Category: 2014

  • METIN IZETI: ARTI DUKURI E TË VËRTETËS OSE E VËRTETA E DUKURISË

    METIN IZETI: ARTI DUKURI E TË VËRTETËS OSE E VËRTETA E DUKURISË

    Çdo gjë është humbur, shumë shpesh nevojitet që të krijohet përsëri, thoshte Baudelaire’i, ndërsa Tarkovski, aspak nuk kënaqej me vëzhgimin e botës  që dita ditës i shkatërrohej para syve. Por, megjithatë në veprën e tij Stalker me një gjenialitet të pashoq e prezenton botën për të cilën fliste. Ai ka mall të madh për të kaluarën, dhe kjo e motivon Tarkovskin , që gjërat të cilat janë në shkatërrim e sipër, t’i rindërtojë. Nëse kemi dëshirë që të rindërtojmë diçka, thotë Tarkovski, duhet të fillojmë nga rrënjët. Pikërisht për këtë edhe Tarkovski konsiderohet nga artistët kundërshtarë të çrrënjosjes.

    Përcillet se në një rast Haxhi Bektash Veliu e dërgoi një dervish të vetin te Mevlana Xhelaluddin Rumiu që ta pyet:

    Nëse ende nuk e ke gjetur të vërtetën, pse nuk e kërkon? Jo, nëse e ke gjetur, atëherë pse bërtet e bën zë?

    Ndërsa Mevlana Xhelaluddin Rumiu dervishit që kishte ardhur i tha:

    Nëse ende nuk e ke gjetur të vërtetën, pse nuk e kërkon? Jo, nëse e ke gjetur, atëherë pse nuk bërtet e nuk bën zë?

    Artisti gjithnjë përpiqet ti rikrijojë sendet dhe mos ta pranojë të humburën…

    Imagjinata e tij nuk e pranon hiç’in, pasi fantazia e tij është në trajtë direkte e lidhur me tërësinë qenësore. Dashuria ndaj të vërtetës tek ai paraqitet si dritë që ndriçon herë në njërën e herë në kahjen tjetër.

    Artisti shpeshherë e ka gjetur të vërtetën, e përjeton atë por nuk bën zë, ndërsa vepra e tij bën zë gjatë tërë historisë..

    Disaherë e ka brengën e kërkimit të të vërtetës që e meriton hapërimin drejt saj dhe vepra e tij bën zë e bërtet pandërprerë për t’i paralajmëruar të tjerët.

    Arti në esencë, në nomen, e ka njërën prej këtyre dy dritave, nëse jo, atëherë nuk është art…

    Si rrjedhojë e kësaj Hegeli do ta konsideronte, së bashku me fenë dhe filozofinë, si fenomen të shpirtit…

    Kjo ishte e vërteta prej nga Baudelaire’i dhe Tarkovski dëshironin ta regjenerojnë realitetin ekzistues, ishin nisur nga mbi(realiteti) dhe si duket ajo ndjenjë gjallëruese e bënte të fortë idenë dhe veprën e tyre… përderisa Baudelaire e përjetonte atë dhe nuk bënte zë, si Rumiu, por njëri nëpërmjet të “Albatrosit”  e tjetri me vallëzimin e mbjellnin katarzën tek soditësit; Tarkovski rebelohej ndaj përditshmërisë dhe krijonte vetëdijen individuale dhe kolektive në zgjuarësinë për vetveten; dëshironte ta gjejë rugën pasi që ishte humbur duke u kthyer në burimin, në origjinën…

    Me të drejtë bërtiste: “ Shumë pak dijmë për shpirtin ; jemi shndëruar në qen që e kanë humbur rrugën” ( La Monde,12 Maj 1983, “ Le noir coloris de la nostalgie”).

    Më duket sikur i përsëriste fjalët e Haxhi Bektash Veliut, që në brengën e rrëmujës shkatërruese të shekullit të XIII thoshte: “  Themi se mendojmë , por nuk pyesim aspak për realitetin e të menduarit. Themi që jemi njerëz, por aspak nuk interesohemi për realitetin e të qenurit njeri. Kemi një unë, dhe pandërprerë, bërtasim, unë, unë… por realiteti i un’it aspak nuk na bën përshtypje…

    A mos vallë kemi mall për un’in brenda në ne… ose e kemi humbur rrugën në oborrin tonë!!?

    Arti në “lojë/hije” e paraqet të vërtetën nëpërmjet të të bukurës… vetëm kështu ka mundësi t’i drejtohet shpirtit dhe ta thithë energjinë e rigjallërimit dhe ripërtrirjes…

    e Bukura  esenciale (xhemal) në të shumtën e rasteve është e shoqëruar me plotninë (kemal), ose me fjalët e Tarkovski’t: “ Artisti nëpërmjet të simbolit të të bukurës e shpreh të Vërtetën. Si rrjedhojë artisti, si Leonardo Da Vinçi ose Jean Serbastian Bach’u, duhet të përpiqet ta rrokë të zakonshmen nëpërmjet të vëzhgimit të pastër, vëzhgimit të ditës së parë. Kështu vepra e artistit, edhe në qoftë se e përmban materialen, është ikonë e Shpirtit.

