Category: Revista

  • METIN IZETI: TRIMI SHQIPTAR SYLË TETOVA

    Poeti nga Qiproja Ashik Kenziu gjatë vizitës së tij që ia kishte bërë Tetovës në fillim të shekullit të XIX është frymëzuar nga shumë ngjarje të veçanta të popullsisë shqiptare dhe ambientit në qytetin e Tetovës, që asokohe udhëhiqej nga Abdurrahman Pashai. Ndër poezitë e tij të shkruara për Tetovën dhe shqiptarët e kësaj ane është edhe një poemë që ia kushton njërin nga eprorët ushtarak të Abdurrahman Pashës i cili quhej Sylejman, por siç thotë edhe autori, shqiptarët atë e thirnin Sylë dhe me këtë emër ishte i njohur në shumë vende përreth.

    Një trim e takova brenda në Tetovë

    Ishte pehlivan e guximtarë i rrallë

    Ishte këngëtar, por edhe trim pa frikë

    Trimëria i dëgjohej anembanë

    Abdurrahman Pasha i do trimat pa masë

    Guximin ia vërejti e nxorri në ballë

    Në përleshjet e Prizrenit u tregua i shkathtë

    Që atëherë e njohën për trim të rrallë

    Për shkak se kjo periudhë e sundimit të shtetit Osman është përplot me mosmarrëveshje dhe kryengritje, veçanërisht në trojet që janë udhëhequr nga pashallarë shqiptarë, gjithsesi se ka patur edhe përleshje ndërmjet mbështetësve të reformave të bëra nga Sultan Mahmudi i II dhe atyre që nuk pajtoheshin me këto reforma. Veçanërisht shpërbërja e rendit ushtarak të jeniçerëve që përbëheshin kryesisht nga shqiptarët ka ndikuar në rebelimin e një numri të madh të ushtarakëve të vjetër kundër reformave të Sultan Mahmudit të II. Si rrjedhojë, në këto kohra me trazira, gjithsesi se është nevojitur ruajtja e rendit dhe qetësisë në qytetet shqiptare dhe komandanti ushtarak i Abdurrahman Pashait, Syla, ka qenë një ndër personat kyç në vendosjen e rendit në sanxhakun e Prizrenit, ku bënin pjesë edhe Tetova dhe Gostivari.

    Ashik Kenziu, gjithashtu, e thekson se Syla ka marrë pjesë edhe në shumë luftra bashkë me Pashain dhe nga të gjitha është kthyer si fitimtar.

    Shumë vende ai ka çliruar

    Me nëntëdhjetë armiq përnjëherë ka luftuar

    Gjaku rrëke i rridhte, shumë është plagosur

    Në rrugë të Pashait, Syla, është gjakosur

    Nuk u zbraps edhe kur është plagosur

    Zjarri nuk iu shua armikun pa e sosur

    Të gjithë guximin ia kanë lavdëruar

    Gishtat i kafshuan njerëzit, Sylën duke uruar.

    Ushtar i Abdurrahman Pashait, ai shpirt ishte

    Nuk kishte të barabartë me të në peshore

    Sylejman ishte emri i tij në tyrçe

    Namin, Sylë, e kishte ky trim në arnautçe.

    Në vazhdim të poemës, Ashik Kenziu, flet për virtytet e Sylës, por njëkohësisht edhe të ushtarëve dhe trimave shqiptarë në periudhën osmane. Ai e thekson se prej shqiptarëve dalin shumë trima të cilët njëkohësisht janë edhe të sinqertë dhe besnikë.

    Nga shqiptarët dalin trima me famë

    Nuk ju dhimbset jeta, janë guximtarë

    Por, si Syla, del një në njëmijë

    Statujë e guximit është Syla në këtë anë.

    Besnik është, nga ta thirrësh vjen menjëherë

    I drejtë është, mos mendo se del tradhtarë

    Në rrugë të zotnisë shpirtin flijon, hë, pa thënë

    Një trim i till është Syla i mbarë.

    Sipas rrëfimit të Ashik Kenziut, Syla ka marrë pjesë edhe në betejat e Abdurrahman Pashait në viset tjera të shtetit Osman. Duke folur për trimërinë e Sylës, Ashik Kenziu e përmend se ai ka marrë pjesë edhe në luftë kundër rusëve dhe aty ka treguar trimëri të rrallë.

