Category: Hejza

  • METIN IZETI: MIKPRITJA SHQIPTARE E ABDURRAHMAN PASHAIT NGA TETOVA NË POEMËN E ASHIK KENZIUT

    Abdurrahman Pashai, prefekti i Tetovës në fillim të shekullit të XIX është një nga personalitetet më të shquara të jetës shoqërore dhe kulturore në këtë periudhë në Tetovë dhe me gjërë. Ai ishte djali i Koxha Rexhep Pashait dhe baba i shumë veprimtarëve shoqërorë dhe kombëtarë që erdhën nga loza e tij. Veçanërisht është i njohur me restaurimin e Harabati Baba Teqesë, Xhamisë së Larme në Tetovë, Çifte Hamamit në Tetovë si dhe ndërtimit të ndërtesave të verores së tij në kalanë e Tetovës. Në fillim të shekullit të XIX, Tetovën e ka vizituar poeti i njohur me origjinë nga Qiproja, Ashik Kenziu dhe është pritur me bujari të pashoqë nga ana e pashait tetovar. Si rrjedhojë ai e ka shkruar edhe një poemë lëvdate për pashain të cilën e ka emërtuar, Dasitan-i med’h-i Rasim Pasha/ Poema lavdëruese për Rasim Pashain. Ashik Kenziu në poemë e ka përdorur emrin lavdërues për pashain Rasim, që e ka kuptimin metaforik “Uji që rrjedh” dhe këtë emër lavdërues Ashik Kenziu e ka përdorur për ta treguar bujarinë e Pashait dhe atë duke u bazuar në porosinë profetike i cili vepërmirësinë e kategorizon si sinqeritet rrjedhës (sadaka xharije).

    Në katërvargëshin e parë Ashik Kenziu kështu e fillon poemën e tij:

    Fisnikëria dhe pushteti të qëndrofshin përgjithmon

    Sërish e gëzove këtë zemër të dëshpruar

    O zotni i im o Mbret i dashur

    Të nderoftë edhe ty Zoti që gabimet mbulon

    Ashik Kenziu i mahnitur me fisnikërinë dhe burninë e Abdurrahman Pasahit i drejtohet atij me epitetet më të larta të asaj kohe, madje këtë e lidh edhe me përmasën fetare duke iu lutur Zotit me cilësinë e Tij Settar (Mbulues i të metave) që në përshpirtshmërinë islame është përdorur si lutje për mbretërit të cilët gjatë veprimtarisë së tyre shoqërore gjithsesi se do të përballen me situata kur edhe kanë mundësi të bëjnë lëshime. Në vazhdim Ashik Kenziu thotë:

    Sërish fytyra më qeshi dhe u zbukurova

    E fshiva ndryshkun e pasqyrës në shpirtin tim

    Minierë e haresë je ti, e kuptova

    Në burni e ke shembull Aliun trim

    Ditët që Kenziu i ka kalauar në Tetovë në konakun e Pashait si dhe në teqenë Harabati Baba i ka karakterizuar si ditë të pastrimit të tij shpirrtnor. Kjo kështu pasi ziqri dhe përmendja e Zotit, sipas porosive profetike, e llushtron dhe e fshin ndryshkun e zemrës. Ndërsa fisnikëria dhe burnia e Pashait në relacion me shoqërinë në përgjithësi është cilësuar si burnia e Hazreti Aliut që është sinonim i burnisë dhe besnikërisë në përshpirtshmërinë islame dhe në poezinë e tesavvufit.

    Nuk kam pa bujar si ti, o i nderuar

    Njëmijë poetë virtytet t’ua nuk mund t’i përshkruajnë

    I lutem Perëndisë që në dukje dhe fshehtësi të të ruaj

    Evliatë të jenë me ty dhe të të mbrojnë

    Njerëzit jomirënjohës, Mbreti im, mos të të afrohen

    T’u mbyllen të dy sytë mos të të shikojnë

    Në dy botët mos të gëzohen

    Ata që bujarinë ta mohojnë.

