Category: Hejza

  • METIN IZETI: “KRIZA” E SUBJEKTIT EMANCIPUES TË ARTIT

    Në hapësirën bashkëkohore globale të çështjeve artistike, “vështirësia” e materializmit demokratik në kërkimin e mjeteve estetike politike në prodhimin e negativitetit avangard buron, nga njëra anë, nga problemi i ankorimit të gjendjes së dhënë në mikropolitika të rezistencës që si teori mbrohet nga Fukoja i hershëm, sipas të cilit nuk është “shpirti i revoltës” , “burim i të gjitha rebelimeve”, por janë rezistencat që ekzistojnë në fushën strategjike të marrëdhënieve të pushtetit, dhe si i tillë rebelimi është subjekt i reduktuar në operacione të formacioneve diskursive. Një nga teoritë e tilla më domethënëse antihumaniste lidhet me mësimin e hershëm psikoanalitik të Zhak Lakanit, në të cilin rezistenca është imagjinare, pasi fuqia shoqërore në diskursin e tij është e kufizuar në simbolikë dhe subjekt i mungesës së përfaqësuar nga aludimi në diçka tjetër. Althusser, Barthes, Derrida, ndër shumë të tjerë, i afruan këto ide radikale antihumaniste në gjurmët e “kthesës gjuhësore” gjatë viteve 1960 dhe 1970. Arti në një plejadë të tillë kuptohet në kuptimin më të gjerë si një diskurs ose një tekst kulturor, i cili gjithmonë shpreh diçka tjetër nga ajo që duhet të jetë, ose në lidhje me atë që është, e cila prodhon rezistencë brenda gjendjes së caktuar të punëve. Nga ana tjetër, ky problem buron nga reduktimi i konceptit të njeriut, në identifikimin e përmasës biologjike të tij, me një sërë nën-speciesh që mbrohen nga ligji i “demokracisë”, “të drejtave të njeriut”, pra mbrojtja njerëzore e të gjithë materieve organike me ligj nën flamurin e së drejtës për jetë (bioetikë). Këtu na paraqitet zbatimi vulgar, banal i tezës së njohur të avangardës art = jetë.

    Arti si formë jete tani në fund të fundit identifikohet me jetën, ose, më saktë, me ‘kufijtë’ dhe metamorfozat e materies, që nuk ka të bëjë fare me idetë fillestare të avangardës së shekullit të njëzetë, “organizimin material të individëve” si kusht për prodhimin e mjeteve të jetës dhe (formës së) vetë jetës. “Trupi tani është një makinë,” thotë Negri në një prej letrave të tij, “në të cilat janë gdhendur prodhimet dhe arti”. Fundi i viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar tregon kooptimin e shpejtë dhe njëdimensional të këtyre këndvështrimeve, pra, nga njëra anë, pozicionet antihumaniste  në gjurmët e “kthesës gjuhësore” në filozofi dhe estetikë (formimi diskursiv (Foucault), mungesa e tjetrit (Lacan), efekti i shkronjës (Derrida), dhe, nga ana tjetër, është preokupimi me materien dhe ndikimin e saj në idenë për ekzistencën reale të njeriut në hemisferë. Në këtë kontekst  arti si praktikë emancipuese dhe në përgjithësi si (anti)humanizëm estetik, reduktohet në një kërkesë parlamentare globale për të emërtuar lirinë (artistikisht) praktike.

