Category: Hejza

  • METIN IZETI: FYELLI I NAIM FRASHËRIT SI ALUZION I NJERIUT TË PLOTË (INSAN KAMIL) – Pjesa 2 – DRITA NË ARKAT SHIPRTËRORE

    Tingulli i fyellit është zjarr dhe i njëjti zjarr kalon edhe tek ata që e dëgjojnë, sodisin. Emocionet që ngjall janë djegëse dhe mbresëlënëse. A është e mundur të dëgjosh fyellin dhe të mos digjesh?

    Vijon prej numrit të kaluar —> Pjesa 1 Linku —> https://metinizeti.com/?p=5792

    Fyelli, respektivisht, njeriu i plotë (insan kamil) flet për sekretin e origjinës. Ai është i afërt me njerëzit e mirë dhe të ligë brenda popullatës së gjerë dhe sillet mirë me ta. Pasi njeriu në çdo gjendje të tij prezantohet në rrugën e arritjes deri te e Vërteta. Pikërisht për këtë, njerëzit në suaza të diturive dhe ndiesive të tyre afrohen me këta njerëz të ngritur dhe përpiqen të përjetojnë gjendjet e tyre.

    Njerëzit me mua rrinë,
    Unë qanj’ e mallëngjehem,
    Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë
    Andaj kurrë s’përdëllehem.

    Gjith’ ata që janë ndarë
    Fyellit shokë ju bënë,
    Shkallët’ e tij disa farë,
    Na shkalluan mëndjen tënë.

    Unë njerëzve të secilës shkallë ua tregova sekretet e realitetit, mirëpo ata mu afruan në bazë të mendimeve të tyre. Nuk e kërkuan rrugën e arritjes deri te njohja dhe qëllimi i sekreteve të mia të brendshme. Por, për të ecur në rrugën e të ngriturve duhet lëshuar rrugën e spekulimit. Shkurtë, e vërteta hyjnore nuk dihet me spekulim. Deri te të vërtetat arrihet vetëm nëpërmjet të dijes bindëse (jakin) duke lënë prapa çdo lloj të dyshimit dhe dymendësisë. Vetëm nëpërmjet të kësaj rruge ka mundësi të shihet drita në arkat shpirtërore dhe  kuptimi i varrosur në fjalët e evliave. 

    Rrëmet i njerëzisë!
    Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
    Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
    Që i ra kallamit mjerë!

    I ra qiellit e ndriti,
    I ra zëmrësë e nxehu,
    I ra verës e buçiti,
    I ra shpirtit, dhe e dehu.

    I dha erë trëndafilit
    I dha dritë bukurisë,
    I dha këngëtë bilbilit,
    I dha shije gjithësisë.

    Ay zjar i ra në qiej,
    Edhe duke përvëluar,
    U bënë kaq yj e diej,
    Që i mba Zoti ndër duar,

    Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
    Që ka ngehur gjithësinë,
    Hoth një shkëndijë në jetë,
    Dhe bëri soje njerinë.

    Njeriu pasi të kryejë udhëtimin gjysëmharkor të zbritjes së substancës hyjnore dhe të kalohen shkallët e zjarrit, ajrit, dheut, bimës, kafshës e fillon gjysëmharkun e ngritjes drejtë Zotit dhe në hapin e parë të kësaj ngritjeje e përjeton qenësinë. Njeriu është pasqyrimi substancës hyjnore në këtë pikë.

    Kur të arrijë në këtë pikë , për tu kthyer drejtë origjinës ka dy rrugë: Nëse e mbaron jetën dhe vdes pa u ngritur. Por në këtë mënyrë ai nuk fiton asgjë prej kalimit të jetës. Ai gjatë jetës së tij në këtë botë nuk e ka ditur se kush është, prandaj edhe në botën tjetër do të jetë në gjendje të paditurisë.

    Ndërsa nëse njeriu në këtë botë takohet me një njeri të ngritur, gjegjësisht nëse e dikton substancën e tij me kujdesin e një udhërrëfyesi, ka mundësi të kuptojë se për ku dhe kë e ka përmallimin në brendinë e tij. Së pari e gjen Zotin në botën e tij të brendshme e më pas në atë të jashtmen. Të ndierit e ekzistencës së Zotit në brendinë njerëzore emërtohet si “texhelli” (pasqyrim). Njeriu që ka arritur të përjetojë pasqyrimin hyjnor, gjithësinë e vështron me vështrimin e Zotit dhe bëhet pronar i sekretit me të cilin e sheh Zotin në çdo vend. Kjo gjendje, është ripërtrirje e dijes me Zotin. Por , nuk është takim (visal) i plotë. Njeriu edhe kur të arrijë në shkallën e përsosshmërisë ndien një përmallim të shijshëm për origjinën e tij.