    Në këta vargje, Ashik Kenziu, nga njëra anë lutet që Zoti dhe miqtë e Tij t’i qëndrojnë në ndihmë Pashait, ndërsa nga ana tjetër i qorton ata që nuk janë mirënjohës ndaj mirësive dhe bujarisë së Pashait. Është fakt se në këtë periudhë të trazirave shoqërore në shtetin Osman, Pashai, si edhe shumë pashallarë të tjerë të trojeve shqiptare, i kanë kundërshtuar disa nga veprimet e shtetit  në relacion me trojet shqiptare dhe si pasojë e kësaj ka patur edhe njerëz të cilët e kanë kritikuar Abdurrahman Pashain.

    Pa mungesë, Krijuesi i Madh, të ka krijuar

    Në katër anë je zgjatur, si shqiponjë fluturon

    Dielli  digjet  bukurinë për ta shikuar

    Hëna të sillet përreth, natën ta ndriçon.

    Të poshtërit fisnikërinë, nuk ta kuptojnë

    Djali i vezirit nuk ka sens për bujarinë

    Prej ku ta dijë vlerën e Rasim Pashait tonë

    Një i papastër dhe coftinë.

    Ashik Kenziu në këtë pjesë të poemës e tregon edhe konfliktin që Pashai e ka patur me djalin e ndonjërit prej ministrave të shtetit osman në atë kohë. Përderisa nga njëra anë e përmend vlerën e Pashait, në anën tjetër ai e qorton dhe e tregon pakujdesinë dhe injorancën e birit të vezirit.

    Në katërvargëshin e fundit Ashik Kenziu lutet për pashain duke e vendosur edhe emrin e tij poetik në varg, siç ishte traditë e të gjithë poetëve klasikë osmanë:

    Çdo shkathtësi nga Zoti ty t’u dhanë

    Gjuha e Kenziut e pamundshme të të lavdërojë

    Çdo ditë bajram dhe çdo natë, Natë Kadri, t’u bëftë

    Armiqët u shkatërrofshin, toka mos t’i durojë.

  • METIN IZETI: POEMA E ASHIK KENZIUT PËR KODRËN E BALLTEPES NË TETOVË

    Ashik Kenzi ka lindur në Qipro në vitin 1210/1834 dhe dihet se emri i tij i vërtetë është İbrahim Kasım. Kenzi, i cili emigroi në Anadoll në moshën 12-vjeçare me familjen e tij dhe u rrit në teqetë bektashiane, njihet si një rapsod dhe poet i cili ka kënduar edhe me sharki.  Kenzi, ka lëvizur në jug dhe në perëndim të Anadollit, në viset e Ballkanit dhe shumë vise tjera të shtetit Osman. Më pas ai është  martuar dhe është vendosur në Edrene, por nuk qëndroi kohë të gjatë aty. Pasi kreu shërbimin ushtarak në Maroko, u kthye në Qipro, por rrugës u ndal në Egjipt dhe gjatë qëndrimit aty ka shkruar një poemë ku e ka lavdëruar pashain shqiptar të Egjiptit, Mehmet Ali Pashën nga Kavaja, i cili aso kohe ishte guvernator i Egjiptit. Ashik Kenzi ka pasqyruar në poezitë e tij vendet që ka vizituar, luftërat në të cilat ka marrë pjesë dhe përshtypjet e tij. Ai, në vitin 1822 e ka vizituar Tetovën dhe ka shkruar disa poema për mikpritjen nga pashai shqiptar i Tetovës, Abdurrahman Rasim Pashai, më pas, për një trim të rrallë të Tetovës, i cili e ka pasur emrin “Sylë”.

    Një nga poemat e tij, që i ka shkruar gjatë vizitës në Tetovë, është edhe poema për kodrën e Balltepes, ku ai ka qëndruar në veroren e Badurrahman Pashës, pra, në kalanë e Tetovës.

    Në poemën që e ka titulluar “ Dasitan Nazm-i Evsaf-i Baltepe (Poemë e rrimuar për cilësitë e Balltepes)” ai në detaje i ka përshkruar godinat e verores (kalasë) së Abdurrahman Pashait dhe pamjen e Tetovës me fshatrat nga kjo kodër.