    Në një plejadë të tillë, arti shfaqet në shërbim të partikularizmit: vendoset, në mënyrë jashtëzakonisht esencialiste, në një kontekst kulturor të njohur, më së shpeshti i profilizuar gjeopolitikisht, në një kryqëzim me rrëfimin autobiografik të autorit, nga i cili buron besimi, se vetëm i përket relacionit ndryshim i rregullit dhe ndryshime në nivel të kontekstit (historik apo gjeopolitik) të aktualizimit të tij. Por, në fakt, kjo situatë është e kundërta e avangardës – na ofrohen mbetjet e një gjelle të lirë eklektike, ndërsa ne jemi ende të bindur se ajo është avangarda e vërtetë. Një praktikë (emancipuese) e artit, nëse përdorim fjalët e Lukács-it, përkundrazi, gjithmonë përpiqet të luftojë me mjetet e veta kundër prirjeve që kërcënojnë të skematizojnë mjedisin shqisor dhe shpirtëror të njeriut, si dhe procedurat e fetishizimit dhe objektivizimit. Arti si praktikë emancipuese, pra, nënkupton atë art që ka aftësinë të “shfuqizojë të dhënat e pezulluara, të fetishizuara të jetës”. Ky fetishizëm dhe “objektivizëm”, që në realitet është vetëm verbal dhe i mbron idetë a priori të modernizmit të sforcuar dhe “të mbrapshtë” është më se identik me fetishishizimin dhe subjektivizmin e avancuar mesjetar. Si rrjedhojë, arti prej “një kafazi të vogël të lirisë kalon në një kafaz më të madh të lirisë” dhe karakteri emancipues i tij përpëlitet dhe nuk ec dot në krijimin e ideve gjenerative të reja.

    Duket se kjo gjendje estetike e mosdiferencës i nxjerr në pah edhe sot perspektivat e mundshme të të menduarit emancipues të artit, duke i shpallur ato “të vjetruara” dhe “ideale të kota të modernizmit”, ose, zakonisht si totalitarizëm. Çdo formë e (anti)humanizmit estetik duket e dënuar me dështim. Në plejadën bashkëkohore të artit, e cila megjithatë i atribuon vetes një atribut emancipues, njohim disa momente:

    -Mbështetja e postproduksionizmit – bëhet fjalë për afirmimin e tezës për artin dhe veprën artistike si “një kulturë e bazuar mbi përdorimin e formave, një kulturë e veprimtarisë së vazhdueshme si shenjë për një ideal kolektiv, që i rithekson, ndarjet . Edhe pse aktivitete të tilla artistike konsiderohen “emancipuese” në drejtim të marrëdhënieve të artit me humanumin, ajo është një praktikë kulturore mbizotëruese, globale që anon dhe favorizon kryesisht prodhimin dhe marrëdhëniet shoqërore të globalizmit dominues kognitiv, më saktë, regjimeve të shfrytëzimit kognitiv eurocentrik.

    – Mbështetja e aktivizmit artistik – nënkupton mbrojtjen e tezës socio-politike, aktivist, i drejtpërdrejtë, intervencionist, gueril etj. praktika të cilat, së bashku me justifikimet e gjetura në taktikat e gatshme, emërtohen “avangarde”. Në këtë rast, nën flamurin e avangardës, rezulton se gjykimi (kritiko-estetik) i veprave të tilla varet kryesisht nga fakti nëse aktorët e veprimtarive të tilla i kanë përmbushur kërkesat e projekteve të planifikuara kulturore, artistike. Lufta e aktorëve për pushtet dhe dukshmëri vetëdijësimi bëhet një terren trajnimi për të përballur dimensionin sasior të artit dhe të drejtën narcisiste për art , por jo edhe atë cilësor, pasi ajo që u bë me artin me fundin e modernizmit është një kiç i papërjetuar më parë. Sepse, siç vë në dukje Adorno, çdo art emancipues është imanent në karakterin e dyfishtë të artit, i cili përmbahet në tensionin dialektik midis autonomisë së tij dhe faktit social në raport me njeriun.

    – Mbështetja e  artit postmedial – nëse e rikujtojmë përkufizimin e artit postmedial që Rosalind Krauss dha në një nga tekstet e saj kritike, do të shohim se termi postmedia nënkupton procesin e përhapjes së konventave që rrjedhin nga kushtet materiale të mbështetjes teknike të medias në një mënyrë të tillë që vetë termi medium nuk mund të identifikohet kurrë me specifikën fizike të aspekteve të caktuara materiale. Megjithatë, sot termi postmedia përdoret shpesh si sinonim për një hibridizim formal të shqisave. Me fjalë të tjera, termat e afërta media e re, metamedia dhe postmedia në estetikën gjithëpërfshirëse identifikohen me multimedian kompjuterike dhe rrjetet e komunikimit dixhital, gjë që nuk është shumë larg tezës për “vdekjen e artit”.

