Në kërkim të të vërtetës” të cilat na përplasin me realitetin e vendzënies tonë në hapësirë.

    Ne, konceptet në gjithëshi i përkapim përmes shqisave që janë tejet të kufizuara. Immanuel Kanti ka pasur një pëllumb i cili ka fluturuar duke e shtyrë ajrin, por ama gjithnjë ka pasur drojë prej kundërshtimit të ajrit dhe si rrjedhojë gjithnjë ka menduar: “ Sikur të mos ishte ajri do të kisha mundësi të fluturoj edhe më shpejtë”, por ama të mos ishte ajri ai nuk do të kishte mundësi të fluturojë. Edhe ne sikur të kishim aftësinë e përkapjes shqisore të pakufishme nuk do të kishim mundësi të perceptojmë asgjë. Shkaku pse nuk mund ta shohim të vërtetën nuk është në statusin enigmatik të saj por përkundrazi për shkak se është e bardhë si dita. Po të mos ishte kështu atëherë do të duhej të ketë edhe një e vërtetë tjetër që do të fshehej nga kjo që e kërkojmë. Pikërisht për këtë përkapja e të Vërtetës nuk bëhet me shkencë por me art. Kjo është kështu për shkak se e vërteta nuk dihet por duhet të zbulohet dhe të përkapet.

    Nëse pak më thellë e analizojmë historinë disa mijëvjeçare të mendimit do të shohim  qartë se njeriu për të arritur në enigmat e qenësisë ka shfrytëzuar tre rrugë kryesore: Filozofinë, Fenë dhe Artin. E funda prej këtyre, arti, krahas mëvetësisë së vete gjithnjë ka qenë e përzier edhe me dy të parat. Veprat më të lezetshme filozofike dhe fetare, inkuadro këtu edhe zbulesat, janë të zbukuruara me përmasën artistike dhe estetike. Arti ka diçka që nuk mund të prangoset në zinxhirët e kauzalitetit. Leonardo Da Vinçi me plotë të drejtë ka thënë:

    “ Personi i cili pikturon vetëm me gjykim të syrit dhe nuk e përdor arsyen është i ngjashëm me pasqyrën imituese. I reflekton kundërshtimet por ama duke mos e kuptuar të vërtetën e tyre”.

    Si duket mjeshtri i madh Da Vinçi përmes konceptit “ e vërteta e gjërave” dëshiron të na e tërhjek kujdesin për një të vërtetë që e shohin artistët dhe që nuk e shohin të tjerët. A mos vallë e vërteta e kërkuar nuk mund të përkufizohet por duhet të parapëlqehet? Paul Gaugin në lidhje me synimin e artit figurativ ka thënë:

    “ Synimi i pikturës nuk është përkufizimi por parapëlqimi”. Sikur e Vërteta të ishte çështje që mund të përkufizohej nga aspekti shkencor atëherë atë do ta zbulonim në laborator përmes eksperimentit, por ja që nuk ndodhi kjo. Do të thotë që e Vërteta është diçka që i takon një përmase pak më ndryshe. E Vërteta e parapëlqen “të bukurën “ e vete. Ngjashëm edhe artisti e ka “të bukurën “ e vete. E bukura e të Vërtetës dhe e artistit takohen në platformën e lirisë tejfizike.

    Piktori me famë Paul Klee në veprën e tij “ Teoria e artit” ka shkruar: “ Arti është simbol i krijimit. Arti është simbol i krijimit pikërisht siç toka që është simbol i Gjithësisë”. Në këtë pikë hapet dera e persiatjes. E krijuara në esencë i ngjanë pikturës së një piktori. E krijuara para se të del në dukje është dëshiruar nga Krijuesi ngjashëm siç piktura para se të bëhet dëshirohet nga piktori. Arti nuk bëhet dot me dhunë, ai kërkon dashuri. Njeriun mund ta dhunoni të ngjyros një mur, por nuk mund ta dhunoni të bëjë pikturë.