    Frymat e ngrohta dashurore  kalojnë në brendinë e fyellit. Kjo frymë, lëvron dhe nxjerr çdo gjë përveç dashurisë prej tij, prej njeriut. Pastaj e sjell në pozitë buzë më buzë me të dashurin. Fillon të rënkojë dhe të vajtojë. Rënkimi dhe vaji që vinë prej brenda njëkohësisht e shprehin edhe sekretin e njeriut, gjegjësisht këndojnë për realitetin dhe lumturinë që e përjeton ai në brendi.

    Shkurtë, sekretet e fyellit janë shndërruar në fjalë në gjendje tingullore. Mirëpo ata që i kanë sytë e mjegulluar dhe që nuk u dëgjojnë veshët nuk kanë dritë për të pa dhe nuk kanë arritur gjendjen për të kuptuar realitet për të cilat flet fyelli.

    Tingulli i fyellit është zjarr dhe i njëjti zjarr kalon edhe tek ata që e dëgjojnë, sodisin. Emocionet që ngjall janë djegëse dhe mbresëlënëse. A është e mundur të dëgjosh fyellin dhe të mos digjesh? A është e mundur të dëgjosh tingujt e tij të rrënjosura thellë dhe të mos lejosh kujtimet e dhimbshme të vijnë në tru dhe në zemër? A është e mundur të mos kujtojmë dhimbjen e lindjes, dhimbjen e frymës që nxiton në mushkëri? A është e mundur të mos e ndjeni përsëri mundimin në zhvillimin e eshtrave në çdo rritje të trupit? Si mund mos të dëgjojmë ndarjet, poshtërimet, dashuritë, mëkatet… Edhe ne kemi zjarr, zjarri nuk është vetëm tek fyelli. Por ai zjarr herë shuhet, herë bëhet hi. Kjo është zhdukja jonë, rënia jonë në mjerim.

    Njeriu është krijuar nga brumi i dashurisë, në çdo grimcë të tij ka gjurmë dashurie dhe mëshire. Ka shenja të mëshirës dhe dashurisë së Krijuesit ndaj robërve të Tij. Njeriut i është dhënë dhurata të dashurojë dhe të dashurohet.  Dashuria është uji i mbetur në të çarën e hollë të një shkëmbi që ngrin në dimër dhe e plas, e copëton, e lëshon nga shkëmbinjtë poshtë. Dashuria është një anije që lundron nëpër një uragan. Dashuria është rihapja e luleve çdo pranverë. Dashuria është historia mijëravjeçare e rrapit të madh. Dashuria është rrotullimi i botës. Dashuria digjet  dhe nxeh si dielli. Dashuria është ana e bardhë e hënës. Tingulli në fyell, është gjithashtu dashuri; edhe dehja kuptimore po ashtu. Njeriu i dashuruar në Krijuesin e humb veten në bashkësinë me Të. Rrushi është i ëmbëlsuar me dashuri.

    More zjar i bekuar!
    Unë me ty jam përzjerë,
    Pa jam tretur e kulluar,
    Po të kam shpirt, mos më lerë.

    Procesi i çlirimit nga iluzioni lëndor ia rrit aftësinë e njeriut për të ndjerë. I mundëson të ndjejë dashuri, mirësi dhe dhembshuri, por edhe poshtërim, keqardhje dhe pikëllim. Ai fillon të shohë dallimin midis së drejtës dhe së gabuarës, së mirës dhe së keqes dhe mes asaj që është e hijshme dhe ajo që është e turpshme. Ai e kupton se e mira dhe e keqja nuk mund të krahasohen. Ai zhvillon një shqetësim (ndjenjë detyrimi) për të tjerët. Ai e kupton nevojën për këshilla të mira dhe urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, me fjalë tjera e varros egoizmin  dhe egocentrizmin e tij.

    Kërkimi i të vërtetës  mbështetet nga dashuria për të vërtetën. Naimi na e kujton nevojën për të dashuruar të vërtetën (hakikatin). Dashuria për të vërtetën manifestohet jo vetëm në një kuptim subjektiv, por edhe në formë transcendentale, si e vërteta apo e Vërteta më e lartë. Dëshira për ta gjetur të vërtetën  tregon një kërkesë të konsiderueshme për zgjimin shpirtëror. Qëllimi i këtij “zgjimi” është që t’i mundësojë njeriut “të rikarikojë bateritë e tij shpirtërore “, për të rivendosur ekuilibrin e tij mendor dhe shpirtëror.

    Këto iluminime në poezinë e Naimit na lejojnë të kuptojmë më mirë botën përreth nesh, të ndjejmë ndërlidhjen midis të brendshmes dhe të jashtmes. Dhe ato gjëra që deri atëherë na dukeshin si të pazakonshme gradualisht kthehen në të zakonshme. Nga njëra anë, bota bëhet më e thjeshtë, dhe nga ana tjetër, më e pashpjegueshme por e përjetueshme, sepse një pjesë e konsiderueshme e të kuptuarit të fituar është shumë e vështirë të shprehet me fjalë.