    – Mbështetja e prodhimit të subjektivitetit – kjo lloj veprimtarie artistike shteron motivin e krizës së subjektivitetit, e cila, veçanërisht që nga gjysma e dytë e shekullit XX, ka qenë një nga forcat udhëheqëse të praktikave të artit emancipues. Megjithatë, tregohet se eksperimentimi me subjektivitetin është në qendër të diskursit neoliberal, i cili e shkatërroi subjektin që bën art. Forca afirmative e një arti të tillë është fetishizmi i nënkuptimit të subjektivitetit dhe bashkëpunimit, komunikimit, vazhdimësisë së fluksit, punës jomateriale dhe intelektit të përgjithshëm, përhapja e identiteteve, intensifikimi i procesit të individualizimit, praktikimit, mobilizimit, konsumit radikal të (ndër)subjektivitetit, qarkullimit të informacionit etj. Kjo është, thotë Lazareto, “një mënyrë autoritare e të folurit: duhet shprehur, duhet folur, duhet komunikuar, duhet bashkëpunuar”. Në një plejadë të tillë, individi artistik shfaqet si një “rebel krijues” i cili, nëse ka diçka financiare dhe institucionale, të mbulimit dispozitiv (marrëdhëniet e pushtetit), ai atyre u  përshtatet me mjeshtëri në mënyrat nomade, fleksibël të jetesës dhe i përgjigjet në mënyrë fleksibile sfidave të shkëmbimit dhe konsumit post-fordist.

    Nëse do të mbështetemi në tezat e Badiou, do të shohim se subjekti i artit nuk është autori, por se vepra artistike është subjekti i procedurës artistike të cilës vepra i përket, e cila i jep atributin e Universalitetit, meqenëse i drejtohet të gjithëve dhe jo vetëm autorit. Më saktësisht, vepra e artit është pika subjektive (dhe subjektivizuese) e së Vërtetës artistike. Është pra instanca themelore ose pika diferenciale e së Vërtetës, ndërsa Subjekti është pika diferenciale e procedurës artistike. Tezat e Badiou-t tregojnë se imanenca dhe singulariteti i së Vërtetës nuk qëndron as në veprën artistike dhe as te autori i veprës, por në konfigurimin artistik që u nis nga një ie gjenerative. Sepse ngjarja artistike gjithmonë zë vendin e skajit, kufijtë e të paformës, pikën ku shtrihen mjetet formale të arteve ekzistuese (zgjerimi i situatës në dejtim të transcendencës) përtej kufijve të vendosur dhe të njohur. Ngjarja artistike hap mundësinë e konceptimit të asaj që është e pakuptueshme, e paqartë, traumatike, e panjohur, e paemërtueshme, e pashprehshme, e padallueshme etj. Ngjarja artistike si demonstrim i kësaj mundësie nënkupton gjithashtu se nuk është vetëm e vërteta e një vepre të caktuar artistike, por një grup kërkimesh artistike pak a shumë të paemërtueshme dhe të patransferueshme në gjendjen mbizotëruese të situatës. Kështu, Badiou siguron njëkohësisht universalitetin dhe veçantinë e artit si një procedurë e përgjithshme e së vërtetës. E shohim, pra, se një vepër arti nuk është as vetëm ngjarje dhe as vetëm e vërtetë në fushën e artit. Një vepër arti është një shpirt, një trup, një fakt ekzistence, ndërsa e vërteta, arrihet si rrjedhojë e një procedure artistike që nxitet nga kjo ngjarje artistike. Ky proces është një sekuencë identifikimi, e inicuar nga një ngjarje, që prodhon të Vërtetat, duke përfshirë një kompleks virtual të pafund veprash arti.