    Në luftë vajti, pasi zotnia e urdhëroi

    Trim të shohin, kaurët e Moskës, përpara u doli

    Ishte komandant i mija ushtarëve, beteja udhëhoqi

    Zotni me famë është Sylë shqiptari.

    Ishte traditë e hershme në trojet shqiptare të këndohet këngë për trimat, si rrjedhojë, rrëfen Ashik Kenziu, edhe për Sylën janë kënduar këngë trimërie dhe heroike në këto anë.

    Trimëria e tij të le pa fjalë

    Në shqip i është kënduar këngë

    Le të jetë një kujtim nga Kenziu kjo poemëQë të mbahet në mend emri Sylë

  • METIN IZETI: MIKPRITJA SHQIPTARE E ABDURRAHMAN PASHAIT NGA TETOVA NË POEMËN E ASHIK KENZIUT

    Abdurrahman Pashai, prefekti i Tetovës në fillim të shekullit të XIX është një nga personalitetet më të shquara të jetës shoqërore dhe kulturore në këtë periudhë në Tetovë dhe me gjërë. Ai ishte djali i Koxha Rexhep Pashait dhe baba i shumë veprimtarëve shoqërorë dhe kombëtarë që erdhën nga loza e tij. Veçanërisht është i njohur me restaurimin e Harabati Baba Teqesë, Xhamisë së Larme në Tetovë, Çifte Hamamit në Tetovë si dhe ndërtimit të ndërtesave të verores së tij në kalanë e Tetovës. Në fillim të shekullit të XIX, Tetovën e ka vizituar poeti i njohur me origjinë nga Qiproja, Ashik Kenziu dhe është pritur me bujari të pashoqë nga ana e pashait tetovar. Si rrjedhojë ai e ka shkruar edhe një poemë lëvdate për pashain të cilën e ka emërtuar, Dasitan-i med’h-i Rasim Pasha/ Poema lavdëruese për Rasim Pashain. Ashik Kenziu në poemë e ka përdorur emrin lavdërues për pashain Rasim, që e ka kuptimin metaforik “Uji që rrjedh” dhe këtë emër lavdërues Ashik Kenziu e ka përdorur për ta treguar bujarinë e Pashait dhe atë duke u bazuar në porosinë profetike i cili vepërmirësinë e kategorizon si sinqeritet rrjedhës (sadaka xharije).

    Në katërvargëshin e parë Ashik Kenziu kështu e fillon poemën e tij:

    Fisnikëria dhe pushteti të qëndrofshin përgjithmon

    Sërish e gëzove këtë zemër të dëshpruar

    O zotni i im o Mbret i dashur

    Të nderoftë edhe ty Zoti që gabimet mbulon

    Ashik Kenziu i mahnitur me fisnikërinë dhe burninë e Abdurrahman Pasahit i drejtohet atij me epitetet më të larta të asaj kohe, madje këtë e lidh edhe me përmasën fetare duke iu lutur Zotit me cilësinë e Tij Settar (Mbulues i të metave) që në përshpirtshmërinë islame është përdorur si lutje për mbretërit të cilët gjatë veprimtarisë së tyre shoqërore gjithsesi se do të përballen me situata kur edhe kanë mundësi të bëjnë lëshime. Në vazhdim Ashik Kenziu thotë:

    Sërish fytyra më qeshi dhe u zbukurova

    E fshiva ndryshkun e pasqyrës në shpirtin tim

    Minierë e haresë je ti, e kuptova

    Në burni e ke shembull Aliun trim

    Ditët që Kenziu i ka kalauar në Tetovë në konakun e Pashait si dhe në teqenë Harabati Baba i ka karakterizuar si ditë të pastrimit të tij shpirrtnor. Kjo kështu pasi ziqri dhe përmendja e Zotit, sipas porosive profetike, e llushtron dhe e fshin ndryshkun e zemrës. Ndërsa fisnikëria dhe burnia e Pashait në relacion me shoqërinë në përgjithësi është cilësuar si burnia e Hazreti Aliut që është sinonim i burnisë dhe besnikërisë në përshpirtshmërinë islame dhe në poezinë e tesavvufit.

