Poeti, shairi Said bën pjesë në poetët shqiptarë nga Tetova që kanë shkruar poezitë e tyre në turqishten e vjetër. Nuk kemi shumë njohuri në lidhje me jetën e tij dhe nuk përmenedet në librat biografike të poetëve të periudhës osmane. Informatat në lidhje me periudhën kur ka jetuar i marrim nga disa vargje kronogramike të shkruara nga a ana e tij me rastin e vdekjes së udhërrëfyesit të tij shpirtëror Baba Abbasit. Pasi, Baba Abbasi, përndryshe shejh i teqesë Harabati Baba në Tetovë, kishte vdekur në vitin 1218/1803-4, na jep të kuptojmë se Saidi në këtë kohë ishte poet i pjekur pasi ishte në gjendje të shkruajë vargje kronogramike për shejhin e vet. Si rrjedhojë kosntatojmë se poeti Said ka mundësi të ketë lindur në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII dhe ka jetuar edhe në gjysmën e parë të shekullit të XIX.
Saidi krahas turiqishtes së vjetër e ka njohur edhe arabishten dhe persishten dhe kjo tregon se ai ka ndjekur mësimet e rregullta dhe ka qenë i arsimuar. Poezitë i ka të shkruara në ujdi me kallëpet dhe metrikën e poezisë klasike osmane. Nga poezitë e tij që i ka shkruar për Gostivarin, Tetovën , fshatin Saraqinë, fshatin Pallçishtë, e kuptojmë se ai ka lindur në rethinën e Tetovës dhe më pas është vendosur në qytet. Vargjet kronogramike të fundit të poetit na e tregojnë datën 1232/1816-17 që do të thotë se ai në këto vite ka qenë ende në jetë dhe ka shkruar një dyvargësh për ta lavdëruar Rexhep Pashain, pasi ai e kishte ndërtuar rrugën me kalldërm për në fshatin Saraqinë.
Saidi ka qenë në marrëdhënie shumë të mira me Rexhep Pashain dhe familjen e tij. Në disa poezi të tij, ai, thurr lavde për personalitetin dhe veprimtarinë e Rexhep Pashait.
Ata janë mbrojtës të qytetit, në çdo gjuhë lavdërohen
Mbrojtja e tyre është e pranishme në çdo cep, nuk fshihen
Nëse begatitë e tyre për çdo ditë në qytet shihen
Nga Krijuesi zemërgjerë kanë ardhur, le të dihen
Çdo punë e kanë të bukur, me të shtypurin shoqërohen
Zoti ju ndihmoftë në këtë botë, dhe në botën tjetër të shpërblehen.
Saidi është një personalitet sufi. Ai është një sufi që i përmbahet tarikatit bektashian.Kjo mund të shihet pothuajse në të gjitha poezitë e tij. Poezia e parë në përmbledhjen e poezive të Saidit, që është në dorëshkrim i kushtohet lavdërimit të bijve të Profetit. Një poezi e tij i kushtohet edhe Ibrahim Dedeut me të cilin ishte takuar dhe i kishte dëgjuar bisedat e tij. Më pas është një ilahi sufike dhe një poemë historike për shejhun e tij Baba Abbasin. Gjithashtu ka edhe një poezi në strofa katërvargëshe ku flet për shehlerët që ai i ka takuar. Poezia në formën e një gazeli me titullin “semai/qiellore” i ka karakteristikat e një poezie që këshillon kërkimin e një udhërrëfyesi apo përkushtimin ndaj shejhit. Dy poezitë e fundit janë poezi me mësime didaktike sufike.
Saidi ka profil të një poeti që është në mes të dy stileve të poezisë, poezisë së divanit dhe poezisë popullore, që në thelb bazohen në të njëjtën traditë. Gjuha e tij është turqishtja e Rumelisë/Ballkanit dhe ka qenë e kuptueshme për nënqiellin ku ka jetuar dhe vepruar.
Shumica e poezive të tij janë shkruar me frymë dhe qëllim sufik. Pothuajse të gjitha poezitë lavdëruese janë të rezervuara për emra që kanë jetuar në kohën dhe vendin e poetit. Por gjithnjë duke e patur parasysh përmasën shpirtnore dhe sufike të tyre. Edhe në vargjet që ia kushton Rexhep Pashait theksi është i vendosur në atë se ai është sufi dhe njeri shpirtnor.