    Nga të gjitha këto teza del se praktika emancipuese e artit presupozon një distancë specifike estetiko-shpirtërore – një dimension emancipues. Pra, arti është një “grumbullim i forcave shpirtërore dhe trupore” të përfshira në praktikën pedagogjike, me kusht që praktika ose edukimi pedagogjik të mos ankorohet në didaktikën e shqisave, por edhe në procesin e imagjinatës dhe  shpërndarjen e formave të njohurive në atë mënyrë që një e vërtetë të fitojë mundësinë e “kalimit”, e hapjes së një vrime në shpellën e Platonit, e thyerjes së një diskursi të caktuar, regjimi, disponimi të dijes. Mendoj se riaktualizimi i konceptit emancipues të artit do të ishte që arti, tërësisht, të mos  mbështetet në imazhe të njohura të së shkuarës, as në imazhe të largëta projektive utopike të së ardhmes, por të krijojë mundësitë e formësimit aktual, që do të bazohej jo vetëm në materien, por edhe në mbi dhe meta materien, sepse vetëm një praktikë e tillë ka aftësinë për korrigjim dhe mprehje esenciale, pa “dëmtuar karakterin e afektit” dhe distancën estetike në kohë dhe hapësirë.

  • METIN IZETI: POETI SAID NGA TETOVA DHE POEZITË E TIJ

    Poeti, shairi Said bën pjesë në poetët shqiptarë nga Tetova që kanë shkruar poezitë e tyre në turqishten e vjetër. Nuk kemi shumë njohuri në lidhje me jetën e tij dhe nuk përmenedet në librat biografike të poetëve të periudhës osmane. Informatat në lidhje me periudhën kur ka jetuar i marrim nga disa vargje kronogramike të shkruara nga a ana e tij me rastin e vdekjes së udhërrëfyesit të tij shpirtëror Baba Abbasit. Pasi, Baba Abbasi, përndryshe shejh i teqesë Harabati Baba në Tetovë, kishte vdekur në vitin 1218/1803-4, na jep të kuptojmë se Saidi në këtë kohë ishte poet i pjekur pasi ishte në gjendje të shkruajë vargje kronogramike për shejhin e vet. Si rrjedhojë kosntatojmë se poeti Said ka mundësi të ketë lindur në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII dhe ka jetuar edhe në gjysmën e parë të shekullit të XIX.

    Saidi krahas turiqishtes së vjetër e ka njohur edhe arabishten dhe persishten dhe kjo tregon se ai ka ndjekur mësimet e rregullta dhe ka qenë i arsimuar. Poezitë i ka të shkruara në ujdi me kallëpet dhe metrikën e poezisë klasike osmane.  Nga poezitë e tij që i ka shkruar për Gostivarin, Tetovën , fshatin Saraqinë, fshatin Pallçishtë, e kuptojmë se ai ka lindur në rethinën e Tetovës dhe më pas është vendosur në qytet. Vargjet kronogramike të fundit të poetit na e tregojnë datën 1232/1816-17 që do të thotë se ai në këto vite ka qenë ende në jetë dhe ka shkruar një dyvargësh për ta lavdëruar Rexhep Pashain, pasi ai e kishte ndërtuar rrugën me kalldërm për në fshatin Saraqinë.

    Saidi ka qenë në marrëdhënie shumë të mira me Rexhep Pashain dhe familjen e tij. Në disa poezi të tij, ai, thurr lavde për personalitetin dhe veprimtarinë e Rexhep Pashait.

    Ata janë mbrojtës të qytetit, në çdo gjuhë lavdërohen

    Mbrojtja e tyre është e pranishme në çdo cep, nuk fshihen

    Nëse begatitë e tyre për çdo ditë në qytet shihen

    Nga Krijuesi zemërgjerë kanë ardhur, le të dihen

    Çdo punë e kanë të bukur, me të shtypurin shoqërohen

    Zoti ju ndihmoftë në këtë botë, dhe në botën tjetër të shpërblehen.