    Si në krijim ashtu edhe në art dëshira dhe dashuria janë të nduarnduarta. Për rrjedhojë, trajta fillestare e qenësisë, para se të formohet mishi, eshtrat, gjaku, ishte në frymën e Krijuesit. “Simboli” i Paul Klee, “Parapëlqimi” i Paul Gaugin dhe “Përkapja e përtejme” e Leonardo Da Vinçit vetëm kështu mund të ketë domethënie.

    Arti për shkak të lirisë tejfizike që e ka në strukturën e tij e fiton të drejtën të jetë simbol i krijimit. Ndërsa sistemet që janë të kufizuara me kauzalitetin nuk kanë fuqi të kalojnë në të përtejmen dhe të flasin për parazanafillën. “Kemi nevojë për artin që të mos vdesim nga të vëretat”, thotë Friedrich Nietzche.

    Vepra e famshme e Ibn Tufajlit, filozofit arab të shekullit të dymbëdhjetë, e titulluar Hajj ibn Jakdhan, domethënë “I gjalli i biri i të zgjuarit”, pati një sukses shumë të madh dhe u përkthye në shumë gjuhë, duke nisur që nga viti 1349. Perëndimi e njohu atë nën titullin Philosophus autodidactus, dhe Defoe u frymëzua prej tij për të shkruajtur librin e tij mbi Robinson Kruzonë. Ai na tregon historinë e një fëmije të braktisur në një ishull të shkretë; ndërsa një gazelë e ushqente atë. Pak nga pak, ai fiton, pa pasur asnjë ndihmë nga jashtë, dijet më të larta. Kur ai takon, sigurisht më vonë, një dijetar që është marrë shumë me dituritë fetare, ky i fundit mund të vërtetojë vetëm “të gjitha traditat e ligjit të tij fetar në lidhje me Zotin, të Fuqishmin dhe të Madhin, në lidhje me engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditës së Gjykimit”, në atë moment Hajj, i vetmuar, kishte ndijuar pa zotëruar gjë; dhe për sa i përket atij, zbulimi vetëm se vërteton vërtetësinë e asaj që ai kishte zbuluar, sepse- dhe aty gjendet një përshkrim themelor i mendimit islam- nuk mund të ketë mospajtim midis krijimit dhe artit.

    Hajj ibn Jakdhan arrin të njohë Autorin e universit:

    “Kur ai u njoh me këtë Qenie, ekzistenca e të Cilit nuk ka dyshim, dhe i Cili është shkaku i ekzistencës së të gjitha gjërave, ai deshi të dinte se nga kush e kishte përfituar këtë njohuri dhe me çfarë aftësie ai e ndijonte këtë Qenie. Ai rishikoi shqisat e tij, dëgjimin, shikimin, nuhatjen, shijimin dhe prekjen, dhe pa se ai ndijonte vetëm ato të trupit apo ato që qëndrojnë në trupa; dëgjimi ndijon vetëm tingujt, të cilat shkaktohen nga valëzimet e ajrit që prodhohen kur trupat përplasen me njëri tjetrin; shikimi ndijon vetëm ngjyrat; nuhatja ndijon aromat; shijimi ndijon shijet; prekja ndijon temperaturat, fortësinë e butësinë, ashpërsinë e lëmimin; gjithashtu, aftësia përfytyruese kap gjatësinë, gjerësinë dhe thellësinë. Të gjitha këta veprime të ndijimit janë veti trupore; dhe shqisat nuk mund të ndijojnë asgjë tjetër, sepse ato janë aftësi të përhapura në trupa, të ndarë në të njëjtën kohë me ata vetë; gjithashtu ata nuk ndijojnë veçse trupa, që janë të aftë për t’u ndarë. S’ka dyshim se kur një aftësi e tillë që gjendet e përhapur në diçka që ndahet, kap një objekt, detyrimisht ky objekt duhet të jetë i ndarë sipas ndarjeve të vetë aftësisë. Si rrjedhojë, çdo aftësi e përhapur në një trup kap vetëm trupa ose atë që qëndron në trupa. Mirëpo, tashmë është e provuar se kjo Qenie e nevojshme në mënyrë absolute nuk ka cilësi trupore; pra, Ajo mund të ndijohet vetëm me diçka që nuk është as një trup, as një aftësi (e përhapur) në një trup, as një vartësi e trupave nga një cilësi e çfarëdoshme, që nuk është as brenda as jashtë trupave, as e bashkangjitur me trupat dhe as e ndarë nga trupat. Që atëherë, për atë është e qartë se ai e ndijonte këtë Qenie me shpirtin e vet, dhe që e kishte këtë koncept të skalitur në veten e tij; nga ku edhe nxirrte si përfundim se shpirti i vet, me të cilin ai e ndijonte Atë, ishte diçka jo trupore, të cilës nuk i përshtateshin asnjë prej cilësive të trupave; që e gjithë pjesa e jashtme dhe trupore që ai ndijonte në qenien e tij nuk ishte aspak shpirti i vërtetë, dhe që shpirti i tij i vërtetë përbëhej vetëm në atë gjë me të cilën ai ndijonte Qenien për të Cilin kishte nevojë.