Siç u përmend edhe më lartë një poezi e tij i është kushtuar bijve të Profetit, 12 imamëve:
Imami parë është ai shërbyes i Burimit të xhenetit dhe mbret i miqësisë
U lavdërua si trim i pashoq dhe dhuratë e qenësisë
Drita e syve të mi, Husejni, mbreti i dashur dhe plotë bukuri
Ditë e natë mbi Jezidin qoftë i lëshuar mallkimi.
Edhe në poezitë tjera të tij mbretëron koncepti sufik madje disa kanë edhe karakteristika këshillëdhënëse:
Fjalën e myrshidit (udhërrëfyesit) dëgjoje, zemrën pastroje
Puthe gotën e dashurisë hyjnore, bën përpjekje, përpjekje.
Saidi ka shkruar edhe disa poezi në të cilat i përshkruan dhe lavdëron Tetovën, Gostivarin, fshatin Pallçishtë dhe Saraqinë. Në fillim, pasqyrohet imazhi natyror i qytetit apo fsahtit, më pas përshkruhet përmasa historike dhe kulturore, ndërsa në pjesën e fundit përmenden varret e personalitetve që kanë dalur në pah me identitetin e tyre sufik dhe kontributin e tyre për këto vise.
Ja çka thotë, Saidi, për Tetovën:
Një shpirt, dhuratë hyjnore, është Tetova
Sinqeritet e pastërti është për të dashurin, Tetova
Burim i dritës së sheriatit, vatër e sekretit të tarikatit
Thesar perlash të hakikatit (realitetit) është për gnostikët.
Nga përjetësia bartet lavdia për ty, me plotni,
Të zbukuroi, I Bukuri absolut, çdo anë me shumë stoli
Lumenjtë që rrjedhin japin plot gjallëri
Tetovë, e meriton, nëse them se s’ke rival në qenësi.
Në vargjet në vazhdim Saidi flet për shejhlerët sufi të cilët kanë qenë të pranishëm apo të varrosur në qytetin e Tetovës. Këta vargje të Saidit janë të rëndësishme edhe për identifikimin e jetës fetare dhe kulturore në qytetin e Tetovës.
Nga njëra anë të mbron Sersem Ali Baba
Në kodër lart mbi ty qëndron Kojun Baba
Në anën tjetër çdo dëshirë ta plotëson Jarar Baba
Ndihma të vjen në katër anë, Tetovë, e dashura.
Bëhet fjalë për tre teqe bektashiane të cilat janë në qytetin e Tetovës. Sersem Ali Baba është emri i dytë i Teqesë Harabati Baba në Tetovë, ndërsa teqeja e Kojun Babës është në fshatin Shipkovicë në malësi të Tetovës, por për fat të keq në periudhën komuniste është uzurpuar nga pushteti dhe është përdorur si qendër ushtarake, ndërsa tash është e braktisur dhe lënë pas dore. Kurse, teqeja e Jarar ose Javer Babës ka qenë në dalje të Tetovës në afërs të fshatit Poroj. Kjo teqe është uzurpuar që në periudhën e mbretërisë jugosllave dhe i është dhënë në pronësi një serbi të quajtur Stole dhe deri vonë vendi ku ka qenë teqeja është thirur me merin “Teqeja e Stoles”.
Poeti Saidi në këtë poezi për Tetovën na jep edhe informata tjera, të cilat për fat të keq, nuk kemi mundësi t’i vërtetojmë në bazë të dhënave që i kemi. Ai thotë që teqenë e parë në Tetovë e kanë hapur Halveti-Sinanitë dhe më pas një shejh i kadirive i quajtur Shejh Minuri.
Në fillim teqenë e kanë hapur dervishët sinani
Pozitat e tyre janë të dashura dhe plot miqësi
Me mëshirë i afrohen çdo njeriu në afërsi
Sekretet të gjalla i ka Tetova në përgjithësi.
Çarshia e Epërme ishte në fillim e banuar
Minur Babai teqe ka themeluar
Djali i tij Mahmudi si dhe Abbasi ishin të dalluar
Tetovë ti je vend pjellor dervish për të edukuar.