    Saidi është një personalitet sufi. Ai është një sufi që i përmbahet tarikatit bektashian.Kjo mund të shihet pothuajse në të gjitha poezitë e tij. Poezia e parë në përmbledhjen e poezive të Saidit, që është në dorëshkrim i kushtohet lavdërimit të  bijve të Profetit. Një poezi e tij i kushtohet edhe Ibrahim Dedeut me të cilin ishte takuar dhe i kishte dëgjuar bisedat e tij. Më pas është një ilahi sufike dhe një poemë historike për shejhun e tij Baba Abbasin. Gjithashtu ka edhe një poezi në strofa katërvargëshe ku flet për shehlerët që ai i ka takuar. Poezia në formën e një gazeli me titullin “semai/qiellore” i ka karakteristikat e një poezie që këshillon kërkimin e një udhërrëfyesi apo përkushtimin ndaj shejhit. Dy poezitë e fundit janë poezi me mësime didaktike sufike.

    Saidi ka profil të një poeti që është në mes të dy stileve të poezisë, poezisë së divanit dhe poezisë popullore, që në thelb bazohen në të njëjtën traditë. Gjuha e tij është turqishtja e Rumelisë/Ballkanit dhe ka qenë e kuptueshme për nënqiellin ku ka jetuar dhe vepruar.

    Shumica e poezive të tij janë shkruar me frymë dhe qëllim sufik. Pothuajse të gjitha poezitë lavdëruese janë të rezervuara për emra që kanë jetuar në kohën dhe vendin e poetit. Por gjithnjë duke e patur parasysh përmasën shpirtnore dhe sufike të tyre. Edhe në vargjet që ia kushton Rexhep Pashait theksi është i vendosur në atë se ai është sufi dhe njeri shpirtnor.

    Siç u përmend edhe më lartë një poezi e tij i është kushtuar bijve të Profetit, 12 imamëve:

    Imami parë është ai shërbyes i Burimit të xhenetit dhe mbret i miqësisë

    U lavdërua si trim i pashoq dhe dhuratë e qenësisë

    Drita e syve të mi, Husejni,  mbreti i dashur dhe plotë bukuri

    Ditë e natë mbi Jezidin qoftë i lëshuar mallkimi.

    Edhe në poezitë tjera të tij mbretëron koncepti sufik madje disa kanë edhe karakteristika këshillëdhënëse:

    Fjalën e myrshidit (udhërrëfyesit) dëgjoje, zemrën pastroje

    Puthe gotën e dashurisë hyjnore, bën përpjekje, përpjekje.

    Saidi ka shkruar edhe disa poezi në të cilat i përshkruan dhe lavdëron Tetovën, Gostivarin, fshatin Pallçishtë dhe Saraqinë. Në fillim, pasqyrohet imazhi natyror i qytetit apo fsahtit, më pas përshkruhet përmasa historike dhe kulturore, ndërsa në pjesën e fundit përmenden varret e personalitetve  që kanë dalur në pah me identitetin e tyre sufik dhe kontributin e tyre për këto vise.

    Ja çka thotë, Saidi, për Tetovën:

    Një shpirt, dhuratë hyjnore, është Tetova

    Sinqeritet e pastërti është për të dashurin, Tetova

    Burim i dritës së sheriatit, vatër e sekretit të tarikatit

    Thesar perlash të hakikatit (realitetit) është për gnostikët.

    Nga përjetësia bartet lavdia për ty, me plotni,

    Të zbukuroi, I Bukuri absolut, çdo anë me shumë stoli

    Lumenjtë që rrjedhin japin plot gjallëri

    Tetovë, e meriton, nëse them se s’ke rival në qenësi.