    Ashik Kenziu poemën e tij për kodrën e Balltepes e fillon me këto vargje:

    Cilësitë e Balltepes të përshkruaj

    A më lejon, zotrote i dashur, të shkruaj

    Godinat që në të janë unë t’i tregoj,

    Një nga një, zotrote, t’i sqaroj.

    Që në fillim të poemës, Ashik Kenziu, tregon se ndërtues i verores në kodrën Balltepe është Abdurrahman Pashai:

    Balltepe, është një kodër e lartë

    Rasim Pashai hodhi aty një bazë

    Unë s’kam pa ndërtesë më të bukur

    Edhepse në shumë vende jam dukur.

    Gjatë përshkrimit të murreve të kompleksit në kalanë e Tetovës ai flet me entuziazëm dhe thotë:

    Dy arshin të trashë e ka çdo murrë

    Asgjë s’është ngat tyre fortifikata e Vanit (qytet në Turqi)

    Në grykë është vendosur e kontrollon çdo anë

    As një zog, fshehtas, nuk mund të fluturojë.

    Në vargjet në vazhdim Ashik Kenziu e pëshkruan pozitën strategjike dhe të bukur që e ka verorja e Abdurrahman Pashait:

    Gjoksin, në malin Sharr, e ka të mbështetur

    Njërin krahë në drejtim të Prizrenit e ka zgjatur

    Thelbin e ka me Zotin, fytyrën në kible të kthyer

    Katër anë i sheh, zotrote, është e vyer.

    Ashik Kenziu në këtë poemë, që mendoj se është e rëndësisë së veçantë, i përmend edhe tyrbet e të mëdhenjve shpirtërorë që kanë qenë të varrosur aty dhe përreth:

    “ Nga njëra anë është Baba Jarani i shpellës

    Karshi qëndron Sersem Ali Baba prekës

    Katër anët, evliatë, ia mbrojnë

    Njëri prej tyre është Kojun Baba, i thojnë.

    Baba Jarani është një prej baballarëve bektashi që është i varrosur në kalanë e Tetovës, ndërsa tyrbeja e tij është prishur nga ushtarët serb në periudhën e luftrave ballkanike. Sersem Ali Baba është themeluesi i teqesë bektashiane në Tetovë, ndërsa Kojun Baba është themeluesi i teqesë bektashiane në fshatin Shipkovicë në malësi të Tetovës.

    Në vargjet në vazhdim Ashik Kenziu e përmend edhe pozitën e qyteteve dhe fshatrave që zgjaten në vijë ajrore nga kodra e Balltepes. E përmend Dibrën, Kërçovën, fshatin Zhelinë, fshatin Saraqinë të Tetovës, që janë në drejtim të Shkupit, e përmend Shkupin, Ohrin.

    Gjithashtu në vargjet e kësaj poeme të gjatë, Ashik Kenziu e përshkruan edhe anën estetike të arkitekturës dhe dekorimeve që janë bërë në kalanë e Tetovës nga Abdurrahman Pashai. Thotë që në murret e ndërtesave kanë qenë të vizatuara një numër i madh i qyteteve të mëdha të shtetit Osman, kopshti ka qenë i mbushur me lule të sjellura nga vende të ndryshme të lindjes dhe perëndimit, ajri në këtë pjesë të kodrës ka qenë shumë i pastër dhe i freskët. Poeti veroren e Abdurrahman Pashait në kalanë e Tetovës e krahason me kalatë e famshme të shtetit Osman, ndërsa Abdurrahman Pashain e lavdëron për mikpritjen, zemërgjerësinë dhe përkushtimin fetar që e ka patur.
    Në vargjet e fundit të poemës, Ashik Kenziu, i kërkon një kalë Abdurrahman Pashait për të shëtitur viset e ndryshme të shtetit Osman, të cilin edhe ia dhuron Abdurrahman Pashai. Ashik Kenziu ka qenë i mahnitur nga bukuritë e Tetovës dhe mikpritja shqiptare e bërë nga Abdurrahman Pashai, prandaj edhe ia ka kushtuar një poemë edhe vetë pashait, por për këtë poemë do të themi diçka në shkrimin e rradhës.