Sipas Saidit në afërsi të Sahat Kullës, që do të thotë te xhamia e Sahatit teqe ka patur Shejh Aliu dhe afër tij ka qenë edhe Shejh Mensuri. Ndërsa në Çarshinë e Poshtme ka qenë një shejh me emrin Sulejman si dhe nipi i tij Mehmedi. Ata kanë qenë të vendosur në afërsi të Eski Xhamisë në qendër të Tetovës. Në vargjet e fundit Saidi thotë se Tetova është një qytet përplot me miq të Zotit dhe ka një atmosferë të bujshme shpirtërore dhe se shumë vështirë është të përmenden të gjithë personalitetet që kanë jetuar dhe vepruar në këtë qytet.
Kur afrohet muaji Ramazanit zbres në bibliotekën time për të shikuar literaturën se për çka do të ligjëroj në këtë muaj të bekuar. Kryesisht përqëndrohem në literaturën klasike dhe në shënimet e ndryshme të cilat i kam marrë prej librave të caktuara dekada me rradhë. Ashtu bëra edhe këto ditë kur u afruan ditët e Ramazanit të bekuar. Duke shfletuar fletoret e vjetra me shënime rastisa në një fletore të vogël ku kisha shënuar disa hadise të Pejgamberit a.s.. E morra fletoren në dorë dhe atëherë sytë m’u mbushën me lot. Ishte kjo fletorja e cila mbante datën 01.Qershor 1984 dhe në faqen e parë të saj shkruante: Bisedë me Hoxhën për muajin e Ramazanit. Përnjëherë kujtesa më ktheu në ato ditë të nxehta të qershorit kur e kisha përfunduar hifzin dhe për çdo ditë shkoja në xhaminë e Larme, në mektebin e Mahmud Efendiut, muhafizit tim të dashur, për t’iu ndihmuar nxënësve që mësonin hifzin. Atë Ramazan, pasi isha i lirë, e kisha përfunduar shkollën fillore dhe përgatitesha për të vajtur në medresenë Isa Beu në Shkup, kisha më tepër kohë për të ndejtur me Hoxhën, i cili vazhdimisht ishte në xhami. Si rrjedhojë, Hoxha pas namazit të ikindisë përgaditej për ligjëratat e tij të Ramazanit dhe bashkë me të, pas namazit të ikindisë, qëndroja edhe unë dhe i shënoja në fletore hadiset që Hoxha i përgadiste për ligjëratë. Ta them të drejtën nuk më kujtohet se prej cilës përmbledhje të hadiseve të Pejgamebrit a.s. përgatitej Hoxha, por tash kur i lexova ato hadise, e kuptova platformën njohëse dhe adhuruese të Hoxhës tim të nderuar. U emocionova shumë, u ktheva sërish në ato ditë plot entuziazëm dhe dashuri ndaj shkencës fetare dhe njohjes së literaturës fetare, prandaj edhe vendosa që këto hadise t’i shkruaj dhe t’i ndaj me ju të nderuar lexonjës, me theks të veçantë për ta përkujtuar me rahmet Hoxhën e nderuar Mahmud Efendi Asllanin. 1.Ibn Abasi r.a., thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të thotë: “Çdo vit Xheneti parfumohet dhe zbukurohet për pritjen e Ramazanit. Kur vjen nata e parë e Ramazanit, nën Arsh (Fronin e Allahut) fryn një erë e quajtur Musira. Fryrja e tij shushurit gjethet e pemëve të Xhenetit dhe dorezat e dyerve të Xhenetit tronditen me një zë që nuk ishte dëgjuar kurrë më parë. Pastaj shfaqen shërbyeset e Xhenetit, të cilët ecin përpara derisa arrijnë në qendër të llozhave të Xhenetit, e pastaj thonë: “A ka ndonjë që i lutet Allahut që të na japë në shërbim të tij!? Pastaj ato thërrasin: “O Ridvan (Rojtar i Xhenetit), çfarë nate është kjo? Ai përgjigjet: “Kjo është nata e parë e Ramazanit, pastaj hapen dyert e Xhenetit për agjëruesit nga Umeti i Muhamedit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.” Resulullahu alejhi ve selem, pastaj tha: Allahu xh.sh., thotë: O Ridvan, hapi dyert