    Ndërsa, dimensioni metafizik, me përfshirjen e ezoterizmit, të së shenjtës, traditës primordiale, universalitetit të simbolikës ekzistencilae, në njeriun paraqet manifestim të unit jofizik dhe shpirtëror, buron nga brendësia e thellësisë shpirtërore të njeriut, e cila njëkohësisht është “shtëpia” e besimit (imanit) apo zemra (kalbi) ku është “e vendosur” dashuria ndaj Esencës ekzistuese.  Ezoterika te njeriu është  bota shpirtërore, e brendshme dhe e pandryshueshme e tij. Ajo është dirigjuesja e botës së jashtme-ekzoterike të njeriut…

    Artisti mund të punojë vepra që për syrin e tij të jenë shumë madhështore, shumë pompoze apo vepra të cilat e lënë njeriun të mahnitur nga pamja, gjegjësisht nga ana ekzoterike e tyre. E, në fakt, veprat e tilla për shkak të mungesës së realitetit, botës shpirtërore ezoterike, janë afatshkurtëra, të dominuara nga ideale të mbështjellura me interesa të ndryshme materialiste, kurse ato në thelb shpejt e shohin fundin e tyre. Për fat të keq, në botën moderne, sipas Sejjid Husein Nasrit, kjo e vërtetë është e harruar. Në këtë kohë njerëzit dëshirojnë të bëjnë mirë pa qenë vetë të mirë, dëshirojnë të reformojnë botën pa reformuar veten, të ngrisin lart veprimin dhe të zvogëlojnë meditimin. Jo vetëm se kaq, por ata mundohen ta shtrembërojnë edhe të vërtetën esencilae, që as besimi ekzoterik nuk i duron e lëre më ezoterizmi.

    Tani do të jetë më lehtë të kuptohet se çdo vepër artistike, bukfalisht është  krijuar nga figuracioni i simboleve, përfshirë këtu, jo vetëm objektin e përdorur ose figurat e përfaqësuara, por, poashtu edhe  efektuimin e gjesteve dhe artikulimin e fjalëve, (kjo e fundit, sipas asaj që kemi sqaruar, është vetëm një konsekuencë e pjesërishëme e të parës), me pak fjalë, të gjitha elementet e artit pa përjashtim. Pra, në këtë mënyrë këta elemente kanë vlerën e simboleve të të Vërtetës në tërësi, jo në cilësinë e çfardo  kuptimi të tejngarkuar, i cili mund t’u bashkangjitet simboleve, bazuar në rrethanat e jashme,duke mos qenë realisht koherente në vetë ata.

    Nga ana tjetër poashtu mund të thuhet se pikturia, melodia, loja, janë simbole “të vëndosura në aksion”, ngase çdo gjest i artistit është simbol i zbatuar; kjo është një tjetër mënyrë për ta thënë të njejtën gjë, por me një vëmendje më të theksuar do të bëhet e dukshme karakteristika e të Vërtetës, e cila, si çdo aksion,  detyrimisht performohet në kohë-, përderisa simboli si i tillë mund të mendohet nga një pikpamje e pa caktuar në kohë. Në këtë sens është e mundur që simbolit t’i jepet përparësi ndaj formës; por forma dhe simbolet në thelb janë dy aspekte të një realiteti të vetëm dhe kjo nuk është diç tjetër përvec se “korespondenca” e cila i lidh të gjitha nivelet e Ekzistencës univerzale në mënyrë të atillë që, përmes formave  të veta, statusi i jonë njerëzorë mund të hyjë në komunikim me nivelet më të larta të Qenies.  

    Ose, siç do të kishte thënë Prof. Ismail Bardhi, “ O Zot mos ma le fenë pa kulturë…”

    Të lutem mos u hidhëro, unë nuk flas me ty, flas me veten,  vetëm…

  • METIN IZETI: E KALTËRTA E SHPIRTIT…

    METIN IZETI: E KALTËRTA E SHPIRTIT…

    E kaltërta është ngjyra e melekëve/engjëjve… është ngjyra e qiejve dhe e detit… e lartësisë dhe e thellësisë… e simpolizon besnikërinë, përkushtimin, urtinë, vetëbesimin… e kaltërta konsiderohet e dobishme  për shkak se e ngadalëson metabolizmin e njeriut dhe e qetëson shpirtin… e kaltërta është fuqimisht e ndërlidhur me paqën dhe qetësinë…

    E kaltërta është sunduese në dekorimet murale të objekteve shpirtërore muslimane, në veçanti në shekullin e XIX… e kaltërta është metaforë e vetmisë sufike dhe qëndrimit në shoqërim me Krijuesin.. është ngjyrë e halvetit… është ngjyrë e shtëpisë së Fatimesë në kompleksin Harabati Baba Teqe në Tetovë.