  • METIN IZETI: POETI TETOVAR REMZI

    METIN IZETI

    Në periudhën osmane ka vepruar një numër i madh i poetëve shqiptarë të cilët kanë shkruar poezitë e tyre në turqishten e vjetër. Pjesa dërmuese e tyre ka lënë gjurmë të konsiderueshme edhe në letërsinë e shkruar në periudhën osmane. Për fat të keq, shumica e tyre, si rrjedhojë e konceptit armiqësor ndaj çdo gjëje që kishte karakteristikë osmane nga pushteti komunist në trojet shqiptare, kanë mbetur të panjohur për nënqiellin dhe letërsinë shqiptare. Mendoj se është padrejtësi ndaj veprimtarëve shqiptarë të kësaj periudhe që veprat e tyre, krahas asaj që nuk kanë qenë në gjuhën shqipe, të mbeten të fshehura dhe të panjohura për auditorin shqiptar. Unë këtu do të jap disa informata të shkurtëra për poetin shqiptar të shekullit të 19 që e ka përdorur emrin poetik Remzi.

    Emri i Remziut nuk përmendet në përmbledhjet biografike të poetëve të periudhës osmane, ndërsa për vendlindjen, kohën kur ka jetuar dhe prejardhjen e tij, informohemi nga kronogramet në vargje që i ka shkruar për personat dhe monumentet e kohës kur ka jetuar. Në përmbledhjen e poezive (Divan) të Remziut ka 19 kompozime kronogramike që e tregojnë qartë se ai ka jetuar në shekullin e 19. Në dyvargëshin kronogramik që e ka shkruar në lidhje me restaurimin e kubesë në Mejdanin (objektin e ritualeve të tarikatit bektashi) në Teqenë Harabati Baba në Tetovë nga ana e Rexhep Pashait, sipas llogaritjes numerike të shkronjave (ebxhed) del viti 1225/1810-11 që e tregon qartë se ai në këtë periudhë ka qenë një poet i pjekur i cili ka arritur pjekurinë për të shkruar vargje kronogramike. Në përkthim të lirë në këtë dyvargësh kushtuar Rexhep Pashës ai thotë:

    “Shërbëtor jam, në halle nga ashku ky Remzi e shkroi këtë datë

    Ai që ndërtoi këtë vakëf, të mos ketë dert e mundime O Zot i madh”.

    Në një dyvargësh tjetër kronogramik, Remziu, e tregon qartë se ka qenë një nga dervishët e Teqesë së Sersem Ali Babait (Harabati Baba) në Tetovë:

    “ Ky Remzi jam dervish me derte plot dhe shkrova këtë datë

    I gëzuar që sërish u rindërtua teqeja e Sersem Ali Baba’së”.

    Llogaritja numerike e shkronjave të këtij dyvargëshi është viti 1231/1815-16) dhe e tregon qartë se ai së bashku me dervishët tjerë të kësaj teqeje janë gëzuar për rihapjen për ibadet të teqesë Harabati Baba në Tetovë. Kjo periudhë edhe historikisht përkon me restaurimin e teqesë nga ana e Rexhep dhe Abdurrahman Pashait.

    Gjithashtu një kompozicion kronogramik në vargje, poeti Remzi, e ka shkruar edhe në lidhje me restaurimin e Xhamisë së Larme nga ana e Abdurrahman Pashait. Ai në poezinë që e ka titulluar: Historia e Xhamisë së Abdurrahman Pashait, thotë:

    “Pak është edhe një mijë vjet “Mashallah” t’i thuhet kësaj zemre(xhamisë)

    Çdo i mençur me mirësi e përmend emrin e ndërtuesit të saj

    Më parë ishte një xhami e vogël  mëhalle

    Ishte rrënuar nga koha dhe kishte mbet pas dore

    Kësaj here emrin e Abdurrahman Pashait përmende

    E gjallëroi sërish ate, harxhoi pasuri të madhe.”