e Xhenetit! O Malik (Rojtar i Xhehenemit), mbylli dyert e Xhehenemit për agjëruesit nga Umeti i Ahmedit! O Xhibril, zbrit në tokë dhe lidhi shejtanët kryengritës! Vendosini në zinxhirë dhe hidhini në oqeane që të mos mbjellin telashe dhe të prishin agjërimin e pasuesve të umetit të Muhamedit Tim të Dashur, s.a.v.s. Allahu i Lartësuar e urdhëron thirrësin nga qielli që çdo natë të Ramazanit të thërrasë tri herë: “A ka ndonjë që më kërkon diçka që t’ia plotësoj dëshirën? A ka ndonjë që pendohet tek Unë për mëkatet e bëra në mënyrë që Unë ta fal? Kush është ai që do t’i japë hua Atij që nuk i humbet pasuria dhe që e përmbush siç duhet premtimin e dhënë, duke mos i bërë padrejtësi askujt? ‘” Më tej Resulullahu, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Çdo ditë në kohën e Iftarit, Allahu i Lartësuar liron nga zjarri njëmijë shpirtra, që, secili prej tyre tashmë meritonte të hynte në Xhehenem”. Në natën e fundit të Ramazanit, Allahu xh.sh., liron aq sa janë liruar gjatë gjithë muajit. Natën e Kadrit, Allahu xh.sh., e urdhëron Xhibrilin që të zbresë në tokë me një grup melekësh. Ata zbresin duke mbajtur një flamur të gjelbër të cilin e vendosin në majë të Qabes. Xhibrili, Allahu e bekoftë dhe i dhëntë paqe, ka njëqind krahë, dy prej të cilëve janë hapur vetëm atë natë. Ai i shpërndan ato aq larg sa shtrihen nga lindja në perëndim. Pastaj Xhibrili, alejhi selam, dërgon melekë në të gjitha drejtimet atë natë për të graduar këdo që e gjejnë në këmbë ose ulur për ta madhëruar Allahun, duke u falur dhe duke bërë dhikër. Ata shtrëngojnë duart me ta dhe thonë ‘Amin! për të gjitha lutjet e tyre deri në agim. Kur zbardh agimi, Xhibrili, a.s., thërret: ‘Ndarje! Më pas, melekët pyesin: “O Xhibril, çfarë ka bërë Allahu me nevojat e pasuesve të Umetit të Ahmedit, Allahu e bekoftë dhe i dhëntë paqe? Xhibrili, alejhi selam, përgjigjet: “Allahu i shikoi ata këtë natë dhe i fali të gjithë, përveç katër grupeve! ” Ne (sahabët) pyetëm: “Kush janë ata katër grupe o i Dërguari i Allahut? Resulullahu, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Ata janë: një i dehur famëkeq, ai që nuk u bindet prindërve, ai që prish lidhjet familjare dhe ai që është ‘mushahin’. Ne pyetëm: “I Dërguari i Allahut, kush është ‘mushahin’? Resulullahu, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Ky është ai që është në armiqësi të vazhdueshme (me vëllezërit myslimanë). ” “Dhe kur të vijë nata e Bajramit, e cila quhet Nata e Shpërblimeve, Allahu i Madhëruar në fund të asaj nate, në mëngjesin e Bajramit, dërgon melekë në të gjitha anët e tokës. Ata marrin pozicione në afërsi dhe thërrasin me një zë që mund të dëgjohet nga të gjitha krijesat, përveç njerëzve dhe xhinëve: ‘O umeti i Muhamedit, dilni te Zoti fisnik, i Cili jep shumë dhe që fal mëkatet e mëdha! Dhe kur shfaqen në vendet ku falet namazi i Bajramit, Allahu i Lartësuar u thotë melekëve: “Çfarë duhet të marrë një punonjës kur kryen punën e tij? Melekët i përgjigjen: ‘Zoti ynë, ai duhet të marrë shpërblimin e tij të plotë. