Category: Revista

  • METIN IZETI – E KALTËRTA E SHPIRTIT…

    METIN IZETI – E KALTËRTA E SHPIRTIT…

    E kaltërta është ngjyra e melekëve/engjëjve… është ngjyra e qiejve dhe e detit… e lartësisë dhe e thellësisë… e simpolizon besnikërinë, përkushtimin, urtinë, vetëbesimin… e kaltërta konsiderohet e dobishme  për shkak se e ngadalëson metabolizmin e njeriut dhe e qetëson shpirtin… e kaltërta është fuqimisht e ndërlidhur me paqën dhe qetësinë…

    E kaltërta është sunduese në dekorimet murale të objekteve shpirtërore muslimane, në veçanti në shekullin e XIX… e kaltërta është metaforë e vetmisë sufike dhe qëndrimit në shoqërim me Krijuesin.. është ngjyrë e halvetit… është ngjyrë e shtëpisë së Fatimesë në kompleksin Harabati Baba Teqe në Tetovë.

    Fatimeja ishte vajza e sëmurë nga kjo botë dhe e tërhequr në të kaltërtën e shpirtit në shtëpinë e saj, brenda kompleksit Harabati… ajo ishte një femër me pjellorësi shpirtërore si edhe motrat Mansure dhe Hurshide që dy shekuj më parë kishin shkruar emrin etyre me shkronja të arta në ndërtimin e xhamisë së larme (Alaxha ) në Tetovë. Ata ndërtimin e xhamisë e kishin bërë me paratë e ndara për prikën/ çejizin e martesës. Shtëpia e kaltërt e Fatimesë gjithashtu ishte prika/ çejizi i saj. Ata së bashku sikur e përjetonin natëne  e gjerdekut në takimin me të Dashurin e vërtetë. E përjetonin me dashuri sheb-i arusin/natën e gjerdekut të Mevlanasë.

    Sheb-i Arus, i thotë Mevlana, natës së takimit me të Dashurin e përjetshëm të tij, me Zotin, i thotë vdekjes. Ata të gjithë së bashku vdisnin për të jetuar…

    E kaltërta është edhe iniciativë e ikonografisë së shekullit të XV… modeste por vepër e një vullneti të pakrahasueshëm…

    E një vullneti që e  din se çka dëshiron të thotë…

    Si rrjedhojë është e përdorur edhe në dekorimin mural të Harabatit, por edhe në pjesë të caktuara të xhamisë së Larme… vepra të amshueshme të Rexhep dhe Abdurrahman Pashës.

    Nuk ka mundësi të hapëroni përreth këtyre ndërtesave dhe të mos e dëgjoni atë përpjekje dhe heshtje shpirtërore të sufijve dekorues në të kaltërtën qiellore të Harabatit dhe Xhamisë së Larme..

    Heshtjen shpirtërore të Abdurrahmanit/robit të Mëshirbërësit, që bën zë edhe sot e kësaj dite…

    Kjo e kaltër sa bukur do t’u qëndronte melekëve!!?

    Por t’i lëmë pak ngjyrat, por edhe përvojat e perspektivës dhe sfondeve mjeshtërore… shikoni ju lutem ngjyrat esenciale… xhamia e Larme dhe Harabati janë të tëra në ngjyra dhe dritë.. njeriu smund të vendos a janë më të mira ngjyrat ose drita që bie në to… sikur bartet në platformën e metaforave platoniane me piktorët kinez dhe grekë… muret e tyre sa të bukura i kanë ngjyrat aq edhe më të bukura i kanë murret që janë të pastruara me dhikrin/përkujtimin e Zotit… dhe çdo dritë që bie në këto murre reflektohet si më e bukur… ndoshta murret edhe nuk janë prej materiali ndërtimor… ndoshta janë zemra të adhuruesve  dhe frymës së tyree që në ditë të ftohta ka avulluar në trajtë të huuuuuuuuuuu-së

    E në ditët e vapës si haaaajjjjjjjjjj…

    E kaltërta ndonjëherë na e përkujton edhe lulet që në pranverë e gëlltitin nga qielli dhe së bashku me të kuqen e vete e përfitojnë ngjyrën vjollce… vjollcë si qielli por e thellë edhe si deti.