    Në poezinë e Naimit, bukuria fizike konsiderohet si pasqyrim i bukurisë shpirtërore. Prandaj, ai, ngjashëm si edhe shumë poetë sufik thekson rregullisht bukurinë e jashtëzakonshme të të Dashurit të tij dhe i kushton shumë vëmendje përshkrimit të tij. Ky ideal i bukurisë nuk është as subjektiv dhe as pasqyrim i personalitetit të poetit, shijes së tij, por është një model i vendosur me anë të të cilit poetët portretizojnë karakteristikat e të Dashurit absolut (Zotit). Karakteristikat fizike më së shpeshti krahasohen me motive nga bota bimore, veçanërisht me lule. Bimët janë një motiv shumë i rëndësishëm i kësaj poetike .Trëndafilat, tulipanët dhe zymbylët dhe të ngjashme paraqesin pasqyrime të koncepteve të ndryshme metafizike. Për shkak të përdorimit të shpeshtë të motiveve bimore, hapësira e dashurisë shpirtërore shpesh krahasohet me një kopsht plot me lule të ndryshme, gjë që thekson se fytyra e të Dashurit është plot me tipare të bukura fizike.

    Ndër motivet tjera nga natyra, Naimi ka përdorur edhe erën, ajrin, ujin, dielli, hëna, zjarri, drita. Motivi i erës dhe i flladit të mëngjesit  më së shpeshti simbolizon frymën e Zotit, lajmëtarin e lajmit të mirë dhe frymën që jep jetë. Askush nuk troket në derën e të dashurit përveç erës së mëngjesit dhe nuk ka kush të djegë atë në zjarr apo vuajtje. Ai i këndon ndjenjës së mjerimit, duke pohuar se mungesa e të Dashurit (Zotit) sjell vetëm vetminë dhe trishtimin. Zjarri është një motiv që Naimi  e përdor për të përshkruar ndjenjat e dashurisë dhe djegien për Zotin. Ai flet  për zjarrin e dashurisë që ndezi zjarrin e shpirtit të tij. Ai zjarr i dashurisë është aq i fortë sa flaka e tij ngrihet deri në qiell. Kjo është një figurë ekzagjerimi, por edhe personifikimi, sepse zemra “digjet dhe rënkon”, dhe flaka “ngjitet në qiell”. Në këtë mënyrë Naimi ngjall një ndjenjë të fortë vuajtjeje për të rritur ekspresivitetin dhe për ta freskuar shpirtin e tij. Ai  i këndon një zemre që digjet nga vetmia dhe malli për të Dashurin. Në vargjet e tij për dashurinë ka aq mall sa flaka e dashurisë ia djeg trupin. Ashiku beson se duke u djegur në zjarrin e dashurisë ai arrin unitetin me të dashurin e tij. Kjo djegie dhe bashkim shpirtnor përfaqësohej nga motivi i një fluture dhe një qiri, ku i dashuri është një qiri dhe ashiku një flutur që admiron bukurinë e Tij dhe, i tërhequr nga drita, rrotullohet përreth zjarrit. Momenti kur flutura digjet në flakën e një qirije simbolizon bashkimin shpirtëror të poetit me Zotin.

  • METIN IZETI: FYELLI I NAIM FRASHËRIT SI ALUZION I NJERIUT TË PLOTË (INSAN KAMIL) – Pjesa 1 – TË DËGJOSH ZËRIN E THELLË TË UNIVERSIT

    Ngjashmëria e shprehjes së Naimit me klasikët e tesavvufit, siç është Mevlana Xhelaluddin Rumiu, është për shkak të ngjashmërisë së ndjenjave dhe emocioneve të larta dhe rrugës shpirtnore që e ndiqte Naimi si edhe Mevlana.

    Poezia Fyelli është pjesë e librit me poezi lirike Lulet e verës e Naimit e cila ka tematikë të ngjashme me 18 vargjet e para të Mesnevi’së të Mevlana Xhelaluddin Rumiut. Në pjesën më të madhe të komenteve dhe trajtesave që I janë bërë kësaj poezie të Naimit është diskutuar përmasa lëndore e fjalëve të përdorura në të dhe shumë pak është analizuar platforma shpirtnore e Naimit, e cila ka buçitur, me ndjenjën e dashurisë, ngjashëm si edhe ajo e Mevlana Xhelaluddin Rumiut. Në disa raste mund të haset të thuhet se Naimi e ka kopjuar Mevlanain në vargjet e kësaj poezie. Ky konstatim dhe komentet që janë të përqëndruara vetëm në përmasën lëndore të poezisë janë shumë larg prej kuptimit të realitetit me të cilin është djegur zemra naimiane.