    Urtari i njohur musliman Feriduddin Attar në një poezi të veten shumë qartë dhe në trajtë ekzaltuese e ka përshkruar rrugëtimin artistik drejt të vërtetës. Ai shkruan:

    Trupi yt është paracaktuar për të qenë pluhur,

    por jo shpirti yt nëse ai është i dëlirë si nur.

                A nuk janë përulur përpara teje engjëjt?

    A nuk e mban ti kurorën e “mëkëmbësit të Zotit”?

                Pasardhës i mëkëmbësit të Zotit, largoju vendeve ku mëkatin brohorasin;

    shkunde plogështinë e shpirtit tënd dhe meritoje parajsën.

                Sovraniteti të pret në Egjipt,

    përse të qëndrosh si Jusufi në fund të pusit pa dritë?

                Nëse nuk ke pushtet mbi shpirtin tënd,

    atëherë në vend të Solomonit, do të mbretërojë demoni.

                Ti je sovrani, në fillim dhe në fund, asgjë s’vlen pa ty,

    por, sa keq, njeriu sheh dy nga dy.

                Në vend të një, ti sheh dy, në vend të dy, ti sheh njëqind.

    Një, dy apo njëqind, ti je gjithçka në këtë vend.

                Ti o i mjerë, ke vetëm një zemër të mbushur me njëqind detyrime,

    si do t’ja dalësh me kaq shumë obligime?

                Deri kur, ti do të kesh dertin e bukës dhe të veshjes,

    frikën ndaj shëmtisë dhe dashurinë për zulmën?

                I pajisur që nga origjina me një qenësi të mrekullueshme,

    ti e ke arnuar me lecka rrobën tënde prej atllasi kaq të dukshme.

                Nëse ti përpiqesh në çdo çast për të dalë në praninë e Tij,

    ti do ta meritosh rrobën e nderit dhe do të thirresh: “Përulu dhe afrohu o njeri” .

    Ky asketizëm nga natyra nuk është vetëm e vetëm etik. Ai duhet të synojë që t’i lejojë shpirtit të çlirohet nga çdo gjë që e fsheh atë vetë, me qëllim që të gjejë përsëri në thellësitë e tij, Qenësinë hyjnore të fshehur nga vetë afërsia e tij. I verbuar nga fantazmagoria e fenomeneve, njeriu do të kërkojë më kot dijen çlirimtare.