    Vjollca është si Fatimeja, si Hurshideja, ndoshta edhe si Mevlana që ka dëshirë të shihet nga të njëjtit si vetja… ajo është një piktore, një qendisëse, një  sufi…

    E kaltërta dhe dekorimet në të na flasin edhe për plotninë që mund të arrihet me bashkimin e aftësisë, përpjekjes nga njëra anë dhe përkushtimit ndaj Zotit, duasë/dhikrit nga ana tjetër…

    “ Njerëzve t’ua përkujtojmë të njerëzishmen…” do të thoshte Naimi, por edhe Junus Emre’ja… Arti është mjet për këtë ndjeshmëri…

    Në të vërtetë kjo e kaltër ishte mbretëruese edhe në “Avatar”in e James Cameron’it…

    Ata krijesa të çuditshme, mbrojtëse të të natyrshmes, të karakterit dhe të njërës nga karakteristikat më elokuente të kategorive estetike , të madhërishmes…

    Në anën tjetër instikti shkatërrues i ego’s, i qibrit , i smirës… ka harruar se për të qenë i aftë duhet të jetë besimtar…

    Të besojë në diçka jashtë vetes. Jashtë dhe mbi veten… Si Fatimeja… si Mevlana… vetëm kështu do të ketë mundësi ta përjetojë të kaltërtën e Harabatit dhe të Divan’it…

    …ta dijë se kushti i parë i artit është liria e artistit… arti është vepër e shpirtave të lirë… të lirë në arenën e lirisë absolute… në praninë e origjinës së krijimit…

    … ta dijë se duhet të jetë i pafajshëm… si një foshnje…pikërisht për këtë edhe gjithnjë kujton se është ndotur… pendohet/estagfirullah…

    Mirësia e tij është, jo vetëm në veten e tij, kudo , në qytet, në mal, në treg…

    Vetëm atëherë të kaltërtën mund ta shohim në esencë…

  • METIN IZETI – E BUKURA RRËNJËT I KA NË TRANSHEDENTALEN

    METIN IZETI – E BUKURA RRËNJËT I KA NË TRANSHEDENTALEN

    METIN IZETI

    E BUKURA RRËNJËT I KA NË TRANSHEDENTALEN

    Plotini në trajtë tejet serioze është përpjekur të përcakojë kufijtë e zbatimit të të bukurës në qenësi. Ai ka filluar me konstatimin se rrënjët e saja janë në një parim transhedental. Për ta përkapur një lëndë si të bukur, do të thotë ai, ajo duhet në brendinë tonë të ngjallë ndjenja shumë më të thella se relacionet metrike, ndërlidhjet mendore ose përkufizimet lëndore të dukurive. Për pasojë, e bukura duhet të ngjallë në ne një përkujtim. Përkapja e të bukurës është hapje, zbulesë/fet’h e një vlere ideale dhe kjo vlerë ideale do të mund të duket në një objekt që mund ta kënaqë atë.

    Kjo ide e Plotinit sikur është duke më bartur në arenën parazënafillore dhe mu aty më del përpara ajo vlerë ideale që ka mundësi të përkujtohet dhe e cila nëpërmjet të të bukurës të na drejtohet neve/njerëzve, objekteve që mund ta kënaqin prezencën e Tij me fjalët: “ Më përkujtoni ju Mua që t’ju përkujtoj Unë juve”. Ndërsa ajo hapje/fet’h sikur më merr dhe më rrotullon përreth Qabes së bashku me Ibn Arabiun dhe përpiqem t’i ndjej ato hapje/futuhat të tij.

    Në brendinë e gjithësisëka një thelb/esencë të pastër dhe të çiltër  e cila nuk ka mundësi të ndotet nga asnjë vepër e jashtme. Thelbi çdoherë është në gjendje që të ngadhnjejë mbi formën, subjekti gjithnjë është në gjendje të shtrijë përtoke objektin. Pikërisht për këtë edhe më pëlqen Kurosawa, për shkak se tek ai esenca gjithnjë ngadhnjen mbi fenomenin. Në filmin e tij “ Hakuchi” ai në mënyrë shumë origjinale arrinë të prezentojë thelbin e “Idiot”it të Dostojevskit në një kulturë totalisht të huaj për specien e veprës. Por ai dëshiron nëpërmjet të saj ta ngrejë zërin e thelbit që rrënjët  ka në transhedentalen. E bukura është e fshehur në thelbin e ngjarjes e jo në gjuhën, racën apo hapësirën e atyre që e luajnë. Pikërisht për këtë vepra e ti ka vlerë artistike, pasi rrezet shëndrisin nga një përmasë tjetër, ata janë imanente, por ama burimi i dritës është lartë dhe në brendinë e tyre.