    Hapësira poetike e Naimit, në pjesën më të madhe është e ndikuar nga konteksti sufik, i cili gjatë historisë por edhe në qasjen e Naimit, bie në sferën e gjuhës dhe shndërrohet në “përmbajtje” vetëm si element përbërës i dikitomisë përmbajtje-shprehje. Poezia Fyelli,  në realitet  flet për të pashprehurën e përmbajtjes. Këtu fjala nuk është për marrëdhëniet e përmbajtjes dhe shprehjes, porse për pamundësinë e sferës së gjuhës me përmbajtjen dhe shprehjen e saj jashtë gjuhës, që i takon tejfizikes.  Ngjashmëria e shprehjes së Naimit me klasikët e tesavvufit, siç është Mevlana Xhelaluddin Rumiu, është për shkak të ngjashmërisë së ndjenjave dhe emocioneve të larta dhe rrugës shpirtnore që e ndiqte Naimi si edhe Mevlana. Pra, në këtë poezi bëhet fjalë për prezantimin e idesë së lartë nëpërmjet konceptit të njeriut të plotë (insan kamil).  Shembuj të këtillë kemi pa numër, mirëpo që të mos zgjerohemi tepër, do të përqëndrohemi në prezentimin e këtyre vlerave të Idesë së Lartë në poezinë  Fyelli të Naim Frashëri.

    Të gjitha aspektet e jetës dhe veprës së Naimit në këtë ose atë mënyrë janë studjuar dhe analizuar, mirëpo njëra ndër karakteristikat më dalluese në aktivitetin jetësor dhe poetik të Naimit, në etikën dhe mendimin e tij – karakteri sufik Islam- gjithnjë është mbajtur në hije. Nuk ka asfarë arsye që kjo vetëdije e lartë e Naimit, e lartë po aq sa edhe e Xhelaluddin Rumiut, Hafizit, Shejh Sadiut, Goethes, Mjeshtër Eckhartit etj., të zvogëlohet ose zhvlerësohet qëllimisht.

    Naimi është njohës mjaft i mirë i tesavvufit islam e posaçërisht i tarikatit bektashian. Ai shumë bukur e njeh poezinë klasike sufike, hollësitë e saja, e krahas saj edhe të gjitha detajet e retorikës. Në poezinë e tij në formë tepër tërheqëse janë të vendosuara vargjet e larta shpirtërore, ku në formë simbolike e ku direkte.

    Naimi në veprën e tij shpeshherë thekson fjalën dhe relacionin e saj me realitetin i cili qëndron fshehur pas saj. Ai njëkohësisht orvatet që këtë relacion mes fjalës dhe realitetit ta zgjidhë dhe ta prezentojë sa më mirë. Nuk ka dyshim se Naimi këtë zgjidhje e ka gjetur, poezia e tij është tepër e logjikshme, për shkak se ai është një poet i cili i ka mbetur i sinqertë esencës, dashurisë dhe botëkuptimit të vet dhe të gjitha këto ngjarje i ka kahëzuar dhe formuluar sipas ligjit të tij të brendshëm.

    Poezia Fyelli, nga vargu i parë e deri tek i fundit, e parashtron retorikën emocionale të njeriut të plotë (insan kamil). Naimi në trajtë shumë të ngritur e ka përfaqësuar  në poezinë e tij përmallimin e njeriut për origjinën dhe eternalitetin e tij. Ai në poezinë e tij e ka shfaqur  idenë e  njeriut që nuk e ka humbur fizognomikën e vete. Ai flet për  artin, shkencën dhe filozofinë që nuk e kanë haruar pajtimin e tyre me parimin e natyrshmërisë, respektivisht logosit. Edhe gjërat në poezinë e tij i rrëfejnë atyre që dijnë ta përdorin senzoriumin e vet. Figura poetike në poezinë e Naimit na paraqitet si e llojllojshme dhe mimikë ekzistenciale. Figura e njeriut të përsosur në të na afrohet si pejsazh, lojë e formave dhe ngjyrave, sikur pandërprerë ndryshojnë, që duken si akcidenca të tjerura mes vetes por pa platformën e zezë. Një numër i madh i personazheve dhe përmasave reliefe gjeografike në këtë poezi të Naimit e kanë humbur kompetencën individuale të përkapjes ose aftësinë e vrojtimit autentik. Heideggeri këtë pozicion e konsideron si status specifik të artistit ose të pragmatizmit të së vërtetës. Kjo tërësi, thotë Heidegerri, është më se e qartë se është humbur në qytetërimin modern. Një paralele të njëjtë do të tërhjekë edhe Albert Camyja. Camyja do të thotë: “ Nuk ka rrugë tjetër përveç asaj që të priten rrënjët që e lidhin njeriun vetëm me jetën dhe natyrën, gjegjësisht me lëndën. Nuk është e rastit që librat kryesore të ditëve të sodit, në vend që të merren me nuancat e zemrës dhe vërtetësinë e  dashurisë, ata amullohen vetëm me gjykatësit, proceset dhe mekanizmat e akuzës dhe padisë. Në vend që të hapen dritaret metafizike para bukurisë botërore, ata me ngarkesë i mbyllin në brengën e të vetmuarit dhe të huajit. Vargjet e Fyellit flasin për paralelizmin e qenies dhe të vërtetës, ose më mirë thënur e shprehin antropologjinë reale të zbulesës dhe kontaktit hyjnor me dukshmërinë dhe përmasën e kthimit drejtë Tij.