    Nuk kam pa bujar si ti, o i nderuar

    Njëmijë poetë virtytet t’ua nuk mund t’i përshkruajnë

    I lutem Perëndisë që në dukje dhe fshehtësi të të ruaj

    Evliatë të jenë me ty dhe të të mbrojnë

    Njerëzit jomirënjohës, Mbreti im, mos të të afrohen

    T’u mbyllen të dy sytë mos të të shikojnë

    Në dy botët mos të gëzohen

    Ata që bujarinë ta mohojnë.

    Në këta vargje, Ashik Kenziu, nga njëra anë lutet që Zoti dhe miqtë e Tij t’i qëndrojnë në ndihmë Pashait, ndërsa nga ana tjetër i qorton ata që nuk janë mirënjohës ndaj mirësive dhe bujarisë së Pashait. Është fakt se në këtë periudhë të trazirave shoqërore në shtetin Osman, Pashai, si edhe shumë pashallarë të tjerë të trojeve shqiptare, i kanë kundërshtuar disa nga veprimet e shtetit  në relacion me trojet shqiptare dhe si pasojë e kësaj ka patur edhe njerëz të cilët e kanë kritikuar Abdurrahman Pashain.

    Pa mungesë, Krijuesi i Madh, të ka krijuar

    Në katër anë je zgjatur, si shqiponjë fluturon

    Dielli  digjet  bukurinë për ta shikuar

    Hëna të sillet përreth, natën ta ndriçon.

    Të poshtërit fisnikërinë, nuk ta kuptojnë

    Djali i vezirit nuk ka sens për bujarinë

    Prej ku ta dijë vlerën e Rasim Pashait tonë

    Një i papastër dhe coftinë.

    Ashik Kenziu në këtë pjesë të poemës e tregon edhe konfliktin që Pashai e ka patur me djalin e ndonjërit prej ministrave të shtetit osman në atë kohë. Përderisa nga njëra anë e përmend vlerën e Pashait, në anën tjetër ai e qorton dhe e tregon pakujdesinë dhe injorancën e birit të vezirit.

    Në katërvargëshin e fundit Ashik Kenziu lutet për pashain duke e vendosur edhe emrin e tij poetik në varg, siç ishte traditë e të gjithë poetëve klasikë osmanë:

    Çdo shkathtësi nga Zoti ty t’u dhanë

    Gjuha e Kenziut e pamundshme të të lavdërojë

    Çdo ditë bajram dhe çdo natë, Natë Kadri, t’u bëftë

    Armiqët u shkatërrofshin, toka mos t’i durojë.

  • METIN IZETI: POEMA E ASHIK KENZIUT PËR KODRËN E BALLTEPES NË TETOVË

    Ashik Kenzi ka lindur në Qipro në vitin 1210/1834 dhe dihet se emri i tij i vërtetë është İbrahim Kasım. Kenzi, i cili emigroi në Anadoll në moshën 12-vjeçare me familjen e tij dhe u rrit në teqetë bektashiane, njihet si një rapsod dhe poet i cili ka kënduar edhe me sharki.  Kenzi, ka lëvizur në jug dhe në perëndim të Anadollit, në viset e Ballkanit dhe shumë vise tjera të shtetit Osman. Më pas ai është  martuar dhe është vendosur në Edrene, por nuk qëndroi kohë të gjatë aty. Pasi kreu shërbimin ushtarak në Maroko, u kthye në Qipro, por rrugës u ndal në Egjipt dhe gjatë qëndrimit aty ka shkruar një poemë ku e ka lavdëruar pashain shqiptar të Egjiptit, Mehmet Ali Pashën nga Kavaja, i cili aso kohe ishte guvernator i Egjiptit. Ashik Kenzi ka pasqyruar në poezitë e tij vendet që ka vizituar, luftërat në të cilat ka marrë pjesë dhe përshtypjet e tij. Ai, në vitin 1822 e ka vizituar Tetovën dhe ka shkruar disa poema për mikpritjen nga pashai shqiptar i Tetovës, Abdurrahman Rasim Pashai, më pas, për një trim të rrallë të Tetovës, i cili e ka pasur emrin “Sylë”.

    Një nga poemat e tij, që i ka shkruar gjatë vizitës në Tetovë, është edhe poema për kodrën e Balltepes, ku ai ka qëndruar në veroren e Badurrahman Pashës, pra, në kalanë e Tetovës.