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: “O melekët e Mi, ju thërras të dëshmoni se Unë, për shkak se agjëruan muajin e Ramazanit dhe qëndronin para Meje natën në namaz, u dhashë atyre si shpërblim kënaqësinë dhe faljen Time! O robërit e Mi, tani kërkoni prej Meje! Me hirin e Fuqive të Mia dhe Lartësisë Sime, Unë do t’ju jap gjithçka që kërkoni prej Meje sot në këtë takim dhe kjo ka të bëjë me botën tuaj të ardhshme (ahiret). Unë do t’ju jap gjithashtu atë që kërkoni prej Meje nga nevojat e kësaj bote. Me Fuqitë e Mia, Unë do t’i mbuloj gabimet tuaja përderisa ju i kushtoni vëmendje dispozitave të Mia! Pasha Nderin dhe Lartësinë Time, Unë nuk do t’ju poshtëroj dhe nuk do t’ju turpëroj mes mëkatarëve dhe jobesimtarëve! Tash shpërndahuni, jeni të falur! Unë jam i kënaqur me ju! ” “Duke parë shpërblimin e madh që Allahu i Lartësuar i jep Umetit të Muhammedit a.s., në ditën e Fitër Bajramit, melekët gëzohen shumë. ” 2. Selman el-Farisi, r.a., transmeton: “Në ditën e fundit të muajit Shaban, Resulullahu, alejhi selam, na u drejtua dhe tha: “O ju njerëz, ju vjen një muaj i madh dhe i bekuar. Ai përmban një natë që vlen më shumë se një mijë muaj. Është një muaj, ditët e të cilit Allahu e ka bërë obligim agjërimin në to dhe në netët e tij rekomandohet namazi i teravive. Ai që i afrohet Allahut në atë muaj duke bërë një vepër të mirë, qoftë edhe e zakonshme, do të shpërblehet sikur të kishte bërë farz në një kohë tjetër! E kush bën një farz, do të shpërblehet sikur të ketë kryer shtatëdhjetë farze kur nuk është Ramazan! Ai është muaji i durimit, kurse shpërblimi i durimit të vërtetë është Xheneti. Gjithashtu, është muaji i afërsisë me mikun tuaj. Në atë muaj besimtarit i shtohet furnizimi. Kush i përgatit një iftar agjëruesit, shpërblimi i tij do të jetë falja e mëkateve dhe shpëtimi nga zjarri. Dhe ai gjithashtu do të marrë një shpërblim të ngjashëm me atë të agjëruesit pa i pakësuar asgjë agjëruesit. ” Disa thanë: “I Dërguari i Allahut, secili prej nesh nuk ka mundësi për të dhënë iftar për agjëruesin!? Resulullahu, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Allahu ua jep këtë shpërblim atyre që i japin agjëruesve për të prishur agjërimin, qoftë edhe një hurmë, një gllënjkë ujë ose qumësht. Është një muaj, e treta e parë e të cilit është mëshirë e Allahut. E treta e dytë e saj sjell faljen e Allahut dhe përfundimi i saj është shpëtimi nga zjarri. Kush ia lehtëson barrën robit të tij në këtë muaj, Allahu do ta falë dhe do ta çlirojë nga qëndrimi në Xhehenem. Në këtë muaj ju bëni sa më shumë katër gjëra: me dy do të arrini kënaqësinë e Zotit tuaj, dhe dy të tjerat janë gjithashtu të nevojshme për ju. Për sa i përket asaj që do të arrini kënaqësinë e Zotit tuaj – është dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut (duke thënë La ilahe illlellah) dhe kërkimfalja prej Allahut (bërja e istigfarit). Ajo që është e nevojshme është të lutesh Allahun që të të çojë në Xhenet dhe të kërkosh strehim tek Ai nga Xhehenemi. Kush i jep ujë agjëruesit kur e prish agjërimin, Allahu (Ditën e Gjykimit) do t’i japë ujë nga Havdi im (Burimi im në Xhenet) që të mos ndjejë etje derisa të hyjë në Xhenet. 