    Naimi e fillon poezinë e tij me fjalën “Dëgjo”:

    Pa dëgjo fyellin ç’thotë
    Tregon mërgimet e shkreta,
    Qahet nga e zeza botë
    Me fjalë të vërteta.

     Sugjerimi “dëgjo” është ekuivalenti i urdhërit “lexo”. Do të thotë të dëgjosh atë që lexohet, të dëgjosh zërin e thellë të universit, të dëgjosh veten. Fyelli këndon, të gjithë dëgjojnë; Njeriu shikon gjithçka me një mësim. Dëgjimi është shumë i rëndësishëm. Ata që dëgjojnë, e vënë veshin dhe janë të vëmendshëm kanë sukses; Ata që dëgjojnë dhe binden do të arrijnë shpëtimin. Ai që nuk dëgjon nuk mund të mësojë, nuk mund të dijë, dhe mendja dhe zemra e tij nuk mund të pasurohen. Ai që dëgjon është i respektueshëm; ndaj universit, ndaj krijesave, ndaj njeriut dhe sigurisht ndaj vetvetes. Dëgjuesi ka krahë, ngrihet, fluturon dhe lundron. Ai që nuk dëgjon është i mjerë, zvarritet si gjarpër në plehra. Sa bukur është të dëgjosh gjithësinë, duke e parë para vetes. Sa e ëmbël është të dëgjosh ujin, në burime, përrenj dhe ujëvara. Sa bukur të dëgjosh zhurmën e shiut, në ditët e nxehta të verës. Kudo ka zë, edhe bota kthehet me zë, edhe hëna e shikon botën me zë. Sa mirë që mund t’i dëgjojmë këto zëra, sa mirënjohës jemi, apo jo? Sa bukur është të dëgjosh të vërtetën, sa e ëmbël, sa e këndshme, sa emocionuese, sa djegëse, por edukative, sa harmonike por kuptimplote, sa e këndshme dhe edukative të dëgjosh urtarët, të dëgjojmë miqtë tanë, të dëgjojmë fëmijët tanë , të dëgjojmë frymëmarrjen e foshnjave … Shkurt, të dëgjosh, të përqëndrohesh në qenien… prandaj Fyelli fillon me fjalën “dëgjo”.

    Edhe fyelli, gjithashtu, është një  simbol; përfaqëson universin dhe mirëpret njeriun. Naim Frashëri shpreh interesimin dhe dashurinë e tij për atë që mendon duke thënë “çka është kjo rrëfenjë?”. Pra, dëgjo fyellin se ai është miku yt, i afërmi yt; sepse ka ankesa, ka një histori, ka gjëra për të treguar. Mos dëgjo vetëm zërin e tij përvëlues, dëgjoje edhe vetë atë, por përpiqu ta kuptosh edhe atë histori të trishtë; sepse ka ankesa për ndarjet. Fyelli nga njëra anë është lapsi i cili shkruan dhe një mjet i shenjtë. Nga ana tjetër, fyelli është simbol i të ngriturve (evlija) dhe flet me gjuhën e tyre. Evlijatë, në të vërtetë janë në afërsi me Zotin. Por para këtij takimi kanë përjetuar shumë përmallime për shkak të largësisë dhe sa e sa tortura për shkak të ndarjes. Evlijatë vajtojnë për hjekat e ndarjes me zë të djegur si edhe fyelli dhe me këtë ua tërheqin kujdesin të neglizhuarve. Të qenurit në këtë botë dhe brenda kafazit të trupit do të thotë të jesh në gjendje penguese për takim me Zotin. Për ata që e dijnë sekretin e të qenurit një me Zotin dhe që e kanë perceptuar lartësinë eterne të kësaj gjendjeje, një pengesë e këtillë është shkak për përmallim dhe vajtim të thellë.