    *                      *                      *

    Dy atre shekujt e fundit na burgosën brenda imanentes, kufijtë e të cilës na ballafaquan me krizën e dilemës për ekzistencën e lëndores, pasi ajo secilit nuk i dukej e njëjtë. Objekti i soditjes ishte në disproporcion me thelbin e soditësit. Natyra më nuk fliste, nuk dëgjonte nuk kishe mundësi të depërtosh në te brenda, dhe më thoni si do të mund ta përjetojmë të bukurën në të? Më thoni si do të mund të bëheshim Mexhnun, për të cilin Lejla ishte më e bukura, jo pse të gjithë mendonin se është, por për shkak se ashtu e përjetonte ai. Ato zëra i dëgjonte prej shpirtit të saj.

    Tash esenca vdiq do të thoshte Niçe’ja , ndërsa ne e burgosëm në katër muret e botës së dukshme edhe pas vdekjes…

    Soditësi i të bukurës, si më i thirur artisti, e ka të domosdoshme të dëgjojë këtë zë që del nga natyra…

    “Mos më parashtroni pyetje; heshtni dhe përpiquni të më dëgjoni; a nuk e shihni se unë vetëm jam duke heshtur; unë nuk kam shprehi të të folurit. Çka duhet të kuptojmë? Duhet ta kuptoni se çdo krijesë për mua është objekt i soditjes; edhe unë jam prodhim i një soditjeje dhe kam kënaqësi të madhe që të soditem; personi që më vështron mua me sytë e zemrës, krijon një objekt që mund të soditet vetëm me sytë e zemrës; ata që merren me gjeometrinë vizatojnë figura si pasojë e soditjes së tillë. Ndërsa unë nuk vizatoj asgjë; unë thellohem në meditim dhe atëherë vijat që i kufizojnë trupat, formësohen sikur dalin nga unë. Në brendi i përmbaj elemnetet e bartjes sime në qenësi; Bartësi im nuk kishte nevojë të bëjë diçka për të më bartur, por pasi Ai ishte shkak më i mirë se unë më hudhi mua në dukshmëri” (Plotini, Enneadet, III, 8,4).

    A thua vallë ka mundësi të bëhet fjalë për bukuri dhe art pa këtë përmasë të gjallëridhënies? A thua vallë ka mundësi të përjetohet ajo pa sytë që mund të depërtojnë në brendi të qenësisë dhe ta çajnë përmesi ate? A mund të modifikohet nëpërmjet të dorës së njeriut e bukura pa heshtjen dhe ngjitjen në transhedentalen? Jo… por ajo mund të shkatërrohet pa to… mund të ndotet… mund të nëpërkëmbet…

    Shebusteri me disa vargje e ka formësuar këtë brengë timen:

    … Cili është ky det për të cilin fjala është bregu i tij?

    Cili është ky margaritar që gjendet në këto thellësi?

    Qenia është deti, fjala është bregu i tij,

    Guaskat janë gërmat ndërsa margaritarët janë dituria e zemrës njeri.

    Në çdo dallgë, ai nxjerr mijëra margaritarë e xhevahire mbretërore

    Të traditave, të fjalëve të shenjta dhe të teksteve hyjnore.

    Në çdo moment,  me mijëra dallgë shfaqen me furi

    megjithatë, nga një pikë e vetme nuk pakësohet uji i tij.

    Dituria lind në ujin e këtij deti,

    Gërmat dhe zëri janë ato që mbështjellin margaritarët prej vërteti.

    Meqënëse kjo është një alegori që paraqet këta mistere,

    Duhet përdorur një ilustrim nëpër deftere. …

    … Zhytësi futet në thellësitë oqeanike

    Dhe merr me vete margaritarët e shndritshëm.  

    Bregu është trupi yt, deti është ai i qenies

    Mjegulla është falja, shiu është njohja e emrave.

    Zhytësi në këtë det është arsyeja njerëzore

    Që ka njëqind margaritarët mbështjellë në zarfet e tij.

    Zemra është si një ibrik për diturinë

    Zëri dhe gërmat janë guaskat e diturisë së zemrës për njerinë.

    Shpirti vërsulet si një vetëtimë e menjëhershme

    Ai sjell këto gërma në vesh, që është një gjymtyrë e kujdesshme.

    Thyeje praguaskën dhe mere margaritarin mbretëror

    Hidhe larg atë dhe rrëmbeje bajamen e freskët pranveror.