3. Transmeton Ebu Hurejra r.a.,se Resulullahu lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Umetit tim iu dhanë pesë gjëra në Ramazan që nuk iu dhanë askujt para tyre: 1. Fryma nga goja e agjëruesit është më e pëlqyeshme tek Allahu se era e miskut (parfumit); 2. Edhe një peshk në det kërkon falje për ta derisa të bëjnë iftar; 3. Allahu e zbukuron xhenetin çdo ditë dhe pastaj thotë: ‘Robërit e mi të devotshëm sapo e hodhën barrën e tyre (të kësaj bote) dhe erdhën te ti’; 4. Në këtë muaj, djajtë e këqij vihen në pranga, në mënyrë që të mos mund të bëjnë të këqijat që zakonisht i bëjnë jashtë Ramazanit; 5. Në natën e fundit të Ramazanit ata (agjëruesit) falen. ” Pas kësaj, sahabët, pyetën: “O i Dërguar i Allahut, a është ajo nata e fundit – Nata e Kadrit?” ” Resulullahu, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u përgjigj: “Jo! Bëhet fjalë për faktin se ai që bën përpjekje e merr shpërblimin kur mbaron punën. ” 4. Ka’b b. Uxhre, r.a. transmeton se “Resulullahu, s.a.v.s., ka thënë: “Afrojuni mimberit! “, dhe ne u afruam. Kur u ngjit në shkallën e parë të mimberit tha: “Amin! “Kur u ngjit në shkallën e dytë, tha: “Amin! Dhe në hapin e tretë tha: “Amin! ” Kur zbriti nga mimberi thamë: “O i Dërguari i Allahut, sot dëgjuam nga ti diçka që nuk e kemi dëgjuar kurrë më parë!? Ai tha: “Kur u ngjita në shkallën e parë, më doli Xhibrili, alejhi selam, dhe tha: “Mallkuar qoftë ai që e pret muajin e Ramazanit dhe e lejon të kalojë pa fituar falje! ’ Pastaj thashë: ‘Amin! Kur u ngjita në shkallën e dytë, ai tha: “Mallkuar qoftë ai që përmendet emri yt dhe nuk të sjell Salavat! ’ Unë thashë: ‘Amin! Kur u ngjita në shkallën e tretë, ai tha: “Mallkuar qoftë ai që sheh prindërit e tij ose njërin prej tyre se është plakur dhe shërbimi dhe kujdesi për ta nuk e shpie në Xhenet. ’ Unë thashë: ‘Amin! “ 5. ‘Ubade b. Samiti r.a., transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha një ditë kur Ramazani kishte filluar: “Ju erdhi Ramazani, muaji i bekimeve. Në atë muaj Allahu kthehet tek ju dhe zbret mëshirën e Tij të veçantë, i fal mëkatet dhe i pranon lutjet. Në Ramazan, Allahu shikon konkurrencën tuaj në të mirën dhe ju lavdëron para melekëve të Tij. Prandaj, tregohuni të rregullt para Allahut! Vërtet, i mjerë dhe i palumtur është ai që privohet nga mëshira e Allahut në këtë muaj. ” 6. Ebu Seid el Hudri, r.a., transmeton se Resulullahu, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Çdo ditë dhe natë të Ramazanit, Allahu i Lartësuar i çliron njerëzit (nga Xhehenemi). Dhe në çdo ditë Ramazani dhe çdo natë Ramazani, Allahu i Lartësuar i përgjigjet lutjes së çdo muslimani. ” 7. Ibën Omeri r.a., transmeton se Resulullahu a.s., ka thënë: “Vërtet, Allahu xh.sh. dhe melekët e Tij bien salavat për ato që zgjohen për të ngrënë syfyr ” 8. Ebu Hurejra, r.a., transmeton se Resulullahu a.s., ka thënë: “Ka shumë agjërues dhe nuk kanë asgjë nga agjërimi i tyre përveç urisë”. Të shumtë janë ata që e falin namazin e natës (teravinë) dhe nuk përfitojnë asgjë nga namazi i tyre, përveçse kanë qëndruar zgjuar.” 9. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Resulullahu, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush nuk agjëron një ditë të Ramazanit pa ndonjë arsye apo sëmundje serioze, nuk do të mund ta kompensojë atë ditë me asgjë – edhe sikur të agjëronte gjithë jetën”. 