    Prandaj kur fyelli thotë:

    Që kur se më kanë ndarë
    Nga shok’ e nga miqësija,
    Gra e burra kanë qarë
    Nga ngashërimet e mija!

    rrëfen për bashkësinë tonë me Zotin në botën hyjnore dhe e përcakton gjendjen e të qenurit një perlë në arkën e Krijuesit të lartë i Cili thotë: “Unë isha një arkë e fshehtë dëshirova të dihem”, gjegjësisht e të qenurit substancë e njëjtë me Të. Krijesat janë paraqitur në ekzistencë me krëkesën e tyre për sy që do ta shohë dhe zemër që do ta dashurojë bukurinë e Krijuesit. Para etapës së dukshmërisë në qeniet nuk kishte “ti, unë”. Ishte vetëm “Ai”. Çdo gjë përbëhej prej Tij.  Edhe njeriu që sot vajton si fyelli ishte në Të. Çdo shpirt i paraqitur në atë botë pyetjes “ A nuk jam unë Zoti juaj ?” i pati dhënur përgjijgjen beli-po Ti je. Kjo thënie ishte hapi i parë i prezantimit të shpirtit si zjarr, ajër, uj, dhe, bimë, kafshë dhe fillimi i avanturës njerëzore të tij. Shpirtat pas tubimit të “Elestit” u ndanë dhe si burra e gra rrodhën drejtë kësaj bote. Nga njëra anë u bënë edhe sy e zemra me aftësi për të pamur dhe dashuruar bukurinë e Zotit. Ndërsa në anën tjetër filluan t’i përjetojnë dhimbjet e të qenurit të ndarë dhe larg prej Tij.

    Tash:

    Krahërore e kam çpuar
    E kam bëre vrima vrima,
    Dhe kam qar’ e kam rënkuar
    Me mijëra psherëtima!

    janë këto fjalë të fyellit i cili ka zbritur prej botës së zotësisë në këtë botë kalimtare dhe në trupin e njeriut ka përjetuar vetë dhe ua ka përjetuar të tjerëve përmallimet dhe mallëngjimet më të mëdha. Njeriu sa më shumë të jetë larg prej orgjinës dhe vatanit të vërtetë të tij do të ndiej një therrje për kthim dhe do të ndiej mallin e kohës dhe mundësisë për takim me Të.

    Dhe me botën e gëzuar
    Bëhem shok edhe marr pjesë,
    Dhe me njerës të helmuar
    Bënem mik me besa-besë.

    Puna si do që të bjerë
    Unë qanj me mallëngjime,
    Më çdo vënt e kur-do-herë
    Psherëtin zëmëra ime!

    Gjithë bota më dëgjojnë
    Po së jashtëmi më shohin,
    Dëshirën s’m’a kupëtojnë
    Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohim.

    Vazhdon …

  • METIN IZETI: TRASHËGIMIA KULTURORE SHQIPTARE NDËRMJET KOSNPIRACIONIT DHE NEGLIZHENCËS

    Qëllimi kryesor i rielximit socio-kritik të trashëgimisë kulturore është  vizioni për të kaluarën në mënyrë racionale dhe objektive, në mënyrë të tillë që të kapërcehen të gjitha idetë kufizuese prej saj. Kjo çështje nuk është diçka e re në botë, ajo u promovua kryesisht nga e ashtuquajtura Shkolla e Frankfurtit, eksponentët kryesorë të së cilës ishin, ndër të tjerë, Theodor Adorno dhe Max Horkheimer.

    METIN IZETI

    Trojet shqiptare janë  nga vendet e rralla që mund të mburren me një trashëgimi kulturore të pasur materiale dhe jomateriale në një sipërfaqe të vogël. Trashëgimia kulturore përbëhet nga pasuri kulturore të luajtshme dhe të paluajtshme me rëndësi artistike, historike, paleontologjike, arkeologjike, antropologjike, fetare  dhe shkencore. Gjitahshtu, zonat arkeologjike dhe zonat monumentale, peizazhet dhe pjesët e tyre që dëshmojnë praninë e njeriut në hapësirë. Format jomateriale të trashëgimisë kulturore përbëhen nga shfaqjet e krijimtarisë shpirtërore të njeriut në të kaluarën si dhe dokumentacioni,  trashëgimia bibliografike dhe ndërtesat, d.m.th. hapësira ku ruhen ose ekspozohen në mënyrë të përhershme të mirat kulturore dhe dokumentacioni rreth tyre. Koncepti për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, siguron qëndrueshmërinë e vlerave kulturore si dhe potencialin për zhvillimin e mëtejshëm të një vendi apo kombi, afirmimin, stimulimin e konkurrencës ekonomike dhe cilësinë më të mirë të jetës në mjedisin shoqëror. Trashëgimia kulturore shqiptare, me tërë koloritin e saj që e ka në aspekt të multikonfesionalitetit, multikulturës dhe spektreve të autenticitetit në kuadër të bazeneve të ndryshme qytetërimore është pasuri e rëndësishme në ndërtimin e identitetit, por njëkohësisht edhe një paradigmë me vlerë për mbindërtimin e kulturës dhe filozofisë shoqërore të gjenit tonë.