    Remziu ka shkruar edhe një kompozicion kronogramik në vargje edhe në lidhje me Urën e Abdurrahman Pashës. Më drejtë bëhet fjalë për urën që e ka lidhur pjesën e Hamamit të Tetovës me Shtëpinë e Beut dhe Xhaminë e Larme, që sot nuk ekziston. Në poezinë e tij Remziu e thekson se Tetova (Kalkandelen) është e vendosur në rrëzën e malit Sharr dhe lumi Shkumbin e ndanë atë në dy pjesë dhe kjo urë i bashkon dy anët e qytetit, thotë ai.

    Në bazë të kompozicioneve kronogramike është shumë e qartë se Remziu ka jetuar në fillim të shekullit të 19 në Tetovë dhe aty e ka kaluar jetën. Ai në një dyvargësh flet edhe për fisin e tij, i cili është thirrur Sudë, dhe ka qenë pjesëtarë i tarikatit Bektashi në Tetovë.

    Remziu, gjithashtu, ka edhe një poezi dymbëdhjetë strofëshe që ua kushton dymbëdhjetë imamëve, pra bijëve të Pejgamberit a.s..Kjo poezi është titulluar “ Munaxhat Med’h-i Duvazde Imam (Përgjërim dhe lavdërim i dymbëdhjetë imamëve).  Remziu ka shkruar edhe një elegji (mersije) në lidhje me rënien dëshmorë të Hazreti Huseinit në fushën e Qerbelasë. Kjo elegji e tij është kënduar në ditët e muajit Muharrem në teqenë Harabati në Tetovë.

    Remziu siç e thekson në poezitë e tij, ka shkruar poezinë për të shprehur ndjenjat e dashurisë ndaj Zotit dhe si rrjedhojë e frymëzimit nga ithtarët e të vërtetës (ehli hakikat). Gjithashtu në disa vargje e ka theksuar se poezia është forma më e mirë nëpërmjet të cilës ka mundësi të futet në kallëpe ndjenja dhe emocionimi shpirtnor dhe dashuria ndaj Zotit. Ai thotë:

    “Pena e  poetit i derdh perlat e dalura nga nishani faqes së të Dashurit

    Ai e lavdëron, më zëra të ndryshëm, vetëm faqen e të Dashurit”.

    Në vargjet e shkruara në turqishten e vjetër, nga Remziu, shpeshherë haset në gabime gjuhësore që e tregon qartë se ai ishte shqiptarë.

    Divani (Përmbledhja me Poezi) në dorëshkrim i Remziut, që gjindet në Bibliotekën Kombëtare në Shkup, si çdo vepër e kësaj periudhe, fillon me “Bismil-lah” dhe më pas vazhdon me një poezi lavdëruese për Pejgamberin a.s.. ( Na’t-i Sherif-i Server-i Kainat Mefhar-i Mevxhudat Muhammed Mustafa). Divani i Remziut ka 30 kaside, 302 gazele, 4 katërvargëshe, 14 pesëvargëshe, 17 gjashtëvargëshe, 1 dhjetëvargësh dhe në total ka 309 poezi. Të gjitha poezitë janë të rimuara. Poeti Remzi, sipas fjalëve të tij, nuk pretendon të jetë një “poet i mirë” . Përkundrazi, ai është një dervish i sinqertë që e vuri penën e tij në dispozicion të mendimit të fesë. Pavarësisht kësaj, ai është një poet që njeh traditën dhe herë-herë e shpreh zotësinë e tij në estetikën e letërsisë klasike. Poezia dhe gjuha e tij i ngërthen veçoritë lokale, ai hedh dritë mbi periudhën dhe rajonin ku ka jetuar, veçanërisht me poezitë e tij historike të shkruara në stilin e lëvdatave. Përkushtimet e shkruara ndaj poezive të poetëve të kohës së vet të lënë përshtypjen se ai lexonte poetët e shquar dhe se ishte në kontakt me disa poetë të periudhës së tij  si Kenziu, Hulusi, Handiu e të tjerë.