10. Enesi, r.a., transmeton: “Një herë, kur filloi Ramazani, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Ju ka ardhur një muaj në të cilin ka një natë më të mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga begatitë e saj, është i privuar nga çdo e mirë! Dhe vetëm një i pafat privohet nga e mira e saj! ” 11. Enesi r.a. transmeton se Resulullahu, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: Natën e Kadrit Xhibrili a.s. zbret në tokë me një grup melekësh, duke e bekuar çdo rob që e përmend Allahun në këmbë ose ulur. Pastaj, në ditën e Bajramit, Allahu i lavdëron robërit e tillë para melekëve të Tij: “O melekë të mi, çfarë duhet të marrë një punonjës kur kryen punën e tij? ’ Ata përgjigjen: ‘Zoti ynë, ai duhet të marrë shpërblimin e tij. Kësaj Allahu i përgjigjet: “O melekët e Mi, robërit e Mi, meshkuj dhe femra, kanë bërë atë që u kam urdhëruar. Pastaj ata ngritën zërin e tyre për tu penduar duke mu lutur Mua; Pasha Fuqinë dhe Madhështinë Time, Pasha Fisnikërinë Time dhe Pozicionin Tim të Lartë – Unë, me të vërtetë, do t’u përgjigjem atyre. Pas kësaj Allahu thotë: “Kthehuni, ju kam falur mëkatet dhe lëshimet tuaja i kam zëvendësuar me të mira. Resulullahu, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, tha: “Ata pastaj kthehen me mëkatet e tyre të falura. ‘” 12. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se ka pyetur Pejgamberin a.s.: “I Dërguari i Allahut, çfarë më rekomandoni të këndoj në Natën së Kadrit? ” Resulullahu a.s., u përgjigj: “Thuaj: “Allahumme, inneke ‘afuvvun tuhibbu-l- ‘afve fa ‘fu ‘anni! “; “O Allah, Ti je Falës i madh, e do faljen, prandaj më fal mua! ” 13. Ibn Abasi r.a., transmeton se në një rast ishte në itikaf në xhaminë e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Një burrë iu afrua dhe u ul me të. Ibn Abbasi, r.a., i tha: “E shoh se dukesh i trishtuar dhe i brengosur. Burri u përgjigj: “Po, o kushëri i të Dërguarit të Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, jam shumë i shqetësuar sepse kam detyrim (borxh) ndaj dikujt. Ashtu siç është e ndaluar përdhosja e këtij varri (mendonte për varrin e Pejgamberit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ashtu edhe unë nuk jam në gjendje ta përmbush atë (për të shlyer borxhin )! Ibn Abbasi, r.a., pyeti: “A dëshiron që unë të ndërmjetësoj tek ai person për ty? Burri u përgjigj: “Po, nëse dëshiron. ” Ibn Abbasi, r.a., veshi këpucët dhe filloi të largohej nga xhamia. Burri, duke e parë këtë, tha: “A ke harruar që je në Itikaf? Ibën Abasi r.a., duke i mbushur sytë me lot, u përgjigj: “Jo, e kam kujtuar tashmë Pejgamberin a.s., kur tha: “Kush e lehtëson vëllanë e tij musliman nga vështirësitë dhe bën përpjekje në këtë rrugë, kjo është më mirë për të sesa të kalojë dhjetë vjet në itikaf! Kushdo që kalon një ditë në itikaf, duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, Allahu xh.sh., vendos tri istikame ndërmjet tij dhe zjarrit, ato janë më të gjera se qiejt dhe toka. ‘” Këta hadise i gjeta të shënuara në fletoren time nga qëndrimi para rahles së Hoxhës tim të nderuar Mahmud Efendi Asllanit, Allahu e nderoftë dhe e bashkoftë me miqtë e Tij!
Poeti nga Qiproja Ashik Kenziu gjatë vizitës së tij që ia kishte bërë Tetovës në fillim të shekullit të XIX është frymëzuar nga shumë ngjarje të veçanta të popullsisë shqiptare dhe ambientit në qytetin e Tetovës, që asokohe udhëhiqej nga Abdurrahman Pashai. Ndër poezitë e tij të shkruara për Tetovën dhe shqiptarët e kësaj ane është edhe një poemë që ia kushton njërin nga eprorët ushtarak të Abdurrahman Pashës i cili quhej Sylejman, por siç thotë edhe autori, shqiptarët atë e thirnin Sylë dhe me këtë emër ishte i njohur në shumë vende përreth.