    Por ama është fakt se kjo trashëgimi kulturore shqiptare, për shkak të neglizhencës dhe politikave kulturore jo adekuate nga njëra anë si dhe qasjeve konspirative që ngërthejnë vetëm biseda nacional romantike, është e shpërfillur si dhe, sa i përket kontekstit të monumenteve, për shkak të mosregjistrimit dhe braktisjes institucionale, është duke u shkatërruar me të madhe.

    Pasuria shumë e vlefshme e arkiveve dhe bibliotekave shqiptare nuk është e evidentuar si duhet dhe nuk është  digjitalizuar, mosekzistimi i projekteve për zbulimin e dorëshkrimeve që janë në pronë të individëve dhe institucioneve shoqërore që kanë pasur akces të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare gjatë shekujve, mosidentifikimi dhe moskokonzervimi i dorëshkrimeve me vlerë shkecore dhe estetike, qasjet reduktive dhe me standarde të dyfishta në lidhje me trashëgiminë e shkruar në periudhat e kaluara ndikojnë dukshëm në varfërinë e paraqitjes së traditës kulturore shqiptare. Situata nuk është më e mirë edhe në monumentet kulturore historike që  e mbajnë vulën e periudhave të ndryshme kulturore-historike në të cilat është ndërtuar gjeni shqiptar. E kam fjalën për xhamitë, kishat, teqetë, manastiret, urat, çarshitë e vjetra, hamamet dhe të ngjashme.

    Gjendja është, pak a shumë, identike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Institucionet që duhet të angazhohen në ruajtjen dhe kultivimin e kësaj trashëgimie, duke treguar shkaqe të ndryshme që nuk mund të konsiderohen fare si arsyetime, janë të përqëndruara kryesisht në projekte individuale dhe aspak, ose shumë pak, janë të interesuar për ndërtimin e politikave kulturore të cilat do të ndihmojnë në rigjallërimin e trashëgimisë tonë të pasur kulturore.

    Institucionet kulturore, pashmangshëm, duhet të kryejnë punën administrative dhe veprimet që kanë të bëjnë me: kërkimin, studimin, monitorimin, regjistrimin, dokumentimin, valorizimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore; gjithsesi duhet të funksionojë si duhet shërbimi qendror i informacionit dhe dokumentacionit i digjitalizuar; përcaktimi i pronave të të mirave kulturore të mbrojtura. Më pas, të përqëndrohet në kujdesin, koordinimin dhe mbikëqyrjen e financimit të programeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; themelimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve për kryerjen e veprimtarive për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; vlerësimin e kushteve për punën e personave juridikë dhe fizikë në punët restauruese, konservuese dhe të tjera për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore; sigurimin e kushteve për edukimin dhe aftësimin e punëtorëve profesionistë në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore; zbatimin e mbikëqyrjes së trafikut, importit dhe eksportit të mallrave të mbrojtura kulturore; përcaktimin e kushteve për përdorimin dhe qëllimin e të mirave kulturore dhe menaxhimin e të mirave kulturore në përputhje me rregulloret; përcaktimin e kushteve të veçanta të ndërtimit për mbrojtjen e pjesëve të trashëgimisë kulturore; kryerja e punës inspektuese për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

    Të sipërpërmendurat e paraqesin skeletin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare, ndërsa më pas vijon një çështje tek e cila unë kam dëshirë të përqëndrohem pak më shumë. E kam fjalën për rileximin sociokritik të trashëgimisë së përgjithshme të trashëgimisë kulturore shqiptare.

    Qëllimi kryesor i rielximit socio-kritik të trashëgimisë kulturore është  vizioni për të kaluarën në mënyrë racionale dhe objektive, në mënyrë të tillë që të kapërcehen të gjitha idetë kufizuese prej saj. Kjo çështje nuk është diçka e re në botë, ajo u promovua kryesisht nga e ashtuquajtura Shkolla e Frankfurtit, eksponentët kryesorë të së cilës ishin, ndër të tjerë, Theodor Adorno dhe Max Horkheimer.

    Ky model i  të menduarit dëshiron të kuptojë më mirë se si e kaluara dhe tashmja ndikon në sjelljen e individëve, në mënyrë që të mund të bëhen ndryshime në mënyrën e jetesës. Gjithashtu, synon të kuptojë qenien njerëzore pa rënë në reduksionizëm dhe konformizëm, si një qasje objektive. Bazë e sistemit socio-kritik është  një sistem kërkimor cilësor, i bazuar më shumë në kuptimin e secilës situatë në një mënyrë më të thellë sesa gjetjen e modeleve dhe sistemeve të shkakut dhe pasojës. Mendimtari më me ndikim i teorisë kritikeJürgen Habermas, mbron ide të tilla si subjektiviteti i komunikimit. Ai gjithashtu prezantoi konceptin e “shkencës rindërtuese (rekosntruktive)”, një përpjekje për të përzier subjektivitetin e shkencave shoqërore me objektivitetin e pastër.