    Kjo temë e rrugëtimit artistik është e ilustruar me një tregim nga Mevlana Xhelaleddin Rumiu:

    Një ditë, një sulltan thirri në pallatin e tij piktorë, të cilët ishin kinezë dhe grekë. Kinezët pretendonin se ishin më të mirët prej artistëve ndërsa grekët nga ana e tyre, pretendonin superioritetin në këtë art. Sulltani u jep atyre si detyrë që të zbukuronin me afreskë dy muret që kishin përballë. Një perde ndante të dy grupet e piktorëve të cilët vazhdonin të punonin, pa ditur se çfarë bënin konkurentët e tyre. Mirëpo, ndërsa kinezët përdornin shumë bojëra, lyerja me të cilat kërkonte shumë mund, grekët kënaqeshin vetëm duke lëmuar, pa i dobësuar muret. Kur perdja u hoq, mund të sodisje afreskët e mrekullueshme të piktorëve kinezë, të cilët pasqyroheshin në murin përballë, i cili shkëlqente si një pasqyrë. Por ja që e gjithë ajo që sulltani kishte parë në murin e kinezëve dukej shumë më e bukur, e pasqyruar në murin e piktorëve grekë.

                Dhe Mevlana Xhelaluddin Rumiu shpjegon:

                Piktorët grekë janë sufi, or baba,

                Ata gjërat s’i mësojnë përmendësh nëpër libra…

                Por zemrat i kanë lustruar si jo më mirë,

                Tek ta s’ka lakmi, urrejtje dhe smirë…

                Zemra e pastër dhe e kthjellët si pasqyrë

                Është e aftë të reflektojë çdo trajtë që t’i bjerë…

                Trajta e patrajtë dhe e pakufi e botës së fshehtë

                Shkëlqeu në pasqyrën e zemrës së Musait vetë…

  • METIN IZETI – ARTI I VËRTETË KALON PËRTEJ…

    METIN IZETI – ARTI I VËRTETË KALON PËRTEJ…

    Roli i artit, me të gjitha format e tij, është që të kërcejë andej kufive, t’i lëvizë pengesat dhe të vendosë kontakte dhe komunikim që fortifikatën globale, rrjedhimisht botën, ta shndërrojë në vend më të qetë dhe më të përshtatshëm për jetë dhe në audiencë ku njeriu do të jetë i lumtur dhe do të jetojë me sens. Por ama mendësia artistike bashkëkohore është ngulfatur në kufijtë e fizkusit njerëzor dhe assesi nuk ka kapacitet, që u tregua dy shekujt e fundit, ta joshë përmasën artistike të shpirtit njerëzor dhe si pasojë morri hov kiçi që edhe më shumë e futi në krizë edhe artin por edhe gjurmimin pas burimit të vërtetë të tij.

    Në periudhat e krizës shpirtërore  kultura dhe arti janë të skajuara në margjina, ata janë të fundtat për të cilat mendohet. Kjo është duke u vërtetuar në pjesën më të madhe të shoqërive njerëzore dhe për fat të keq këtë margjinalizim jemi duke e përjetuar edhe në diciplinat që s’mund të manifestohen pa artin, siç janë filozofia dhe feja. Mungesa e artit dhe kulturës në to është zëvendësuar me statistikën dhe përqëndrimin në kodet juridike. Por ama, trajtat e ndryshme artistike janë platforma të nduarnduarshmërisë, të dialogut dhe të vërtetimit të vlerave të caktuara dhe si të tilla e japin mundësinë, si performuesit ashtu edhe auditorit, që bashkarisht të parashtrojnë pyetje të rëndësishme për kohën dhe hapësirën e jetës. Është fakt se kriza është e pranishme, por ama, kultura dhe arti duhet të jenë burime të frymëzimit, shtytës dhe mundësi për t’u tejkaluar ajo, ose thënur ndryshe, të tejkalohen kufizimet e caktuara dhe të analizohen problemet esenciale të streseve dhe depresioneve në esencëne  gjenit njerëzor.