    Në vargjet në vazhdim Saidi flet për shejhlerët sufi të cilët kanë qenë të pranishëm apo të varrosur në qytetin e  Tetovës. Këta vargje të Saidit janë të rëndësishme edhe për identifikimin e jetës fetare dhe kulturore në qytetin e  Tetovës.

    Nga njëra anë të mbron Sersem Ali Baba

    Në kodër lart mbi ty qëndron Kojun Baba

    Në anën tjetër çdo dëshirë ta plotëson Jarar Baba

    Ndihma të vjen në katër anë, Tetovë, e dashura.

    Bëhet fjalë për tre teqe bektashiane të cilat janë në qytetin e Tetovës. Sersem Ali Baba është emri i dytë i Teqesë Harabati Baba në Tetovë, ndërsa teqeja e Kojun Babës është në fshatin Shipkovicë në malësi të Tetovës, por për fat të keq në periudhën komuniste është uzurpuar nga pushteti dhe është përdorur si qendër ushtarake, ndërsa tash është e braktisur dhe lënë pas dore. Kurse, teqeja e Jarar ose Javer Babës ka qenë në dalje të Tetovës në afërs të fshatit Poroj. Kjo teqe është uzurpuar që në periudhën e mbretërisë jugosllave dhe i është dhënë në pronësi një serbi të quajtur Stole dhe deri vonë vendi ku ka qenë teqeja është thirur me merin “Teqeja e Stoles”.

    Poeti Saidi në këtë poezi për Tetovën na jep edhe informata tjera, të cilat për fat të keq, nuk kemi mundësi t’i vërtetojmë në bazë të dhënave që i kemi. Ai thotë që teqenë e parë në Tetovë e kanë hapur Halveti-Sinanitë dhe më pas një shejh i kadirive i quajtur Shejh Minuri.

    Në fillim teqenë e kanë hapur dervishët sinani

    Pozitat e tyre janë të dashura dhe plot miqësi

    Me mëshirë i afrohen çdo njeriu në afërsi

    Sekretet të gjalla i ka Tetova në përgjithësi.

    Çarshia e Epërme ishte në fillim e banuar

    Minur Babai teqe ka themeluar

    Djali i tij Mahmudi si dhe Abbasi ishin të dalluar

    Tetovë ti je vend pjellor dervish për të edukuar.

    Sipas Saidit në afërsi të Sahat Kullës, që do të thotë te xhamia e Sahatit teqe ka patur Shejh Aliu dhe afër tij ka qenë edhe Shejh Mensuri. Ndërsa në Çarshinë e Poshtme ka qenë një shejh me emrin Sulejman si dhe nipi i tij Mehmedi. Ata kanë qenë të vendosur në afërsi të Eski Xhamisë në qendër të Tetovës. Në vargjet e fundit Saidi thotë se Tetova është një qytet përplot me miq të Zotit dhe ka një atmosferë të bujshme shpirtërore dhe se shumë vështirë është të përmenden të gjithë personalitetet që kanë jetuar dhe vepruar në këtë qytet.

  • METIN IZETI: TRIMI SHQIPTAR SYLË TETOVA

    Poeti nga Qiproja Ashik Kenziu gjatë vizitës së tij që ia kishte bërë Tetovës në fillim të shekullit të XIX është frymëzuar nga shumë ngjarje të veçanta të popullsisë shqiptare dhe ambientit në qytetin e Tetovës, që asokohe udhëhiqej nga Abdurrahman Pashai. Ndër poezitë e tij të shkruara për Tetovën dhe shqiptarët e kësaj ane është edhe një poemë që ia kushton njërin nga eprorët ushtarak të Abdurrahman Pashës i cili quhej Sylejman, por siç thotë edhe autori, shqiptarët atë e thirnin Sylë dhe me këtë emër ishte i njohur në shumë vende përreth.