    Në poemën që e ka titulluar “ Dasitan Nazm-i Evsaf-i Baltepe (Poemë e rrimuar për cilësitë e Balltepes)” ai në detaje i ka përshkruar godinat e verores (kalasë) së Abdurrahman Pashait dhe pamjen e Tetovës me fshatrat nga kjo kodër.

    Ashik Kenziu poemën e tij për kodrën e Balltepes e fillon me këto vargje:

    Cilësitë e Balltepes të përshkruaj

    A më lejon, zotrote i dashur, të shkruaj

    Godinat që në të janë unë t’i tregoj,

    Një nga një, zotrote, t’i sqaroj.

    Që në fillim të poemës, Ashik Kenziu, tregon se ndërtues i verores në kodrën Balltepe është Abdurrahman Pashai:

    Balltepe, është një kodër e lartë

    Rasim Pashai hodhi aty një bazë

    Unë s’kam pa ndërtesë më të bukur

    Edhepse në shumë vende jam dukur.

    Gjatë përshkrimit të murreve të kompleksit në kalanë e Tetovës ai flet me entuziazëm dhe thotë:

    Dy arshin të trashë e ka çdo murrë

    Asgjë s’është ngat tyre fortifikata e Vanit (qytet në Turqi)

    Në grykë është vendosur e kontrollon çdo anë

    As një zog, fshehtas, nuk mund të fluturojë.

    Në vargjet në vazhdim Ashik Kenziu e pëshkruan pozitën strategjike dhe të bukur që e ka verorja e Abdurrahman Pashait:

    Gjoksin, në malin Sharr, e ka të mbështetur

    Njërin krahë në drejtim të Prizrenit e ka zgjatur

    Thelbin e ka me Zotin, fytyrën në kible të kthyer

    Katër anë i sheh, zotrote, është e vyer.

    Ashik Kenziu në këtë poemë, që mendoj se është e rëndësisë së veçantë, i përmend edhe tyrbet e të mëdhenjve shpirtërorë që kanë qenë të varrosur aty dhe përreth:

    “ Nga njëra anë është Baba Jarani i shpellës

    Karshi qëndron Sersem Ali Baba prekës

    Katër anët, evliatë, ia mbrojnë

    Njëri prej tyre është Kojun Baba, i thojnë.

    Baba Jarani është një prej baballarëve bektashi që është i varrosur në kalanë e Tetovës, ndërsa tyrbeja e tij është prishur nga ushtarët serb në periudhën e luftrave ballkanike. Sersem Ali Baba është themeluesi i teqesë bektashiane në Tetovë, ndërsa Kojun Baba është themeluesi i teqesë bektashiane në fshatin Shipkovicë në malësi të Tetovës.

    Në vargjet në vazhdim Ashik Kenziu e përmend edhe pozitën e qyteteve dhe fshatrave që zgjaten në vijë ajrore nga kodra e Balltepes. E përmend Dibrën, Kërçovën, fshatin Zhelinë, fshatin Saraqinë të Tetovës, që janë në drejtim të Shkupit, e përmend Shkupin, Ohrin.

    Gjithashtu në vargjet e kësaj poeme të gjatë, Ashik Kenziu e përshkruan edhe anën estetike të arkitekturës dhe dekorimeve që janë bërë në kalanë e Tetovës nga Abdurrahman Pashai. Thotë që në murret e ndërtesave kanë qenë të vizatuara një numër i madh i qyteteve të mëdha të shtetit Osman, kopshti ka qenë i mbushur me lule të sjellura nga vende të ndryshme të lindjes dhe perëndimit, ajri në këtë pjesë të kodrës ka qenë shumë i pastër dhe i freskët. Poeti veroren e Abdurrahman Pashait në kalanë e Tetovës e krahason me kalatë e famshme të shtetit Osman, ndërsa Abdurrahman Pashain e lavdëron për mikpritjen, zemërgjerësinë dhe përkushtimin fetar që e ka patur.
    Në vargjet e fundit të poemës, Ashik Kenziu, i kërkon një kalë Abdurrahman Pashait për të shëtitur viset e ndryshme të shtetit Osman, të cilin edhe ia dhuron Abdurrahman Pashai. Ashik Kenziu ka qenë i mahnitur nga bukuritë e Tetovës dhe mikpritja shqiptare e bërë nga Abdurrahman Pashai, prandaj edhe ia ka kushtuar një poemë edhe vetë pashait, por për këtë poemë do të themi diçka në shkrimin e rradhës.