    E kam parasysh se paradigma socio-kritike  ka një prapavijë marksiste, por ajo ka ndryshuar dukshëm pas rrënimeve në bllokun lindor dhe unë këtu flas për mënyrën e të menduarit në lidhje me trashëgiminë tonë kulturore. Identiteti kulturor nuk e duron qasjen “ që e vjetra është e mirë për shkak se është e vjetër” dhe as se “e reja është e mirë për shkak se është e re”, por identiteti kulturor kërkon qasje analitike dhe reale dhe në asnjë mënyrë subjektive.

    Trashëgimia kulturore shqiptare përbëhet nga monumente materiale dhe jomateriale që i takojnë periudhave kulturore dhe qytetërimore të ndryshme. Në trashëgiminë tonë janë të qendisura në një hapësirë politeizmi, krishterimi dhe islami dhe ata bashkërisht e paraqesin të kaluarën tonë të pasur. Kur bëhet fjalë për shkencën dhe artin ne nuk mund të pozicionohemi në tryezën e sodit dhe të analizojmë të kaluarën sipas teorive konspirative që janë ndërtuar në kuadër të një historiografie e cila gjithsesi ka nevojë të rilexohet dhe të rindërtohet. Kjo qasje konspirative ka ndikuar që, veçanërisht, trashëgimia kulturore e cila ka platformë dhe sfond fetar islam të margjinalizohet, madje në disa raste edhe të konsiderohet si joshqiptare. Xhamia e Larme në Tetovë, Teqja e Sheh Hasanit në Berat, Xhamia e Et’hem Beut në Tiranë janë monumnete kulturore të cilat falë dekorimit mural konsiderohen si vepra sui generis artistike dhe kulturore. Madje edhe mjeshtrit dhe artistët të cilët kanë punuar në këto monumente janë me origjinë shqiptare, disa prej tyre edhe nuk kanë qenë mysliman. Kjo trashëgimi, së bashku me atë të proviniencës krishtere, politeiste, madje edhe ajo e periudhës moniste duhet të analizohen si rrjedhojë e trashëgimisë kulturore shqiptare duke zbritur në kohën dhe hapësirën kur janë të ndërtuara, pra duke i analizuar në kuadër të kushteve reale sociokulturore të kohës së tyre.

    Kjo qasje objektive ndaj trashëgimisë kulturore do të na e lehtësojë punën që prej saj të mund të nxjerrim idetë gjenerative, të cilat, do të na e mundësojnë të ndërtojmë paradigmën për zhvillimin e mëtutjeshëm të kulturës dhe shoqërisë bashkëkohore shqiptare.

    Zhvillimet e fundit në arenat kulturore botërore janë në drejtim të rileximit të traditave perenniale të popujve të ndryshëm. Shembuj të shumtë kemi në kinematografinë e ditëve tona, madje edhe shumica e filmave të tillë që ngjiten për revitalizimin e ideve gjenerative të popujve të ndryshëm fitojnë çmimet kryesore në festivalet e filmit.

    Koncepti i ri i multukulturalizmit botëror nuk është më i përqëndruar në reduktimin e dallimeve, siç e promovonte globalizmi, por në bashkëjetesën e dallimeve dhe pasurimin e shoqërisë me lule të ndryshme të sjellura nga hapësira të ndryshme. Këta lule kulturore ne i kemi të pranishme në trashëgiminë tonë kulturore shqiptare dhe duhet t’i kultivojmë dhe të bëjmë rileximin e tyre kritik.

    Shumëdimensionaliteti i identitetit shqiptar  në një botë të globalizuar reflektohet edhe në identitetin personal të individëve në një mënyrë të tillë që i njëjti person, tani, në nivelin e identitetit të tij, duhet të “pajtojë” përzierjen edhe me konceptet e reja e mos të diskutojmë ata që janë tradicionale dhe të trashëguara. Si pasojë, multikulturalizmi, në këtë kontekst,  është përgjigje për  dejustifikimin e politikës së asimilimit, në dritën e nevojës për të ruajtur diversitetin kulturor. Gjithashtu do të ishte edhe një përgjigje ndaj realitetit etno-kulturor të ndërlikuar nga proceset e globalizimit, me fjalë të tjera pranimi i konceptit sa më të gjerë të spektrit i cili  do të njihte realitetin e bashkëjetesës së dallimeve, jo vetëm ndërmjet grupeve të ndryshme sociale, por edhe në kaudër të identitetit të njëjtë etnik, fetar dhe kulturor.