    Ky princip, shumë lehtë mund të na shpie në realizmin si-n`ëndërr, i cili i përket  Plotinit edhe Ibn Arabiut e Shebusterit. Duke folur mbi Plotinin, Jean Brun ka thënë se: `për idealizmin magjik të Novalisit, nuk ka dallim në mes trupit njerëzor, i cili është reduktim i kozmosit, dhe vetë kozmosit, i cili është projekt gjigand i trupit njerëzor. Ky është shkaku, sipas Novalisit, që nuk duhej bërë dallim  botës në mes asaj ëndërrimtares dhe botës ku dikush ëndërron`. Kjo lëndë e cila do të duhej të `kapet nga ëndrra` na fton ne në kontemplimin si-n`ëndërr të botës.

    Distinksioni në mes lëndës dhe formës, sipas Heideggerit, ka ekzistuar qëkur Platoni dhe Aristoteli kanë shërbyer `si skema konceptuale par excellence për cilën do teori të artit apo estetikës`, dhe qëkur Plotini dhe Tarkovski, kanë gërryer me estetikën mistike. ` Bukuria`, në kuptimin tradicional si dhe estetika në formën e jashtme, bëhen sinonime me anë të shkëlqimit të qiellit, me ujitjen e rrënjëve në transhedencë.

  • METIN IZETI – DRITA  NË ESTETIKËN ISLAME

    METIN IZETI – DRITA NË ESTETIKËN ISLAME

    All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i gjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët. Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërus e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lidjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë.(Nur,35)

    Koncepti i dritës/nur  është një ndër subjektet kryesore të filozofisë islame, në veçanti të krahut iluminist/ishrak të saj. Si e tillë më së tepërmi është reflektuar në sferat e filozofisë së artit islam dhe e bukura në veprat e artistike të proviniencës islame është e prezentuar me konsideratë të veçantë për dritën dhe rezatimin  e Subjektit nëpërmes saj në objektet hije të dukshmërisë.

    Koncepti i dritës i përmbledh tre aspektetë ndryshme mes vete por komplementare:

    1. E vendos rendin qenësor të gjërave dhe përmasën manifestative të tyre; siç thotë Shihabudin Suhreverdi (Plaku i filozofisë së dritës) : Të fillojmë nga drita, pasi,atë më së tepërmi e admirojmë. Ajo e pasqyron Krijuesin brenda të krijuarës si dhe mirësinë e Tij.Krijuesit që ndriçontë gjitha sferat tejbotës, përreth botës dhe në botën.Ai formëson dhe krijon. Përfshin dhe kreh nga Vetja çdo gjë. Rigjallëron dhe tubon rreth vetes çdo gjë. Ripërtrinë stolitë e të dukshmes, pa Të çdo gjë do të ishte errësirë…ne të panjohur dhe për ne e panjohur…

    Drita është lidhja e botës, një ind që e lidh brendalëndoren dhe tejlëndoren; Drita, thotë Molla Sadra Shiraziu, është pasqyrë e virtyteve tejfizike/qiellore, lidhje e të lartës me të poshtmen, me dritën qeniet bëhen të dukshme dhe epërfitojnë masën e tyre. Thënë me terme të reja, ajo ontologjinë e bart në fenomenologji dhe  me të gjithësia bëhet transparente.

    • E mundëson njohjen e gjërave, irfanin/ gnoseologjinë. Drita del nga burimi i Parë dhe i Vetëm që në thelb është i amshueshëm dhe prej aty lëshohet në zemrat e arifëve/njohësve dhe më pas në të gjitha përmasat e gjithësisë, pikërisht për këtë irfani dhe marifeti nuk arrihen vetëm me përpjekje racionale dhe lëndore, por edhe me pastrim të sfondit/zemrës , në të cilën do të reflektohet dhe manifestohet Drita e qiejve dhe tokës/Nuru’s-semavati ve’l-erd. Drita nuk është akcidencë e gjërave, domethënë nuk u shtohet më vonë, por është esencë, është në to. Rruga  e njohjes/marifetit niset nga përmasa lëndore dhe manifestative drejt asaj shpirtërore, inteligibile dhe metafizike. Sferat ontologjike të dritës e përcaktojnë edhe metodologjinë e njohjes.
    • Drita e mundëson perspektivën vizuele që i implikon në vete largësitë dhe simetrinë. Si pasojë, janë relativizuar epiqendrat dhe vendet absolute të hapësirës. I ndikuar nga mendimet e Suhraverdiut, Nikola Kuzanski do të zhvillojë teorinë e tij për hapësirën me të cilën do të shembet fizika klasike e Aristotelit dhe nga ana tjetër në perëndim do të zhvillohen teknikat e reja të perpspektivës figurative.