    Fatimeja ishte vajza e sëmurë nga kjo botë dhe e tërhequr në të kaltërtën e shpirtit në shtëpinë e saj, brenda kompleksit Harabati… ajo ishte një femër me pjellorësi shpirtërore si edhe motrat Mansure dhe Hurshide që dy shekuj më parë kishin shkruar emrin etyre me shkronja të arta në ndërtimin e xhamisë së larme (Alaxha ) në Tetovë. Ata ndërtimin e xhamisë e kishin bërë me paratë e ndara për prikën/ çejizin e martesës. Shtëpia e kaltërt e Fatimesë gjithashtu ishte prika/ çejizi i saj. Ata së bashku sikur e përjetonin natëne  e gjerdekut në takimin me të Dashurin e vërtetë. E përjetonin me dashuri sheb-i arusin/natën e gjerdekut të Mevlanasë.

    Sheb-i Arus, i thotë Mevlana, natës së takimit me të Dashurin e përjetshëm të tij, me Zotin, i thotë vdekjes. Ata të gjithë së bashku vdisnin për të jetuar…

    E kaltërta është edhe iniciativë e ikonografisë së shekullit të XV… modeste por vepër e një vullneti të pakrahasueshëm…

    E një vullneti që e  din se çka dëshiron të thotë…

    Si rrjedhojë është e përdorur edhe në dekorimin mural të Harabatit, por edhe në pjesë të caktuara të xhamisë së Larme… vepra të amshueshme të Rexhep dhe Abdurrahman Pashës.

    Nuk ka mundësi të hapëroni përreth këtyre ndërtesave dhe të mos e dëgjoni atë përpjekje dhe heshtje shpirtërore të sufijve dekorues në të kaltërtën qiellore të Harabatit dhe Xhamisë së Larme..

    Heshtjen shpirtërore të Abdurrahmanit/robit të Mëshirbërësit, që bën zë edhe sot e kësaj dite…

    Kjo e kaltër sa bukur do t’u qëndronte melekëve!!?

    Por t’i lëmë pak ngjyrat, por edhe përvojat e perspektivës dhe sfondeve mjeshtërore… shikoni ju lutem ngjyrat esenciale… xhamia e Larme dhe Harabati janë të tëra në ngjyra dhe dritë.. njeriu smund të vendos a janë më të mira ngjyrat ose drita që bie në to… sikur bartet në platformën e metaforave platoniane me piktorët kinez dhe grekë… muret e tyre sa të bukura i kanë ngjyrat aq edhe më të bukura i kanë murret që janë të pastruara me dhikrin/përkujtimin e Zotit… dhe çdo dritë që bie në këto murre reflektohet si më e bukur… ndoshta murret edhe nuk janë prej materiali ndërtimor… ndoshta janë zemra të adhuruesve  dhe frymës së tyree që në ditë të ftohta ka avulluar në trajtë të huuuuuuuuuuu-së

    E në ditët e vapës si haaaajjjjjjjjjj…

    E kaltërta ndonjëherë na e përkujton edhe lulet që në pranverë e gëlltitin nga qielli dhe së bashku me të kuqen e vete e përfitojnë ngjyrën vjollce… vjollcë si qielli por e thellë edhe si deti.

    Vjollca është si Fatimeja, si Hurshideja, ndoshta edhe si Mevlana që ka dëshirë të shihet nga të njëjtit si vetja… ajo është një piktore, një qendisëse, një  sufi…

    E kaltërta dhe dekorimet në të na flasin edhe për plotninë që mund të arrihet me bashkimin e aftësisë, përpjekjes nga njëra anë dhe përkushtimit ndaj Zotit, duasë/dhikrit nga ana tjetër…

    “ Njerëzve t’ua përkujtojmë të njerëzishmen…” do të thoshte Naimi, por edhe Junus Emre’ja… Arti është mjet për këtë ndjeshmëri…

    Në të vërtetë kjo e kaltër ishte mbretëruese edhe në “Avatar”in e James Cameron’it…

    Ata krijesa të çuditshme, mbrojtëse të të natyrshmes, të karakterit dhe të njërës nga karakteristikat më elokuente të kategorive estetike , të madhërishmes…

    Në anën tjetër instikti shkatërrues i ego’s, i qibrit , i smirës… ka harruar se për të qenë i aftë duhet të jetë besimtar…

    Të besojë në diçka jashtë vetes. Jashtë dhe mbi veten… Si Fatimeja… si Mevlana… vetëm kështu do të ketë mundësi ta përjetojë të kaltërtën e Harabatit dhe të Divan’it…

    …ta dijë se kushti i parë i artit është liria e artistit… arti është vepër e shpirtave të lirë… të lirë në arenën e lirisë absolute… në praninë e origjinës së krijimit…

    … ta dijë se duhet të jetë i pafajshëm… si një foshnje…pikërisht për këtë edhe gjithnjë kujton se është ndotur… pendohet/estagfirullah…

    Mirësia e tij është, jo vetëm në veten e tij, kudo , në qytet, në mal, në treg…

    Vetëm atëherë të kaltërtën mund ta shohim në esencë…