    Nuk ka dyshim se një nga segmentet e rëndësishme të artit është angazhimi dhe hapërimi shoqëror i tij. Vetëm në këtë mënyrë kulturën dhe artin mund ta vendosim në një pozitë dinamike. Për të qenë arti dinamik në shoqëri ka nevojë për frymëzimin i cili duhet të burojë jashtë kufive të shoqërisë, pasi nëse do ta kishte burimin brenda shoqërisë, siç është tash, do të shndërrohej në tautologji dhe bezdi. Arti e humbi dinamikën për shkak se nuk e ka lirinë e kalimit përtej kufive të shoqërisë dhe për fat të keq e përjeton burgun e lirisë fizike. Krahas angazhimit artistik shoqëror nuk duhet të harrojmë se ai ka obligime edhe ndaj vetes, rrjedhimisht ndaj esencës dhr burimit të vet. Pasi që frymëzimi konsiderohet transmisioni i idesë artistike nga burimi atëherë gjithsesi duhet seriozisht të mendojmë edhe për relacionin e artistit me burimin e artit dhe kulturës. Nëse këta dy elemente nuk bashkohen si duhet atëherë kriza e artit, së bashku me te edhe kriza e shpiritt, nuk ka mundësi të evitohet dhe arti e humb dimensionin real të tij. Pra, po qe se arti reduktohet vetëm në medium i cili do të komunikojë përmes temave që janë lëndë e brengave të përditshmërisë njerëzore atëherë s’ka dyshim që kultura dhe arti nuk mund të shtrojnë shtigje për të ardhmen dhe për shpëtimin nga gjendja e vështirë ku kemi rënë.

    Arti kërkon distancë, ai i afrohet zjarrit, i prek temat e nxehta, por edhe i trajtëson ashtu që ta ruajë aktualitetin në një kohë të gjatë. A nuk është i tillë arti antik, ai i mesjetës? Ndërsa koha e re vetëm se është kthyer në revitalizimin e temave të antikës. Eskili, Sofokleu, Euripidi, secili në mënyrën e vet e kanë bërë të amshueshëm idenë e vet përmes miteve të ndryshme që në një mënyrë e paraqesin atë që është përtej, që rrjedh nga burimi esencial i të vërtetës. Mitet e tyre nuk janë reale por tingëllojnë me zërin e vërtetësisë absolute. Nëse konstatojmë se miti është i tillë, atëherë pse mos ta themi të njëjtën gjë edhe për arketipet artistike të përfaqësuar në revelatën hyjnore. A nuk është i tillë Ibrahimi, Jusufi, Musai, Isai dhe Muhammedi (paqa e Zotit qoftë mbi to)? Personalitet e larta, është fakt, se na kanë lënë në trashëgimi koncepte të rëndësishme që janë universale. Ne e ndryshojmë veten gjatë leximit të veprave të caktuara. Ata i lexojmë ndryshe në periudha të ndryshme historike, por edhe në periudhat e ndryshme të jetës sonë. Pra, i lexojmë ndryshe kur kemi 20, ndryshe kur kemi 30 dhe ndryshe kur kemi 50 vjet! Personalitet tejkohore dhe tejhapësinore janë ndihmësit tanë, ata janë bashkëbisedues, ndërsa ne në shembullin e tyre e gjejmë zërin që shpeshherë na mungon. A nuk është fakt se na mungon ky zë në brendinë tonë!?

    Nuk ka dyshim se ne përpiqemi gjithnjë ta përkthejmë gjuhën e artit esencial në momentumin tonë dhe për të kërkojmë çelës adekuat. Ky çelës jo gjithherë është i njëjtë, ai ndryshon dhe mvarret nga ne, për shkak se edhe ne ndryshojmë. Artisti i përqëndruar realisht në burimin e artit çdoherë zbulon diçka të re dhe e trajtëson në forma të reja me qëllim që në periudha të ndryshme të gjejë ekuivalentin adekuat, ose më mirë thënur, estetikën adekuate që ta bëjë artin e tij joshës për shpirtin e kohës.