    Si rrjedhojë, drita në hapësirë e ka mundësuar masën dhe simetrinë dhe i ka krijuar qendrat e veta hije  për të relativizuar esencialitetin e objektit me qëllim të vetëm të absolutizimit të Subjektit, në këtë rast, Zotit.

    E bukura është përpunuar si e vërtetë gjeometrike. Trekëndëshi barabrinjës është më prezent se ai brinjndryshëm, pasi i pari ka më tepër të njëjta se i dyti; katrori është edhe më i mirë, për shkak se ka kënde dhe brinjë të njëjta në të gjitha anët, si në shembullin e Qabes, por më i bukuri është rrethi, ai i tavafit përeth Qabes, ku skaji nuk e ndërpret tërësinë e vëllimit. E tillë është edhe zemra.

    Në këtë trajtë soditësi në estetikën islame është përqëndruar në përjetimin metafizik të identitetit absolut të Zotit, që është konsideruar si Dritëdhënës dhe Reflektues në objektin artistik. Si rrjedhojë e kësaj objektet fetare islame janë të ndriçuara fortë, ndërsa ata krishtere janë më të errëta.

    Drita gjithashtu ka qenë shtytëse e shndritjes së ngjyrave. Estetika islame në këtë aspekt tregon anim të fortë në përmasat intuitive të realitetit. Përjetimi i proporcioneve dalëngadalë fillon të bartet në thellësinë e ngjyrave dhe të përjetohet në realitetin e dritës. Si rrjedhojë, soditësit ia mundëson katarzën e depërtimit në thellësitë e shumëngjyrësisë për ta rrokur pangjyrësinë e dritës.

    Qëndron brenda xhamisë së Kordobës, në platformën e mbuluar nga të katër anët me figuracionin gjeometrik dhe shumëngjyrësinë , përballë mihrabit që është i thellë dhe i vendosur në një plan shumëkëndor, i kurorëzuar në pjesën e epërme nga një hark në formë patkoi, një rreth madhështor dhe rrezor me gurrë trekëndorë të dekoruar me mozaikë të verdhë, jeshilë dhe të kuqërremtë. Në harkun një strukturë drejtkëndore mbi të cilin janë të gjunjëzuara germa të theksuara prej ari mbi një sfond bojë qielli. E tërë kjo fotografi është e shtytur me forcë të papërshkruar nga elementi i dritës që i bie brendisë nga të katër anët dhe në proporcion përplotësohet me figuracionin brenda objektit, i jep gjallërinë. Së bashku ofrojnë drejtpeshimin si zjarrmia dhe drejtësia, apo dashuria dhe urtësia.

    Menjëhershmëria dhe zakonshmëria janë cilësitë kryesore të estetikës islame për ngjyrën. Arti figurativ i klasikës islame nuk e ka kolorizmin e shekujve të mëvonshëm dhe i përdor ngjyrat elementare, por të vendosura në fusha të caktuara kromatike, dhe të cilat e tregojnë dritën thelbësore të tyre.

    Rruga e pastrimit dhe njohjes së Subjektit në kuadër të objektit të estetikës islame, lëndën dhe ngjyrën e ka mjet, por ai është i fascinuar nga drita që bie në to. Objektet janë të ndërtuara që drita të depërtojë nëpër to. Ai depërtim mahnitës dhe i pandërprerë i dritës e frymëzon soditësin, në këtë rast udhëtarin drej të vërtetës.

    Si rrjedhojë, figuracioni, ngjyra dhe drita e rënë e pasqyrojnë bukurinë e pashoq të Burimit të dritës, Krijuesit. Pasi Krijuesi në zakonshmërinë e tij është harmoni dhe simetri absolute dhe në atë mënyrë reflektohet së pari në zemrën e artistit dhe prej aty në objektin e artit… Burimi i dritës njëkohësisht është edhe burim i bukurisë, ashtu siç reflekton dritë ashtu reflekton edhe bukuri/ Nur- Xhemal.

    Në fund vizioni i të krijuarës paraqitet si vizion i bukurisë, si nga analiza e përpjesshmërive që hasen në gjithësi  ashtu edhe nga ndikimi veprues i dritës dhe si të tilla janë të bartura edhe në teoritë e estetikës islame dhe objektet e artit islam.

    Ndërsa soditësi e përjeton katarzën gjatë shikimit…