    Një trim e takova brenda në Tetovë

    Ishte pehlivan e guximtarë i rrallë

    Ishte këngëtar, por edhe trim pa frikë

    Trimëria i dëgjohej anembanë

    Abdurrahman Pasha i do trimat pa masë

    Guximin ia vërejti e nxorri në ballë

    Në përleshjet e Prizrenit u tregua i shkathtë

    Që atëherë e njohën për trim të rrallë

    Për shkak se kjo periudhë e sundimit të shtetit Osman është përplot me mosmarrëveshje dhe kryengritje, veçanërisht në trojet që janë udhëhequr nga pashallarë shqiptarë, gjithsesi se ka patur edhe përleshje ndërmjet mbështetësve të reformave të bëra nga Sultan Mahmudi i II dhe atyre që nuk pajtoheshin me këto reforma. Veçanërisht shpërbërja e rendit ushtarak të jeniçerëve që përbëheshin kryesisht nga shqiptarët ka ndikuar në rebelimin e një numri të madh të ushtarakëve të vjetër kundër reformave të Sultan Mahmudit të II. Si rrjedhojë, në këto kohra me trazira, gjithsesi se është nevojitur ruajtja e rendit dhe qetësisë në qytetet shqiptare dhe komandanti ushtarak i Abdurrahman Pashait, Syla, ka qenë një ndër personat kyç në vendosjen e rendit në sanxhakun e Prizrenit, ku bënin pjesë edhe Tetova dhe Gostivari.

    Ashik Kenziu, gjithashtu, e thekson se Syla ka marrë pjesë edhe në shumë luftra bashkë me Pashain dhe nga të gjitha është kthyer si fitimtar.

    Shumë vende ai ka çliruar

    Me nëntëdhjetë armiq përnjëherë ka luftuar

    Gjaku rrëke i rridhte, shumë është plagosur

    Në rrugë të Pashait, Syla, është gjakosur

    Nuk u zbraps edhe kur është plagosur

    Zjarri nuk iu shua armikun pa e sosur

    Të gjithë guximin ia kanë lavdëruar

    Gishtat i kafshuan njerëzit, Sylën duke uruar.

    Ushtar i Abdurrahman Pashait, ai shpirt ishte

    Nuk kishte të barabartë me të në peshore

    Sylejman ishte emri i tij në tyrçe

    Namin, Sylë, e kishte ky trim në arnautçe.

    Në vazhdim të poemës, Ashik Kenziu, flet për virtytet e Sylës, por njëkohësisht edhe të ushtarëve dhe trimave shqiptarë në periudhën osmane. Ai e thekson se prej shqiptarëve dalin shumë trima të cilët njëkohësisht janë edhe të sinqertë dhe besnikë.

    Nga shqiptarët dalin trima me famë

    Nuk ju dhimbset jeta, janë guximtarë

    Por, si Syla, del një në njëmijë

    Statujë e guximit është Syla në këtë anë.

    Besnik është, nga ta thirrësh vjen menjëherë

    I drejtë është, mos mendo se del tradhtarë

    Në rrugë të zotnisë shpirtin flijon, hë, pa thënë

    Një trim i till është Syla i mbarë.

    Sipas rrëfimit të Ashik Kenziut, Syla ka marrë pjesë edhe në betejat e Abdurrahman Pashait në viset tjera të shtetit Osman. Duke folur për trimërinë e Sylës, Ashik Kenziu e përmend se ai ka marrë pjesë edhe në luftë kundër rusëve dhe aty ka treguar trimëri të rrallë.

    Në luftë vajti, pasi zotnia e urdhëroi

    Trim të shohin, kaurët e Moskës, përpara u doli

    Ishte komandant i mija ushtarëve, beteja udhëhoqi

    Zotni me famë është Sylë shqiptari.

    Ishte traditë e hershme në trojet shqiptare të këndohet këngë për trimat, si rrjedhojë, rrëfen Ashik Kenziu, edhe për Sylën janë kënduar këngë trimërie dhe heroike në këto anë.

    Trimëria e tij të le pa fjalë

    Në shqip i është kënduar këngë

    Le të jetë një kujtim nga Kenziu kjo poemëQë të mbahet në mend emri Sylë