Një trim e takova brenda në Tetovë
Ishte pehlivan e guximtarë i rrallë
Ishte këngëtar, por edhe trim pa frikë
Trimëria i dëgjohej anembanë
Abdurrahman Pasha i do trimat pa masë
Guximin ia vërejti e nxorri në ballë
Në përleshjet e Prizrenit u tregua i shkathtë
Që atëherë e njohën për trim të rrallë
Për shkak se kjo periudhë e sundimit të shtetit Osman është përplot me mosmarrëveshje dhe kryengritje, veçanërisht në trojet që janë udhëhequr nga pashallarë shqiptarë, gjithsesi se ka patur edhe përleshje ndërmjet mbështetësve të reformave të bëra nga Sultan Mahmudi i II dhe atyre që nuk pajtoheshin me këto reforma. Veçanërisht shpërbërja e rendit ushtarak të jeniçerëve që përbëheshin kryesisht nga shqiptarët ka ndikuar në rebelimin e një numri të madh të ushtarakëve të vjetër kundër reformave të Sultan Mahmudit të II. Si rrjedhojë, në këto kohra me trazira, gjithsesi se është nevojitur ruajtja e rendit dhe qetësisë në qytetet shqiptare dhe komandanti ushtarak i Abdurrahman Pashait, Syla, ka qenë një ndër personat kyç në vendosjen e rendit në sanxhakun e Prizrenit, ku bënin pjesë edhe Tetova dhe Gostivari.
Ashik Kenziu, gjithashtu, e thekson se Syla ka marrë pjesë edhe në shumë luftra bashkë me Pashain dhe nga të gjitha është kthyer si fitimtar.
Shumë vende ai ka çliruar
Me nëntëdhjetë armiq përnjëherë ka luftuar
Gjaku rrëke i rridhte, shumë është plagosur
Në rrugë të Pashait, Syla, është gjakosur
Nuk u zbraps edhe kur është plagosur
Zjarri nuk iu shua armikun pa e sosur
Të gjithë guximin ia kanë lavdëruar
Gishtat i kafshuan njerëzit, Sylën duke uruar.
Ushtar i Abdurrahman Pashait, ai shpirt ishte
Nuk kishte të barabartë me të në peshore
Sylejman ishte emri i tij në tyrçe
Namin, Sylë, e kishte ky trim në arnautçe.
Në vazhdim të poemës, Ashik Kenziu, flet për virtytet e Sylës, por njëkohësisht edhe të ushtarëve dhe trimave shqiptarë në periudhën osmane. Ai e thekson se prej shqiptarëve dalin shumë trima të cilët njëkohësisht janë edhe të sinqertë dhe besnikë.
Nga shqiptarët dalin trima me famë
Nuk ju dhimbset jeta, janë guximtarë
Por, si Syla, del një në njëmijë
Statujë e guximit është Syla në këtë anë.
Besnik është, nga ta thirrësh vjen menjëherë
I drejtë është, mos mendo se del tradhtarë
Në rrugë të zotnisë shpirtin flijon, hë, pa thënë
Një trim i till është Syla i mbarë.
Sipas rrëfimit të Ashik Kenziut, Syla ka marrë pjesë edhe në betejat e Abdurrahman Pashait në viset tjera të shtetit Osman. Duke folur për trimërinë e Sylës, Ashik Kenziu e përmend se ai ka marrë pjesë edhe në luftë kundër rusëve dhe aty ka treguar trimëri të rrallë.
Në luftë vajti, pasi zotnia e urdhëroi
Trim të shohin, kaurët e Moskës, përpara u doli
Ishte komandant i mija ushtarëve, beteja udhëhoqi
Zotni me famë është Sylë shqiptari.
Ishte traditë e hershme në trojet shqiptare të këndohet këngë për trimat, si rrjedhojë, rrëfen Ashik Kenziu, edhe për Sylën janë kënduar këngë trimërie dhe heroike në këto anë.
Trimëria e tij të le pa fjalë
Në shqip i është kënduar këngë
Le të jetë një kujtim nga Kenziu kjo poemëQë të mbahet në mend emri Sylë