    Lëndorja na ka robëruar në kullat e veta dhe s’kemi fuqi të çlirohemi…

    Problemi i kullës lëndore është problem i shoqërisë bashkëkohore që vazhdon me inercion edhe në periudhën postmoderne. Është një problem ku individi nuk ka fuqi shpirtërore ta realizojë lirinë e tij metafizike, pra është brengë e çdo njeriu bashkëkohor i cili në vete ka bariera dhe limite të cilat gjithsesi duhet t’i tejkalojë dhe të hudhet përtej. Nga njëra anë kemi lirinë përmes parimit të vetërealizimit, ndërsa nga ana tjetër lëvizjen e disa kufive, rrjedhimisht, të murreve të kullës përmes komunikimit metafizik. Nuk ka dyshim se arti dhe manifestimi artistik është konteksti më adekuat për këtë, pasi aty njeriu hapet para ekzistencës. Koha e jonë, për fat të keq, i ndau disa kultura të caktuara njërën prej tjetërs. Feja dhe filozofia ngelën pa kulturë dhe art, ndërsa kultura dhe arti pa fe dhe filozofi!!! Ata më herët ishin elemente të konceptimit të përbashkët kulturor të njeriut. Në kët kontekst, them që, roli i artit është të kalojë përtej kufive, t’i lëvizë pengesat dhe të rivendosë kontaktin dhe komunikimin, me qëllim që këtë fortifikatë globale, këtë botë të errët siç thotë Mesha Selimoviçi, ta shndërrojë në vend më të përshtatshëm për të jetuar dhe në të cilën njeriu do të kishte mundësi të ec i lirë.

    Për artin është shumë e rëndësishme që artbërësi ta ketë guximin ta pranojë krizën dhe të konkludojë për kërcim përtej. Disa herë kjo lëvizje ka mundësi të provokojë dhe ta ekskomunikojë artistin dhe artin e tij dhe të përballet me reperkusionet e veprës së tij. Por ama ky edhe është roli i artistit në shoqëri, ta pastrojë shoqërinë nga cipa e kalbur dhe letargjike dhe ta shtojë dinamikën në të. Por sa i përket reakcionit të shoqërisë ndaj veprës në fjalë, ai është ngushtë i lidhur me vetë vetëdijen shoqërore dhe assesi me veprën artistike e cila gjithsesi se e ka për detyrë ta hapë rrugën, të vendosë paradigma të reja dhe të krijojë hapësirat e lirisë së përgjithshme.

    Anna Akhmatova, një poeteshë ruse, e ka shprehur mjaftë bukur këtë ankth të ngulfatjes në dhomën pa ajër të lëndores:

    Nuk vura perde në dritare,

    Që drejt e brenda të shikosh

    Dhe kam gëzim (si mëkatare),

    Se s’mund të ikësh, do qëndrosh.

    Po s’është e drejtë e mos e prish,

    Mëri e tallje mos i cyt,

    Pagjumësia jote isha,

    Dhe isha mall trishtimi yt.

    Ndoshta disa herë e teprojmë kur përpiqemi të themi diç më tepër në lidhje me atë që me ndjenja e ka shprehur poeti dhe të konstatojmë se këtë e këtë ka pasur për qëllim të thotë. Un jam një kohë mjaftë të gjatë në pozitën e këshillëdhënësit dhe ta them të drejtën nuk po më pëlqen shumë ky kontekst veçanërisht kur bëhet fjalë për artin. Por ja që për fund duhet të them diçka në këtë trajtë. Është shumë e rëndësishme që artistët të depërtojnë thellë në brendinë e tyre dhe ta ngjallin institucionin e imagjinatës e cila ka mundësi  të kërcejë përtej dhe të prodhojnë vepra me ide origjinale. Me një fjalë ata duhet të shohin ëndrra që të mund të mendojnë për sendërtimin e ëndrrave të tyre. Pa i pamur ëndrrat ata nuk sendërtohen. E di mirë që kjo nuk është e lehtë në këtë periudhë të krizës së përshpirtshmërisë, veçanërisht kur nuk ka hapësirë të nevojshme psiko-sociale për të depërtuar në thellësitë e shpirtit. Por ama artisti është i vetmi që ka mundësi të krijojë ambient dinamik për sfidat e krijimtarisë së të tashmes dhe të ardhmes. Është detyrë e të gjithë artistëve, këtu gjithsesi se mendoj edhe për artistët shqiptar, që në këto periudha të errëta për shpirtin artistik ta vitalizojnë atë dhe të gjenerojnë freski estetike në jetën e njerëzve.